Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar ditën e sotme në Kuvend detaje nga akti i ri normativ për ndryshime në ligjin e Buxhatit të vitit 2025, i cili kërkon edhe votimin në Parlament. Malaj është shprehur se ky akt normativ adreson nevojën e mbështetjes së shtresave në nevojë, siç janë familjet me ndihmë ekonomike dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufizuar. Malaj tha nga foltorja e Kuvendit se çdo lek që nuk është shpenzuar nga institucionet gjatë vitit të kaluar, do të kalojë në llogarinë e pensioneve.
“Me këtë akt normativ siguruam mbështetjen e shtresave më në nevojë, siç janë familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, apo personat me aftësi të kufizuar, si dhe kujdestarët e tyre. Si dhe paralelisht me këtë, kemi garantuar edhe fondet e nevojshme për skemën e pensioneve. Përmes fondeve të dedikuara kemi synuar jo vetëm ruajtjen, por edhe rritjen graduale të mbështetjes sociale, duke iu përgjigjur nevojave reale të qytetarëve shqiptarë. Për vitin 2025, mbështetja buxhetore për familjet që kanë përfituar ndihmë ekonomike, si dhe për personat me aftësi të kufizuar, arrin në vlerën 25.6 miliardë lekë apo 256 milionë euro, përfshirë këtu dhe fondin për bonusin e fundvitit. Ndërsa për kategorinë e pensionistëve, që përfshin bonusin plus indeksimin, fondi buxhetor u llogarit në rreth 120 milionë euro.
Në kuadër ekonomik që kërkon kujdes dhe balancë në vendimmarrje, ne kemi zgjedhur që të mbështesim ato shtesa të cilat kanë më shumë nevojë. Ndaj edhe nëpërmjet këtij akti normativ, ne synojmë transferimin e të gjitha fondeve të buxhetit 2025, të cilat nuk janë përdorur nga ministritë apo institucionet buxhetore, të transferohen në llogarinë e mbështetjes së pensionistëve pranë Bankës së Shqipërisë. Këto fonde do të përdoren me vendim të Këshillit të Ministrave. Gjithashtu, nëpërmjet aktit normativ, ne synojmë mbështetjen e shtresave të nevojë, por nga ana tjetër edhe ririalokimin e kursimeve të evidentuara gjatë periudhës janar-nëntor 2025 drejt programeve apo projekteve të cilat kanë pasur një ecuri më të mirë. Paralelisht, me këtë akt normativ, kemi bërë dhe një shpërndarje të brendshme të fondeve me efekt neutral në deficitin buxhetor, në funksion të rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të zbatimit të projekteve.
Ne parashikojmë që viti 2025 të mbyllë me një rritje ekonomike prej 3.9%. Sa i takon borxhit publik, sipas vlerësimeve paraprake që Ministria Financave ka kryer, ai pritet të jetë nën masën 54% të prodhimit të brendshëm bruto në fund të vitit 2025 dhe ky është niveli më i ulët i borxhit publik që kemi pasur që nga viti 2010. Në zërin e shpenzimeve korrekte, ndër alokimet kryesore mund të veçohen. buxheti financiar për disa kategorive në nevojë, në masën 15 mijw lekë, ku kanë qenë rreth 148,500 përfitues që vijnë nga familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar, si dhe kujdestarët e tyre me një efekt financiar për buxhetin e shtetit në masën 2.23 miliardë lekë. Bonusi për familjet me mendje ekonomike deri ditën e premte, ka patur një realizim në masën 98.4%, ndërsa për personat me aftësi të kufizuar realizimi i këtij buxheti ka qenë në masën 99.5%.
Nga një vlerësim paraprak që kemi bërë si Ministri e Financave, shuma që minimalisht dhe në vizionin minimalist do të kalojë në këtë llogari është rreth 150 milionë euro. Përmes këtij mekanizmi krijojmë hapësirat e nevojshme për mbështetjen e kësaj kategorie, por nga ana tjetër pa rrezikuar edhe ekuilibrat fiskal”, tha mes të tjerash Malaj.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Kuvend/ Akti normativ për buxhetin 2025, Malaj: Çdo lekë i pashpenzuar nga institucionet do të kalojë në llogarinë e pensioneve! 4 pr.ligje hiqen nga rendi i ditës









