Duke u shprehur se “Shqipëria ka nevojë për të gjithë ne”, ministrja Kodheli i bën thirrje qytetarëve të bashkohen në aksionin për pastrimin e Shqipërisë ditën e shtunë.
Sipas ministres Kodheli, “synimi final është krijimi i një mjedisi sa më të pastër dhe mikpritës”.
LETRA E PLOTE E MINISTRES MIMI KODHELI
Letër e hapur
Të nderuar qytetarë,
përfaqësues të shoqatave dhe të shoqërisë civile që përfshini një gamë të gjerë të aktivitetit tuaj, që nga mbrojtja e mjedisit e deri tek mbrojtja e të drejtave të Fëmijëve dhe të Njeriut, përfaqësues të komunitetit të biznesit, përfaqësues të shkollave, grupimeve dhe organizatave të të rinjve shqiptarë.
Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, të Republikës së Shqipërisë, prej disa javësh, në vijim të vendimit të Komitetit Ndërministror dhe porosisë së Kryeministrit të Shqipërisë z.Edi Rama, ka ndërmarrë një aksion në shkallë të gjerë për pastrimin e gjithë territorit, me synimin final për të krijuar një mjedis sa më të pastër dhe mikpritës.
Në përpjekjet tona për zgjidhjen e kësaj situate emergjente të krijuar prej vitesh, kemi gjetur mirëkuptimin e strukturave të tjera shoqërore apo dhe pushtetit vendor, por fatkeqësisht në nivele që lënë për të dëshiruar.
Por që aksioni ynë të ketë rezultate akoma edhe më të mira, është e domosdoshme përfshirja e të gjithë komunitetit, shoqatave të biznesit, organizatave të ndryshme, nxënësve të shkollave dhe studentëve, që si një trup i vetëm të çlirojmë rrugët, bregdetin, mjedisin tonë nga plehrat që i kanë zënë frymën.
Duke qënë se Shqipëria është porta e Ballkanit, duke qënë se Shqipëria në qershor të këtij viti pret të marrë statusin e vendit kandidat për në BE për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane, duke qënë se jemi në prag të hapjes së sezonit turistik, në emër të jetës, në emër të fëmijëve tuaj, apelojmë për një gjithëpërfshirje të qytetarëve që kërkojnë një Shqipëri të pastër dhe atraktive, bashkohuni me ne, në aksionin për pastrimin e Shqipërisë ditën e shtunë.
Le të tregojmë dhe ne shqiptarët kulturë europiane, dashuri ndaj ambientit dhe gjithçkaje që na rrethon, dhe në radhë të parë dashuri për veten tonë dhe jetën e fëmijëve tanë.
Shqipëria është e jona, është vendi ku ne kemi jetuar me mijëra vjet, jetojmë me njerëzit tanë më të dashur dhe vendi në të cilin do të jetojmë ne dhe fëmijët tanë.
Që ta ruajmë atë sa më të pastër, bashkohuni me ne, me kauzën tonë që është kauzë e të gjithë shqiptarëve. Shqipëria ka nevojë për të gjithë ne!
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)