Një grup kriminal i trafikut ndërkombëtar të drogës, është goditur nga SPAK i cili ka marrë në GJKKO 11 masa “arrest me burg” nga të cilat vetëm 3 u arrestuan, ndërsa 8 janë në kërkim, përfshirë Jetmir Pepën, një personazh i njohur që dyshohet si kreu i grupit. 232 pasuri janë vendosur nën sekuestro me vlerë 12 milionë euro. SPAK thotë se vetëm në 2020-n grupi arriti të fuste në Evropë 7.5 tonë kokainë.
Jetmir Pepa, një personazh i njohur në Shqipëri për bizneset dhe jetën mes lajmeve rozë, ishte koka e një grupi të strukturuar kriminal në vitet 2019-2021, që vetëm në vitin 2020 futi ose tentoi të trafikonte në Evropë të paktën 7.5 tonë kokainë. Grupi operonte në Amerikën Latine, në Belgjikë dhe Holandë.
Jetmir Pepa nga kjo e mërkurë është në arrati pasi autoritetet nuk arritën ta ekzekutonin masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij. Në pranga u vendosën vetëm 3 nga 11 personat ndaj të cilëve GJKKO vendosi burgim. Mes të arrestuarve vëllai i Jetmirit, Lulzim Pepaj 52 vjeçar si dhe dy anëtarë të tjerë të grupit kriminal, Florian Marku 34-vjeç dhe Anton Kolaj 33-vjeçar. Puna po vijon për kapjen e 8 të tjerëve, disa prej cilëve thotë SPAK nuk ndodhen në territorin shqiptar.
Hetimin Prokuroria e Posaçme e kreu në bashkëpunim ngushtë me ndërkombëtarë (Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese në Francë, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar), ndërsa SPAK thotë se ka dokumentuar 8 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha nga Amerika Latine në vendet evropiane, kryesisht në Holandë.
Ndër ngarkesat më të rëndësishme, ajo e 7-8 Prill 2020 kur nga Peruja në drejtim të Roterdamit u trafikuan 1,018 kg kokainë (me vlerë 1.3 milionë euro); 2020 kg kokainë e trafikuar 6 qershorin 2020 nga Ekuadori drejt Holandës, apo edhe episodi 500 kg të tjera të trafikimit nga Kolumbia dhe një sasi të madhe prej 1600 kg kokainë gushtin e 2020-s. (tabela e episodeve)
Më shumë se masat e sigurisë, bën përshtypje numri dhe vlera e pasurive që GJKKO ka vendosur të sekuestrohen, plot 232 prona që vlerësohen rreth 12 milionë euro. 100% e aksioneve të kompanisë “Pepa Group”, në pronësi të familjarëve të Jetmir Pepës është vendosur nën sekuestro, firmë ndërtimi e cila ka fituar tendera me vlerë totale miliona euro nga pushteti lokal dhe qëndro.
Mes bizneseve të sekuestruara dhe të gjitha pasuritë që ato disponojnë, janë 33.3% e aksioneve të një hidrocentrali në Fierzë “HEC ARSTI”, 50% e aksioneve të B.I.V. SHPK dhe 50% e aksioneve të “Shëngjini 2013”. Të gjitha aksionet të poseduara nga Pepa Group. Të sekuestruara edhe “Oxford Hotel” dhe “Maison Nuve Aesthetics” në Tiranë, si edhe “E.DK.AL” shpk, me seli në Ishull-Shëngjin, një klub i njohur me emrin Soluna.
Nën sekuestro janë vendosur 60 pasuri të paluajtshme të llojeve tokë arë, tokë truall, hotel, poste parkimi dhe apartamente, me vendndodhje në Tiranë, Kamëz, Lezhë, Shëngjin, Sarandë dhe Himarë; 89 makina dhe mjetë ndërtimi, 72 llogari bankare.
Jemir Pepa, i njohur si Mir Pepës, është lakuar shpesh në media. Ngjarja më e bujshme është ajo e konfliktit të motrave Berisha të cilat dhunuan blogeren Klea Prenga, pasi dyshonin se ajo kishte krijuar raport intim me Pepën. Ky i fundit ishte i Marinela Berishës, më të cilën ka edhe një fëmijë. Prej janarit 2025, Mir Pepa rezulton në kërkim nga Policia e Tiranës pasi qëlloi me armë zjarri në Parkun Olimpik në një koncert festiv natën e ndërrimit të viteve.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Në mesin e pasurive të sekuestruara nga SPAK rezulton edhe një klinikë estetike luksoze në Tiranë, “Maison Nuvé Aesthetics”, e vendosur në kompleksin River Residence. Klinika ofron një gamë të gjerë trajtimesh estetike mjekësore, duke përfshirë trajtime fytyre, hydrafacial, peeling kimik, mezoterapi, skin boosters, filler dermal, microneedling, terapi LED, epilim me lazer dhe trajtime të avancuara si lazer fraksional CO2.
“Në klinikën tonë do të gjeni një gamë të gjerë shërbimesh estetike mjekësore, të ofruara sipas protokolleve të standardizuara dhe të bazuara në praktikat më të avancuara klinike. Çdo trajtim realizohet me precizion dhe kujdes maksimal, duke përdorur vetëm produkte të certifikuara dhe të aprovuara klinikisht. Misioni jonë është të theksojmë bukurinë natyrale, të rikthejmë vetëbesimin dhe t’u ofrojmë pacientëve standardin më të lartë të kujdesit estetik të personalizuar”, thuhet në faqen e klinikës.
Janë një sërë pasurish me vlerë miliona euro që i janë sekuestruar bosit të drogës, Jetmir Pepës, të cilat SPAK dyshon se janë përdorur për pastrimin e parave nga ky aktivitet kriminal.


