Një ditë pas aksidentit të ndodhur në Kroaci ku pas përmbysjes së autobuzit shqiptar humbi jetën Gazmir Korbi dhe u plagosën 8 të tjerë, është mësuar gjendja e të gjithë pacientëve të cilët po marrin mjekim në spital.
Pesë prej të plagosurve, po trajtohen në spitalin e qytetit të Karlovacit. Përkatësisht, pasagjerët, Veli Muça, Armand Shaba, Herman Gjeci, Gjovalin Kola dhe shoferi që ishte në timon, Adem Rexha janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa 3 të plagosur po trajtohen në spitalin e qytetit të Ogulinit, Roland Kola pasagjer dhe Klodian Vata (pasagjer dhe pronar i autobusit) ndodhen në gjendje të qëndrueshme për jetën. Ndërsa pasagjerja Naile Bajraktari ndodhet në gjendje pak më të rëndë.
Kujtojmë se ditën e djeshme, për aksidentin pati reagime edhe nga presidenti Bajram Begaj dhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi. Ky i fundit tha se Gazmir Korbi (Ndihmës shoferi) që ndërroi jetë ishte edhe pjesëtar i Forcave Ajrore.