FIER- Policia e Fierit zhvilloi një natë më parë një operacion të befasishëm në Roskovec, ku arrestuan dy persona në flagrancë në dalje të fshatit Suk. Në pranga ranë babë e bir të identifikuar si Asqeri e Adiol Hada  banues në fshatin Suk, Roskovec.

Sipas hetimeve rezuton se 34-vjeçari shiste drogë dhe posedonte armë zjarri. Në automjetin e të riut efekivët gjetën rreth 1 kg lëndë narkotike kanabis sativa të ndarë në doza gati për shitje.

Ndërkohë nga kontrolli i banesës dhe i lokalit në pronësi të arrestuarve blutë sekuestruan,17.6 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa, 2 armë zjarri pistoletë, 2 armë zjarri automatike, 2 granata luftarake, 1110 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 2 aparate celularë dhe 1 motomjet, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Njoftimi i policisë:

Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas një pune hetimore 1-mujore, me mbështetjen e Forcave Operacionale dhe “Shqiponjat”, finalizoi operacionin policor të koduar “New Start 2”.

Si rezultat, u vu në pranga shtetasi A. H., 34 vjeç, banues në fshatin Suk, Roskovec.

Bazuar në informacionet e siguruara gjatë hetimit për 34-vjeçarin që shiste drogë dhe posedonte armë zjarri, shërbimet e Policisë, gjatë operacionit, kapën në dalje të fshatit Suk, Roskovec, shtetasin A. H., ku në automjetin e tij gjetën rreth 1 kg lëndë narkotike kanabis sativa, të ndarë në doza gati për shitje.

Në vijim të operacionit, nga kontrolli i banesës dhe i lokalit në pronësi të tij dhe babait të tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur 17.6 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa, e përpunuar dhe e ndarë në doza gati për shitje, 2 armë zjarri pistoletë, 2 armë zjarri automatike, 2 granata luftarake, 1110 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 2 aparate celularë dhe 1 motomjet, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi edhe i shtetasit A. H., 61 vjeç.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.