Jetmir Pepa, sipas SPAK, rezulton si drejtues i grupit kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës që u godit sot. I vëllai, Lulzim Pepa, ra në pranga gjatë operacionit të Prokurorisë së Posaçme, ndërsa Jetmiri njihej më publikisht për bizneset dhe jetën mes lajmeve rozë.
Ndonëse mund të jetë më shumë, “Pepa Group” SHPK e familjes Pepa, e cila u sekuestrua sot nga SPAK, rezulton zyrtarisht si një shoqëri që ka arritur të regjistrojë një xhiro vjetore deri në 1.5 miliardë lekë në vitin 2023, por operon në tregun vendas prej vitit 2014. Administratore e shoqërisë është Violeta Pepaj. Ortakët e shoqërisë janë Leorik Pepa 25%, Urjola Pepa 25%, Brian Pepa 25% dhe Brixhilda Pepa 25%.
Që nga themelimi i saj, ajo është përfituese e të paktën 52 tenderave publikë në sektorë të ndryshëm. Vlera e tenderëve të fituar në bashkëpunim me shoqëri të tjera arrin në afro 63 milionë euro. Miliona euro të tjera janë "përlarë" nga Pepa Group në tendera të fituar vetëm.
Parapaskena shkruan se zyrtarët që kanë firmosur tendera për kompaninë e trafikantit të drogës Mir Pepa janë Albert Halilaj, Emiriana Sako, Fran Tuci, Arlinda Pogaj, Ervin Sadiku, Gentian Gjyli, Evis Berberi, Fatjon Dhuli, Dritan Agolli etj. Nisur nga transaksionet, shumat kryesore të parave publike bosi i kokainës Mir Pepa i ka marrë nga Bashkia e Tiranës.

Përveç biznesve luksoze të sekuestruara Jetmir Pepës, i shpallur në kërkim për trafikimin e 7.5 ton kokainë drejt Europës, në listën e pasurive të sekuestruara nga SPAK janë edhe 33.3% e aksioneve të një hidrocentrali në Fierzë “HEC ARSTI”. Hidrocentrali operon me kontratë 35-vjeçare dhe rezulton një aset fitimprurës, me të ardhura mbi 140 milionë lekë në vit dhe fitim që në 2024 ka arritur në rreth 92 milionë lekë. Heci në fjalë zotërohet nga tre ortakë: “Pepa Group” me 33.3% të kuotave, “Shpresa-AL” me 33.4% dhe “Marceli” sh.p.k me 33.3%.


Në mesin e pasurive të sekuestruara bosit të drogës, Jetmir Pepa është edhe një klub luksoz në Shëgjin, i pozicionuar në buzë të detit. Bëhet fjalë për klubin Soluna, i vendosur në ishull Shëngjin. Klubi lukoz është një ndër më të njohurit për jetën e natës në Shëgjin, ku mbledh qindra të rinj e të reja përgjatë sezonit turistik.

