Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. 85-VJETORI I FERDINAND DEDËS, KONCERT NGA ORKESTRA E RTSH-SË

Orkestra Simfonike e RTSH-së sjell një mbrëmje të veçantë muzikore në nder të 85-vjetorit të lindjes së kompozitorit dhe dirigjentit Ferdinand Deda. Mbrëmja, e titulluar “Meditim”, do të zhvillohet në sallën “Ferdinand Deda” të RTSH-së, nesër në orën 19:00, nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja, me soliste Merita Rexha Tërshana në piano.

2. 90-VJETORI I BESIM ZEKTHIT, KONCERT NË AKADEMINË E ARTEVE

 “Legjenda e Valles Shqiptare, Besim Zekthi – Nderi Kombit” është koncerti në Akademinë e Arteve, nesër në orën 18:00 në nder të 90-vjetorit të lindjes së Besim Zekthit. Koncerti zhvillohet në kuadër të aktiviteteve për 100-vjetorin e Gjimnazit “Qemal Stafa”, për të dëshmuar vazhdimësinë e trashëgimisë brez pas brezi.

3. I KËNDUARI I GRAVE TË ZADRIMËS, DOKUFILM NGA ROBERT BISHA

“Nuse” është filmi dokumentar nga Robert Bisha, nesër në orën 18:00 në kinema “Agimi” në Tiranë. Bisha eksploron të kënduarin e grave të Zadrimës. Muzika origjinale është kompozuar nga vetë autori. Pas filmit do të ketë edhe një performancë në skenë nga Bisha dhe gratë e Zadrimës.

4. “GARDISHTA, TEMPUS CAPTUM”, PUNA ARTISTIKE TE “VALENTINI”

Një punë artistike e dokumentare, ku imazhi, zëri, fotografia dhe tingulli kapin të sotmen e një vendi që ruan ende lidhje të forta me të shkuarën si kamp internimi. “Gardishta, Tempus Captum”, do të vijojë të prezantohet te librari “Valentini” në Tiranë edhe sot dhe nesër në orën 18:00.

5. “PLEN AIR 11”, EKSPOZITA E 15 PIKTORËVE NË GALERI NË SHKODËR

“Plen Air 11” është ekspozita me mbi 50 vepra në pikturë të 15 artistëve, që do të çelet në Galerinë e Arteve në Shkodër, nesër në orën 18:00.

6. “SI TA DONI”, SHFAQJA ME REGJI TË JOHN BLONDELL, KTHIM NË TK

“Si ta doni” është shfaqja e William Shakespeare me regjisor John Blondell, që rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar nesër në orën 20:00, dhe disa netë të tjera në vijim.

7. “MBAJTA VETËM NJË KUJTIM”, PERFORMANCË ARTISTIKE TE “ÇEHOV”

“Mbajta vetëm një kujtim” është performanca artistike bashkëkohore, që do të vijë për publikun në sallën “Çehov” të teatrit “Metropol” në Tiranë, sot në orën 18:00. Katër balerinë dhe një aktor eksplorojnë mbi atë që mbetet kur gjithçka tjetër shpërbëhet, duke përdorur lëvizjen, heshtjen dhe rrëfimin poetik për të reflektuar mbi kujtesën, humbjen dhe thelbin e të qenit njeri.