Jurgen Karaj, 30 vjeç u mbyt në Mat tre javë më parë teksa makina ku ishte pasagjer ra në lumë. Shoku i tij i dehur u prangos, ndërsa trupi i 30-vjecarit ende nuk është gjetur. Dyshohet se rrjedha e fortë e Matit e ka spostuar 30 km më larg, në liqenin e Ulzës.

Mes dhimbjes e pritjes, Endrin Karaj nuk i ka humbur shpresat se trupi mund të gjendet dhe të ketë së paku një varr për të qarë vëllanë.

“Dua të më gjendet vëllai t’i vendos një lule të ketë një varr. Ushtria, policia, bashkia e Klosit, të afërmit e mi kemi kërkuar. Dua ti falënderoj të gjithë”, tha ai.

Kërkimet e zhvilluara nga ushtria, bashkia dhe zjarrfikëset me mjete primitive kanë dështuar, ndaj Ministria e Mbrojtjes kërkoi ndihmën e Kosovës e cila këtë të enjte dërgoi në Klos një ekip me 11 efektivë të Forcave të Sigurisë së Kosovës, me mjete të sofistikuara kërkimi, përfshirë dronët nënujor dhe kamerat.

“Ka pasur ditë që kanë qenë të pranishëm edhe 100 vetë në kërkim. Deri sot është bërë e pamundur. Realisht ato ditë ka pasur shumë ujë rrjedha e Matit. Ndaj Shqipëria ka kërkuar ndihmë nga Kosova dhe sot mbërritën 11 efektive nga Forca e Sigurisë së Kosovës me mjete të sofistikuara, si dron nënujor dhe kamera speciale, të cilët do të kërkojnë për gjetjen e trupit në liqenin e Ulzes”, tha Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu.

Kjo nuk është hera e parë që Kosova na vjen në ndihmë në operacione te tilla kërkim-shpëtimi.

“Kanë ardhur disa here, kemi pasur përmbytje, apo për situatën e tërmetit. Janë gjithmonë të gatshëm, u jemi gjithmonë mirënjohës”, tha Shehu.

Ish- deputeti demokrat, Kreshnik Çollaku sot Këshilltar i Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani foli për dimensionin humanitar të këtij operacioni.

“Shqipëria e Kosova janë bërë bashkë në këtë përpjekje njerëzore, uroj të kemi rezultat. Ngushëllime familjes”, tha ai.

Po kështu, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, bëri të ditur se me kërkesë të autoriteteve shqiptare, kontingjenti i Gardës i është bashkuar operacionit në Klos për kërkimin e të riut të humbur, në rrjedhën e lumit Mat.