1.“ALBANIAN BRASS FESTIVAL – ECO BRASS” NË TIRANA MOONS
Tingujt e instrumenteve të tunxhit bashkohen me efektet elektronike, duke sjellë një atmosferë moderne dhe krejt ndryshe për publikun shqiptar në “Albanian Brass Festival”, që do të mbahet mbrëmjen e nesërme, më 31 maj, në orën 19:30 te “Tirana Moons” në sheshin “Nënë Tereza”.
2. “NË BOTËN E ILUSTRIMEVE”, EKSPOZITË NGA AGIM FAJA NË DURRËS
Në prag të 1 Qershorit, në galerinë “Nikolet Vasia” në Durrës, nesër në orën 18:30 do të çelet ekspozita “Në botën e ilustrimeve” nga Agim Faja, artisti që ka ilustruar shumë libra shkollorë dhe artistikë ndër vite.
3. FESTIVALI “NETËT KORÇARE TË POEZISË” NË EDICIONIN E 30-TË
Më 30 e 31 maj, Korça mirëpret edicionin e 30-të të Festivalit Ndërkombëtar të Poetëve dhe Autorëve “Netët Korçare të Poezisë”, dy ditë dhe dy netë të mbushura me poezi, muzikë, art dhe takime letrare me autorë e poetë nga vende të ndryshme të botës.
4.PARODISTËT E VLORËS, PJESË E “NJË KURORË PËR DY TRADITA”
Nëse doni të qeshni, të këndoni e të shijoni një natë plot traditë e humor, atëherë mund të ndiqni “Një kurorë për dy tradita” në teatrin “Petro Marko” në Vlorë, mbrëmjen e sotme në orën 19:00, me pjesëmarrjen e veçantë të Parodistëve të Vlorës.
5. “VJOSA IME”, EDICIONI I KATËRT I FESTIVALIT NË MEMALIAJ
Festivali “Vjosa Ime” rikthehet ndryshe këtë vit. Edicioni i katërt i festivalit do të zhvillohet në Memaliaj sot në orën 18:00, me një kalendar aktivitetesh të larmishme ku do të marrin pjesë: Fanfara Tirana, artistët e Cirkut Kombëtar, kolonia e artistëve “Plein Air”, do të ketë panair artizanalë të zonës etj.
6. “MACJA QË BËN PAPUÇE”, PREMIERË ABSOLUTE PËR FËMIJËT
“Macja që bën papuçe” është shfaqja për fëmijë, që do të vijë premierë edhe nesër, më 31 maj, në oraret 10:30 dhe 11:30 te Teatri i Kukullave në Tiranë.
Komente











