FUSHË-KRUJË - Policia e Tiranës në bashkëpunim me RENEA-n kanë zhvilluar gjatë orëve të natës një operacion në fshatin Zallë të Fushë-Krujës për kapjen e 49-vjeçarit Ylli Zalla, i cili konsiderohet me rrezikshmëri të lartë.
Edhe këtë herë Zalla i ka shpëtuar arrestimit, pasi u arratis në pyll, duke përfituar nga errësira. Ndërkohë në pranga ka rënë shoku i tij Fatmir Alla, që dyshohet se ka informuar Zallën për ardhjen e Policisë.
Nga kontrolli në banesë policia ka gjetur një armë zjarri pistoletë, një celular, municion luftarak dhe një detektor frekuencash.
Ndërkohë në banesë u gjet edhe vëllai i 49-vjeçarit, i cili ishte shpallur në kërkim i dyshuar si bashkëpunëtor i shpërthimit të një sasie tritoli në një tokë në Balldren.
Kush është Ylli Zalla
Ylli Zalla rezulton në kërkim që prej nëntorit 2025, kur në banesën e tij u zbulua arsenal armësh, pas hetimeve lidhur me atentatin në Rinas. Zalla dyshohet si bashkëpunëtor në atentatin e nëntorit 2025 ku u vranë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, akuza të cilat nuk u zbardhën asnjëherë.
Më 20 shkurt të këtij viti, policia zbuloi një tjetër arsenal armësh në fshatin Zall që dyshohet se i përkisnin 49-vjeçarit
Ndërkohë 12 vjet më parë, Ylli Zalla është arrestuar për prodhim të bombave artizanale dhe i përfshirë edhe në prodhim dhe shitje droge. Në atë kohë dyshohej për lidhje me grupin ISIS për rekrutime të shqiptarëve për xhihad. Vite më parë ai kishte kërcënuar me jetë edhe pronarin e një kompanie çimentoje në Fushë Krujë.
Njoftimi i policisë:
Operacion në fshatin Zallë, për kapjen e një shtetasi të shumëkërkuar. Operacioni, mbi bazën e informacionit të siguruar në rrugë operative, për vendndodhjen e 49-vjeçarit.
Në operacion DVP Tiranë, Komisariati i Policisë Krujë dhe Forcat Speciale “RENEA”.
I shumëkërkuari, kur ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka mundur të largohet dhe të futet në pyll, duke përfituar nga errësira.
Gjatë operacionit në banesën e shtetasit Y. Z., në fshatin Zallë, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe kanë arrestuar shtetasin F. A., 55 vjeç, banues në të njëjtin fshat, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se kur ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka njoftuar dhe ka ndihmuar të shumëkërkuarin, për t’u larguar nga banesa.
Në banesën e të shumëkërkuarit Y. Z., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje, një celular që dyshohet se shtetasi Y. Z. nuk mundi ta merrte me vete, si dhe në vijim të kontrollit gjetën municion luftarak dhe një detektor frekuencash.
Gjithashtu, në banesë u gjet edhe vëllai i 49-vjeçarit, i cili ishte shpallur në kërkim policor nga DVP Lezhë, shtetasi E. Z, 35 vjeç, i cili do ndiqet në gjendje të lirë nga DVP Lezhë, i dyshuar si bashkëpunëtor në ngjarjen e ndodhur më datë 10.06.2026, ku në një ambient të hapur tokë, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse.
Vijon intensivisht puna për kapjen e shtetasit Y. Z.
Materialet procedurale do t’u referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente








Ah o polici dhe shtet familje sh... qe i fusni njerezit ne halle me njeri-tjetrin.
Përgjigju