Gjykata e Korçës ka dhënë masën e sigurisë “30 ditë burg” për 29 vjeçarin Spiro Naçi, i cili u arrestua disa dite me parë, si i dyshuar shkaktar i aksidentit me eskortën e Ramës.

Prokuroria ka kërkuar masën “arrest me burg” ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë vendosi këtë masë arresti .

Në dëshminë e tij Naçi i ka kërkuar ndjesë gardës, ndërsa ka shtuar se aksidenti ishte pa dashje. “I kërkoj ndjesë gardës se pa dashje i kam shkaktuar shqetësim. Ndjesë i kërkoj edhe familjes time që i kam shqetësuar”, tha Naçi. ndërsa më tej ai ka pyetur gjykatën nëse në vendin ku ndodhi aksidenti ishin apo jo vija të ndërprera, që i lejonin atij parakalimin, pasi sipas Naçit nuk i kujtohej.

Ndërsa për sa i përket plagosjes së gardistit Ervin Musai, i cili pësoi dëmtime në shtyllën kurrizore, në gjykatë nuk u paraqit raporti mjeko ligjorë, pasi për shkak të transportimit të tij me helikopter për në Tiranë, ekspertiza mjeko ligjore në Korçë nuk arriti të bëjë raportin. Tashmë pritet raporti mjeko-ligjorë nga ekspertiza në Tiranë.

Tre ditë më parë, në hyrje të Korçës,u aksidentuan dy prej automjeteve, pjesë të eskortës së kryeministrit Edi Rama, teksa shoqëronin kreun e qeverisë për në mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Kosovës. Nga aksidenti mbetën të plagosur pesë persona, tre prej tyre gardistë. 

Ndërsa dy ditë më parë u bë me dije se ekspertiza e aksidentit do të kryhet nga një ekspert i pavaruar.
 

ne gjykate
  (29 vjeçari Spiro Naçi në ambientet e gjykatës)

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com