Dhjetëra shezllonge dhe çadra të vendosura në mënyrë të paligjshme në vijën bregdetare të Shëngjinit janë sekuestruar gjatë një aksioni të ndërmarrë nga autoritetet vendore për lirimin e hapësirave publike. Operacioni u zhvillua nga Bashkia Lezhë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake dhe strukturat përgjegjëse, pas konstatimit të rasteve të zaptimit të plazheve publike nga subjekte private që ushtronin aktivitet pa lejet përkatëse. Gjatë kontrolleve u evidentuan shkelje në pesë subjekte, ndërsa u hoqën dhjetëra shezllonge dhe çadra të vendosura në kundërshtim me rregullat. Drejtori i Turizmit në Bashkinë Lezhë, Renaldo Xhanej, bëri të ditur se aksioni u ndërmor pas përfundimit të afateve për pajisjen me kontrata dhe leje, duke theksuar se synimi është garantimi i aksesit të lirë të pushuesve në hapësirat publike të plazhit.
“Duke qenë se sot përfundon edhe afati i kontratave që miratohen janë krijuar plan vendosjet dhe Bashkia ka dalë për të verifikuar hapësirat legjitime dhe kontratat. Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit po shikojmë ccdo hapësirë publike që t’i kthehet pushuesve që duan të pushojnë në Shëngjin. Garancia jonë është që t’i kthejmë qytetarëve hapësirat e miratuara në Këshill Bashkiak dhe të garantojmë një sezon turistik sa më cilësor. Sot liruam disa hapësira dhe vazhdon puna për lirimin e hapësirave të tjera” tha Renaldo Xhanej, Drejtor i Turizmit ne Bashkine Lezhe
Sipas Bashkisë Lezhë, kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit veror, ndërsa çdo zaptim i paligjshëm i hapësirave publike do të ndëshkohet në përputhje me ligjin.
Komente






