Një shpërthim i dyshuar me tritol është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure, pranë banesave të familjes Nikulaj në fshatin Balldren i Vjetër të Lezhës, duke rikthyer vëmendjen te një prej konflikteve më të njohura që ka prodhuar viktima ndër vite në kët ëzonë.
Sipas të dhënave paraprake të Report TV, shpërthimi ka ndodhur në një terren të hapur ku ndodhen grumbuj gurësh dhe nuk ka shkaktuar dëme në njerëz apo në banesa. Policia ka shoqëruar një person të dyshuar dhe po heton për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Ngjarja rikthen sërish në vëmendje konfliktin e vjetër mes familjeve Nikulaj dhe Lekstakaj, një hasmëri që prej dekadash ka lënë pas një seri vrasjesh dhe përplasjesh të përgjakshme në zonën e Lezhës.
Vëmendja ndaj këtij konflikti u rikthye fort pas ekzekutimit të biznesmenit Ardian Nikulaj më 19 prill 2023 në lokalin e tij në Shëngjin. Pak muaj më parë, Gjykata e Lezhës dënoi me burgim të përjetshëm Ruben Saraivën, i shpallur fajtor për vrasjen e Nikulajt.
Pas vendimit, familja Nikulaj e cilësoi dënimin si një hap drejt vendosjes së drejtësisë, por theksoi se ende nuk ka qetësi pa u zbardhur plotësisht roli i të gjithë personave të përfshirë në organizimin e atentatit.
Pas vrasjes së Ardian Nikulajt, në Lezhë u regjistruan edhe ngjarje të tjera të rënda kriminale. Mes tyre janë vrasja e Nikolin Markut në korrik 2023 në Balldre dhe ekzekutimi i Entjan Nikulajt në dhjetor të po atij viti. Për të dyja rastet, një nga pistat kryesore të hetimit ishte hakmarrja e lidhur me konfliktin mes dy familjeve.
Hasmëria mes Nikulajve dhe Lekstakajve e ka zanafillën në vitin 1996. Sipas të dhënave të bëra publike ndër vite, konflikti nisi pas një debati në një pikë karburanti për një pagesë prej 10 mijë lekësh të vjetra. Debati degjeneroi në përdorimin e armëve, ku mbeti i vrarë vëllai i Ardian Nikulajt dhe një person tjetër.
Pas kësaj ngjarjeje nisën aktet e hakmarrjes mes palëve. Vetëm pak muaj më vonë u vranë Gëzim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja, ndërsa në vitin 1999 u vra Gjovalin Lekstakaj dhe u plagos rëndë Pjetër Lekstakaj. Disa prej këtyre ngjarjeve mbeten ende pa autorë të dënuar.
Që prej asaj kohe, konflikti ka vijuar të prodhojë viktima, duke u kthyer në një nga sagat më të gjata të hasmërisë në veri të vendit.
Njoftimi i plotë i policisë
" Rreth orës 09:55, jemi njoftuar se në fshatin Balldren i Vjetër, Lezhë, në një terren të hapur në orët e para të mëngjesit ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse, pa shkaktuar dëme në njerëz apo dëme materiale. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë kryer veprimet e para hetimore. Në lidhje me këtë ngjarje, është shoqëruar 1 shtetas i dyshuar dhe po kryhen veprime të mëtejshme për sqarimin e rrethanave. Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin ligjor të të dy ngjarjeve, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve."
Lajmi në përditësim
Komente



