Partia Socialiste dega Fier feston sot 35-vjetorin e themelimit, në një aktivitet të zhvilluar në parkun arkeologjik të Apolonisë.
Me qindra socialistë, mes të cilëve personalitete të rëndësishme të kësaj force politike në qarkun e Fierit, por edhe kryeministri Edi Rama, marrin pjesë në këtë aktivitet, për të përkujtuar ditën e themelimit të PS në këtë degë.
Aktiviteti është shoqëruar me këngë patriotike popullore, por edhe me një historik të rrugëtimit të PS në këtë qark. Mbledhja e socialistëve për të festuar në Fier, vjen në të njëjtin moment që në Tiranë po protestohet kundër investimit në Zvërnec të Vlorës.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama preku edhe protestat që kundërshtojnë investimin në Zvërnec, duke thënë se ato janë të ndikuara nga forca të huaja.
Më tej kryeministri Rama tha se dikur Shqipëria ka qenë vendi ku bëhej turizëm gjuetie, për të vrarë ilegalisht me çifte kafshët dhe shpendët.
“Ajo që po ndodh sot me Shqipërinë dhe pse Shqipëria po përdoret kaq masivisht në vende dhe nga njerëz që nuk kanë dhimbje për flamingot e Zvërnecit, por se Shqipëria sot është në epiqendër të një sërë përplasjesh. Nuk po them që njerëzit që dalin atje janë agjent, spiunë apo të futur nga forca të errëta, por është një pjesë njerëzish atje që kanë rënë pre e gjithë këtyre gjërave. Shqipëria ka qenë vendi ku bëhej turizëm gjuetie. Njësoj si trafiqet, kishte një sistem të tërë për të sjellë turistë me çifte. Ishte turizmi i vrasjes ilegale të vrasjes së kafshëve e shpendëve në Shqipëri”, tha mes të tjerash Rama.
Në aktivitetin për 35-vjetorin e themelimit të PS në Fier, kryeministrit Edi Rama gjatë fjalës së tij i ka ndodhur një ‘incident’, pasi i ka ngecur mikrofoni.
Rama e kaloi me batutë këtë moment, duke ‘thumbuar’ edhe blogerët që mbështesin protestat kundër investimit në Zvërnec të Vlorës.
“Te unë e gjetët tani mos të punojë mikrofoni? Doni që të thonë blogerët që i iku goja Edi Ramës? Se blogerët në fakt kanë shumë gojë. Ok po e provoj me ktë tjetrin, sepse ishte moment solemn”, tha mes të tjerash Rama.
Teksa në Parkun Apolonia në Fier po zhvillohej aktiviteti për 35-vjetorin e themelimit të PS në këtë degë, kryeministri Edi Rama është kapur ‘mat’ duke i shpjeguar diçka në celular një fëmije.
Ende nuk dihet se çfarë kryeministri po i tregonte djalit të vogël, por duket se i mituri ka tërhequr vëmendjen e Ramës, për t’u shkëputur pak nga rutina politike.
Komente