Me urdhër të SPAK, grupit kriminal të Jetmir Pepës iu sekuestruan plot 232 pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro. Mes pasurive të sekuestruara është edhe një hotel me 4 yje në zemër të Tiranës, i vendosur në rrugën “Xhorxhi Martini”.
Hoteli karakterizohet nga arkitekturë elegante me kombinim të stilit klasik dhe modern. Hoteli disponon gjithashtu ambiente shërbimi si bar koktejlesh me tarracë panoramike, lounge-café me ëmbëlsira dhe hapësirë relaksi në kopsht, si dhe një kantinë vere nëntokësore ku organizoheshin degustime, apo edhe ambiente për palestër e sauna.


Lulzim Pepaj, Florian Marku dhe Anton Kola janë 3 të arrestuarit e deritanishëm nga SPAK gjatë operacionit të sotëm. Ata akuzohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të procedimit penal nr. 153 të vitit 2023, ka finalizuar një operacion kompleks kundër një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Gjatë viteve 2019-2021, ky grup ka operuar në Amerikën Latine në Belgjikë dhe Holandë, ku janë dokumentuar 8 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha.
Në bashkëpunim të ngushtë me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese në Francë, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar, hetuesit e BKH-së kanë vijuar hetimet intensive në drejtimin e prokurorëve të posaçëm.
Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme me vendimin nr.20, datë 14.4.2026, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar masën e e sigurimit “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Proçedurës Penale ndaj 11 shtetasve shqiptarë.
Sot, më 15.4.2026, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë bërë të mundur zbatimin e masave të sigurisë ndaj shtetasve:
- F.M, i datëlindjes 20.2.1992;
- L.P, i datëlindjes 06.7.1974.
- A.K, i datëlindjes 19.6.1993.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në Bashkëpunim me hetuesit e BKH vazhdojnë me veprimet proceduriale dhe operative për lokalizimin e shtetasve të tjerë, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë personale “arrest në burg”. Disa prej këtyre personave nuk ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë.
8 EPISODET E TRAFIKUT TË LËNDËS NARKOTIKE
Episodi 1 – Janar- Mars 2020 – Trafikimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike kokainë gjatë periudhës Janar-mars 2020. Nga kjo sasi, më 21.03.2020 u sekuestrua një sasi prej 8.5 kg në qytetin e Amsterdamit të Mbretërisë së Holandës.
Episodi 2 – 7-8 Prill 2020 – Trafikimi i një sasie prej 1,018 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, nga Peruja drejt Portit të Roterdamit të Hollandës. Ngarkesa kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije kolumbiane ndërsa lënda narkotike ishte fshehur në një enë frigoriferike që përmbante lëng frutash të ngrira. Vlera e shitjes ishte mbi 1.3 milionë euro.
Episodi 3 – 6 Qershor 2020 – Trafikimi i një sasie prej 2020 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, nga Ekuadori drejt Portit të Roterdamit të Hollandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador dhe ishte e destinuar për një kompani në Hungari. Një pjesë e kësaj ngarkese i përkiste këtij grupi kriminal.
Episodi 4 – 26 Qershor 2020 – Tentativa e trafikimit të një sasie prej 516 kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Terminalin Portual Muelle Sur, DP World Callao, Peru, si dhe e destinuar për në Mbretërinë e Hollandës.
Episodi 5 – 30 Qershor 2020 – Trafikimi i një sasie prej 500 kg lënde narkotike kokainë më, e sekuestruar në Portin e Roterdamit, që kishte ardhur në një kontejner nga Kolumbia që përmbante konserva me peshk ton dhe ishte i destinuar për një kompani në Gjermani.
Episodi 6 – 7 Gusht 2020 – Trafikimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike e llojit kokainë, e llogaritur në rreth 1600 kg, prej së cilës është sekuestruar një sasi prej 104 kg po në të njëjtën datë në autostradën nr A2 pranë qytetit Abcoude të Mbretërisë së Holandës.
Episodi 7 – 16 Gusht 2020 – Trafikimi i një sasie rreth 1100 pako me peshë bruto 1238,39 kg lënde narkotike kokainë, e cila ishte ishte fshehur në një ngarkesë me banane në një kontenier që vinte nga Ekuadori drejt Portit të Roterdamit në Hollandë dhe kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare e ardhur nga Porti i Antwerp, e destinuar për një kompani në Hagë.
Episodi 8 – 1 – 2 Tetor 2020 – Trafikimi i një sasie prej 531 kg lënde narkotike kokainë në Portin e Roterdamit, Hollandë, sasi e cila është kapur nga autoritetet holandeze, e fshehur në një kontenier të ngarkuar me rrush të thatë, i destinuar për në Suedi.
Me vendimin nr.273, datë 14.4.2026, bazuar në nenin 274 të Kodit të Proçedurës Penale GjKKO ka vendosur caktimin e masës së sekuestros preventive në lidhje me 232 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të drejtëpërdrejtë, apo të tërthortë të personave nën hetim, konkretisht ndaj pasurive:
SEKUESTRIMET (në vlerën 12 milionë euro)
Pasuritë e Shoqërisë “P… GROUP”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.
Kuotat e Shoqërisë “HEC A…I”, sh.p.k, me seli qendrore në Fierzë, Bashkia Fushë Arrëz në masën 33.30 % , të cilat i përkasin ortakut “P… GROUP” sh.p.k.
Kuotat e Shoqërisë “B….V”, sh.p.k, me seli qendrore në Lezhë, fshati Fang, Rubik, në masën 50.00 %, të cilat i përkasin ortakut “P… GROUP” sh.p.k.
Kuotat e Shoqërisë “Sh……i 2013”, sh.p.k, me seli qendrore në Shëngjin, Lezhë, në masën 50.00 %, të cilat i përkasin ortakut L.P.
Pasuritë e Shoqërisë “O….. Hotel”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.
Pasuritë e Shoqërisë “M….. N… A………”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.
Pasuritë e Shoqërisë “E…… AL”, sh.p.k, me seli qendrore në Ishull-Shëngjin Lezhë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.
60 pasuri të paluajtshme të llojeve tokë arë, tokë truall, hotel, poste parkimi dhe apartamente, me vendndodhje në Tiranë, Kamëz, Lezhë, Shëngjin, Sarandë dhe Himarë.
89 automjete të markave dhe llojeve të ndryshme (automjete teknologjike për ndërtim, transport mallrash apo autovetura).
72 llogari bankare që u përkasin personave të ndryshëm juridikë apo fizikë, si dhe shtetasve nën hetim, apo personave të lidhur me ta.
Më 15 prill 2026, Policia e Shtetit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive kanë nisur procedurat për bllokimin e këtyre aseteve në zyrat e regjistrimit dhe në bankat e nivelit të dytë.

