“Arrëthyesi”, baleti emblematik i Krishtlindjes, me muzikën e pa përsëritshme të Tchaikovsky-t që sjell festën, magjinë, atmosferën e ngrohtë në dhjetorin e ftohtë, si dhe përrallën me fund të lumtur, vjen në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit me një produksion të ri. Një nga mbrëmjet kushtuar këtij baleti është më 26 dhjetor në orën 19:00.
“Lezetet e mëkatit bashkëshortor” është shfaqja teatrore që do të vijë për publikun mbrëmjen e 26 dhjetorit në orën 19:00 në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental në Tiranë. Me autor Valentin Krosnogorov shfaqja vjen me regjinë e Milto Kutalit.
“Nuk do të gënjejmë më kurrë” është shfaqja teatrore me Ema Andrean dhe Artan Imami që do të vijë mbrëmjen e 26 dhe 27 dhjetorit në orën 20:00 në Teatrin Kombëtar.
“Imagine Youth – The Atelier of desires” është mbrëmja poetike që do të mbahet te Qendra e Artit Bashkëkohor “Zeta” në Tiranë më 26 dhjetor në orën 18:30. “Imagine Youth” ka shndërruar prej disa javësh hapësirat e Qendrës ZETA në një studio arti, ku protagoniste ishin disa vajza të reja që ndeshën për herë të parë me një kanavacë dhe kavalet. Këto vajza po e kalojnë rininë e tyre duke punuar çdo ditë në fabrika të ndryshme që prodhojnë mallra (kryesisht për industrinë e modës) për disa nga korporatat më të njohura në botën perëndimore.