Me qindra qytetarë kanë dalë ditën e sotme për të protestuar në Durrës, pas aksidentit tragjik që u mori jetën dy fëmijëve dhe la të plagosur rëndë një tjetër të mitur.
Me pankarta në duar dhe fotografitë e fëmijëve që humbën jetën, qytetarët kanë marshuar nga Drejtoria e Policisë në drejtim të Bashkisë së Durrësit.
Ata kërkojnë më shumë siguri dhe kontrolle nga ana e Policisë në rrugët e qytetit, për të parandaluar aksidente tragjike që përditë marrin jetë qytetarësh të pafajshëm.
Protesta e tyre bëhet edhe për ndërgjegjësimin e drejtuesve të automjeteve, që të jenë më të kujdësshëm teksa qarkullojnë nëpër rrugët e qytetit.
“Dy jetë të pafajshme, kërkojmë drejtësi. Fëmijët s’duhet të humbnin jetën kështu. Kjo nuk duhet të ndodhë më kurrë. Ndal neglizhencës, shpëtoni jetë! Siguria e fëmijëve është detyrim”, shkruhet mes të tjerash në një nga pankartat që protestuesit mbajnë në Durrës.
Ata kanë lëshuar me dhjetëra balona të vogla të bardha, në kujtim të të miturve që humbën jetën në aksidentin tragjik të disa ditëve më parë.
Kujtojmë se drejtuesi i automjetit që u mori jetën 2 të miturve, Nikoll Radaçi, po e drejtonte makinën nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit.
Komente











