Kreu i PD-së, Sali Berisha, kërkoi në Kuvend anulimin e aktit normativ për tubimet, duke e cilësuar antidemokratik dhe në shkelje të së drejtës për të protestuar. Ai akuzoi policinë për dhunë ndaj protestuesve dhe tha se, nga 600 ndalime, gjykatat i kishin shpallur të paligjshme të gjitha me përjashtim të katër rasteve.
“Akte antidemokratike që dhunojnë themelet e shtetit ligjor dhe të drejtat themelore të qytetarëve, të garantuara nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të nënshkruar nga Shqipëria që në vitin 1995. Me asnjë akt, asnjë vendim apo votim, ju nuk mund t’ua mohoni qytetarëve të drejtën për të protestuar. Ky veprim që ndërmerrni, pas qëndrimeve shtazarake ndaj protestuesve paqësorë, u tregon shqiptarëve se asnjëri prej tyre që ka marrë plumba në ballë, në gojë apo pas veshit, që është goditur me breshëri plumbash në trup apo që i janë thyer kockat dhe gjymtyrët, nuk ka qenë i përfshirë në asnjë akt dhune.
Unë informoj qytetarët shqiptarë se, nga 600 personat e ndaluar, gjykatat i kanë shpallur të gjitha ndalimet të paligjshme, me përjashtim të vetëm katër rasteve, edhe këto, sipas pretendimeve të mia, pas ndërhyrjeve të fuqishme politike. Gjykatat kanë konstatuar paligjshmërinë e ndalimeve. Do të hysh në histori. Anuloje!”, tha Berisha.
Lajmi kryesor:
Nis Kuvendi/ Sot në seancë votohet ‘Buxheti 2027’ dhe ‘Paketa Fiskale’, opozita 40 amendamente! Në rend dite edhe ndryshimet në ligjin për tubimet dhe gjobat ndaj protestuesve





