Një tjetër aksident me vdekje këtë mëngjes të hëne në rrugët e Lushnjes. Një 71-vjeçare ka humbur jetën teksa ka tentuar të kalojë rrugën nga njëra anë në tjetrën në vendin e quajtur Çermë-Proshkë. Aksidenti në rrugën nacionale Çermë-Divjakë ndodhi teksa 71 vjeçarja Ike Dervishi u përplas nga një motoçikletë e drejtuar nga Leandro Xhallari, 24 vjeç.
Goditja ka qenë e fortë dhe e moshuara ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia ka ndaluar drejtuesin e motoçikletës dhe po dokumenton ngjarjen.
Ky është aksidenti i dytë me vdekje dy ditët e fundit në Lushnje, pas atij të së shtunës ku humbi jetën 37-vjeçari Taulant Veliu, i cili ndodhej në biçikletë dhe u godit nga dy makina njëra pas tjetrës.
Njoftimi i policisë:
Divjakë / Informacion paraprak
Rreth orës 09:00, në aksin rrugor “Çermë Proshkë-Divjakë”, shtetasi L. Xh., 24 vjeç, duke drejtuar një motomjet pa leje drejtimi, ka përplasur këmbësoren I. D., 71 vjeçe, e cila si pasojë e përplasjes ka humbur jetën.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar drejtuesin e motomjetit, shtetasin L. Xh., në Komisariat për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Komente






