Gjykata e Durrësit ka lënë në burg Nikoll Radaçin, shoferin e dehur që u mori jetën dy fëmijëve në ish-Kënetë. 57-vjeçari akuzohet për 3 vepra penale dhe rrezikon nga 5 deri në 20 vite burgim. Në seancën për masën e sigurisë nuk ka folur asnjë fjalë. Report TV ka siguruar dëshminë e tij para oficerit të policisë gjyqësore, ku pretendon se po lëvizte me 30 km/h, por humbi kontrollin pasi i preu rrugën një makinë tjetër, të cilën thotë se as nuk e mban mend.
***
Ka zgjatur vetëm 10 minuta masa e sigurisë në Gjykatën e Durrësit për Nikoll Radaçin, shoferin e dehur i cili u mori jetën dy fëmijëve, 10 dhe 12 vjeç.
Me kokën ulur, Radaçi nuk ka folur asnjë fjalë në seancën për masën e sigurisë, ndërsa avokaten ia kishte caktuar shteti. Ndaj tij, prokurorja artikuloi 3 akuza dhe rrezikon nga 5-20 vite burgim.
“Nga prokuroria ka ardhur me 3 akuza. I pandehuri nuk foli fare, dukej në gjendje të rënduar psikologjike. Unë isha e caktuar nga shteti për të realizuar mbrojtjen, pasi nuk kishte një avokat të zgjedhur prej tij. Akuzat janë shkelje e rregullave të qarkullimit me pasojë vdekjen, drejtimi i mjetit në gjendje të parregullt dhe largimi nga vendi i aksidentit. Rrezikon nga 5 deri në 20 vite burg. Ka shprehur pendesë”.
Por edhe pse ka shprehur pendesë, Radaçi në dëshminë e dhënë përpara Oficerit të Policisë Gjyqësore është përpjekur të shfajësohet. Ai ka mohuar se ishte i dehur, duke pretenduar se kishte konsumuar një birrë mëngjesin e së dielës, ndërsa aksidenti u shënua në mesditë, rreth orës 14:10. Gjithashtu ka deklaruar se përplasja me fëmijët ndodhi pasi kreu një manovër për të shmangur një automjet tjetër që, sipas tij, i kishte prerë rrugën. I pyetur për shpejtësinë me të cilën po lëvizte, është përgjigjur: 30 km/h. Po kështu, pretendon se nuk e mban mend makinën që i preu rrugën.
Aksidenti i rëndë u regjistrua mesditën e 3 majit në ish-Kënetë, ku tre fëmijët që po luanin me top në trotuar u përplasën nga Radaçi. Testi i alkoolit e nxori të dehur. Dy prej fëmijëve, Enea Muçaj, 12 vjeç dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç, humbën jetën, ndërsa fëmija tjetër, 8 vjeç, arriti të mbijetojë.
Policia e kishte ndëshkuar Radaçin edhe 4 vite më parë për tejkalim shpejtësie. Patenta i ishte pezulluar për 1 muaj, ndërkohë sipas Kodit Rrugor duhej të ishte të paktën 8 muaj. E njëjta shkelje ishte përsëritur prej tij brenda një viti, ndërsa ndëshkimi sërish i njëjtë: 1 muaj. Të gjitha këto tolerime, përfshirë denoncimet e banorëve të lagjes, po verifikohen nga AMP. Hetimi synon të zbulojë nëse pas aksidentit tragjik fshihet një zinxhir shkeljesh, nga efektivi i patrullës deri te drejtuesit më të lartë të Policisë së Durrësit.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Në deklarimin e tij, Nikoll Radaçi ka përshkruar veprimet përpara se të aksidentonte për vdekje dy fëmijët e mitur në Durrës. Ai thotë se ka devijuar për të shmangur një automjet që doli papritur nga një rrugicë lagjeje dhe përfundoi mbi trotuarin ku ndodheshin fëmijët.
