Deputetja e PD Ina Zhupa tha se Kuvendi dhe qeveria ka dështuar për të prodhuar ligje që i shërbejnë komunitetit. Zhupa tha se qeveria duhet të ndërtojë parqe e të tjera hapësira komunitare nëpër qytete, nisur nga rasti tragjik i ndodhur dje në Durrës ku dy të mitur mbetën viktimë e një aksidenti rrugor.
“Ky kuvend nuk mund të mjaftohet vetëm me 1 minutë heshtje për një ngjarje tragjike dhe të paralajmëruar. Kuvendi s’mund të bëjë politikë me vdekjen, por të bëjë disa politika që i shërbejnë qytetarëve. Kemi dështuar të gjithë, sepse nuk arrijmë ta ngremë këtë kuvend në një kuvend që bën ligje që i shërbejnë qytetarëve.
S’mund të kujtohemi dhe të flasim për Kodin Rrugor apo atë Penal vetëm kur ka një vdekje. Kur e keni parë Policinë e Shtetit që kujdeset për nevojat e komunitetit? Ky është dështimi i parë i një qeverisjeje që e ka parë si një mjet force për synimet e veta elektorale.
Qytetet tona janë kthyer në fjetore, ku vetëm mund të flesh gjumë në shtëpi dhe asnjë jetë komunitare s’mund të ndërtosh dot. Qytete pa sheshe, pa kënde lojërash, pa lulishte. Ku në mes të rrugës ti mund të gjesh çdo gjë, por asgjë që lidhet me komunitetin, me ndërtimin e një hapësire të përbashkët. Meraku ka qenë të betonohet çdo hapësirë. S’ka qenë ndonjëherë për fëmijët, prindërit, gjyshërit: ku do të jetojnë, si do ta mbushin ditën.
Komuniteti durrsak shpreh të gjithë të njëjtën gjë: që e kanë paralajmëruar policinë, por s’ka reaguar askush. Nëse kemi një grup, grupin e miqve të fëmijëve, ne nuk mund të bashkohemi me njëri-tjetrin vetëm për të kërkuar 1 minutë heshtje; duhet të bashkohemi për të kërkuar ndryshime në Kodin Rrugor e Penal, por mbi të gjitha të ndryshohet sesi përdoren institucionet në shërbim të disa klientëve, të një të forti.
Kështu jeni krijuar, kështu e mbani pushtetin. Kur ndodhin ngjarje të tilla, na i kurseni ngushëllimet tuaja, sepse nëse doni të bëni diçka, i keni votat, keni mundësi”, tha Zhupa.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Kuvend/ 1 minutë heshtje për 2 të miturit që u vranë në Durrës, Braçe: Është vrasje, të ndryshohet Kodi Rrugor! Zhupa: Kemi dështuar të gjithë