Me urdhër të SPAK është lëshuar urdhër arrest për Jetmir Pepën, i njohur edhe si Mir Pepa. Ai është një personazh me precedent të mëparshëm kriminal dhe i shpallur në kërkim më herët pas një sherri me armë në një koncert. Prej janarit 2025, Mir Pepa rezulton në kërkim nga Policia e Tiranës pas ka qëlluar me armë zjarri në Parkun Olimpik në një koncert festiv natën e ndërrimit të viteve.
Pas një sherri, Pepa ka qëlluar dy herë me armë zjarri në mes të koncertit, i cili ishte i mbushur plot me të rinj që po festonin natën e ndërrimit të viteve dhe më pas u largua. Në momentin e të shtënave, në skenë po performonte reperi Stresi, dhe priteshin edhe emra të tjerë të njohur të skenës shqiptare, si Dafina Zeqiri. Koncerti mbahej në sallën e Parkut Olimpik në rrugën “Liman Kaba” në Tiranë dhe ishte marrë me qira nga Cinco Cavalli Group.
Emri i Mir Pepës është lakuar edhe në konfliktin e motrave Berisha të cilat dhunuan blogeren Klea Prenga, pasi dyshonin se ajo kishte krijuar raport intim me Pepën. Ky i fundit ishte ish-partneri i Marinela Berishës, më të cilën ka edhe një fëmijë.
Komente












Nje mut i madh do ndodhi ne qoftese nuk konfiskohen pasurite dhe shteti ti fus ne shërbim te vet ose per shtresat ne nevoje. Kur sekuestrohen sot e neser ju jepen perseri keta lloj mostrash Tallin rakun me Spak e shtet bashke.
PërgjigjuFytyre e shemtuar shume. Kushedi sa dru ka ngrene i vogel ne shpi
Përgjigjuun se kuptoj cpun ka shqiperia pse ky ka cuar drogt nga kolumbia ne holland ajde ma shpjego pak eh pik e zez mir evropa qe e ka me shqiptaret po e ka dhe shqiperia me shqiptaret