Radaçi thotë se s’ka mundur të ndalojë dhe ka shkuar disa metra përpara. Aty u ka kërkuar punonjësve të një dyqani të njoftojnë policinë dhe ka pritur derisa është shoqëruar nga blutë.
“Rreth orës 14.00 kam dalë nga shtëpia bashkë me mjetin me targa AB 909 PC dhe do të shkoja të merrja një vegël pune tek një shoku im. Unë po drejtoja automjetin në korsinë e djathtë, papritur nga një rrugicë lagjeje doli një automjet, unë devijova për të shmangur këtë automjet dhe kam përfunduar sipër trotuarit të anës së majtë të rrugës. Pasi hipa mbi trotuar, jam përfshirë në aksident me disa fëmijë që ndodheshin mbi trotuar. Automjeti që unë po drejtoja nuk ka arritur të ndalojë dhe kam shkuar disa metra më përpara. Unë dola nga makina dhe kam shkuar tek një dyqan aty pranë ku punonjësve të dyqanit ju kam thënë të njoftojnë policinë pasi kam bërë aksident. Unë kam qëndruar tek dyqani derisa erdhi policia dhe më mori për në komisariat”, thotë ai.
57-vjeçari akuzohet edhe për “largim nga vendi i aksidentit” dhe “drejtim automjeti në mënyrë të parregullt.”
Në pyetje-përgjigjet me oficerin e Policisë Gjyqësore, ai thotë se nuk kujton detaje lidhur me automjetin tjetër dhe as nuk i njeh fëmijët.
“Kam qenë me rreth 30 km/h”, ka thënë Radaçi kur është pyetur për shpejtësinë me të cilën po qarkullonte. Lidhur me rezultatin e testeve të alkoolit, pranon se ka konsumuar.
“Përpara se të drejtoja automjetin, unë kam pirë një birrë në mëngjes”, është shprehur ai, pa shtuar detaje të mëtejshme.
Sipas dokumenteve, Nikoll Radaçi, i lindur në Mirditë dhe me banim në Durrës, ka arsim 7-vjeçar.

Tragjedia e rëndë në ish-Kënetë të Durrësit ka vënë në lëvizje Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, e cila tashmë po heton me imtësi nëse vdekja e dy të miturve erdhi si pasojë e neglizhencës së drejtpërdrejtë të uniformave blu.
Ndërkohë që banorët e ish-Kënetës deklarojnë të revoltuar se sinjalizimet e tyre për mjetet që fluturonin në rrugë u injoruan vazhdimisht, AMP po verifikon të gjithë denoncimet dhe reagimet zyrtare. Hetimi synon të zbulojë nëse pas aksidentit tragjik të shkaktuar nga Nikoll Radaçi fshihet një zinxhir shkeljesh të detyrës që nis nga efektivi i patrullës e deri te drejtuesit më të lartë.
Si reagim i parë ndaj kësaj situate të rëndë, kryepolici Skënder Hita mori masën e pezullimit të të gjithë zinxhirit komandues të Policisë së Durrësit.
Report Tv siguron pamje nga Nikoll Radaçi, shoferi që përplasi për vdekje 2 miturit në Durrës. Radaçi ka dalë sot përpara gjykatës ku do të njihet me masën e sigurisë. 57-vjeçari ndodhet brenda në kafazin e qelqtë dhe qëndron me kokën të ulur.
Komente










Fatkeqesi e madhe humbje e jetes se dy te miturve. Ne akt, si ky pijaneci ordiner, ka shume neper rruget e Shqiperise. Kodi rrugor duhet perforcuar dhe toleranca duhet te jete 0 per pijanecet dhe ata qe perdorin lende narkotike. Shpresojme qe Parlamenti te vihet ne levizje.
PërgjigjuTe rishikohen ligjet,,shumë mire po beni dhe nje ligj qe kush kalon nga nje ane ne tjetrën e autostradës ku këmbësorët nuk duhet te jene neper autostrada duke ecur ne kembe apo bicikleta shoferët te Mos kenën asnje faj
Përgjigju