1.FEST FOLK 2026/ ANSAMBLI KOMBËTAR NË TURNE NË GJITHË VENDIN
“Fest Folk 2026” organizuar nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore e kthen muajin gusht në një festë të folklorit shqiptar, duke filluar nga 8 gushti me Sarandën. Turneu do të vijojë deri në 24 gusht edhe në Laç, Durrës, Gjirokastër, Vlorë, Vajzë, Berat dhe Fier, duke sjellë për publikun pasurinë e këngëve, valleve dhe traditave shqiptare. Aktiviteti synon të bashkojë brezat dhe të promovojë trashëgiminë kulturore në sheshet e qyteteve.
2. “MOKRA N’FEST 2026”, FESTA E TRADITËS NË GOLIK
Më 8 gusht, pranë Urës së Gurit në Golik, zhvillohet “Mokra N’Fest 2026”. Festivali do të sjellë muzikë popullore, valle tradicionale, gatime karakteristike dhe aktivitete kulturore në një nga zonat më piktoreske të vendit. Aktiviteti nis në orën 10:00 dhe synon të promovojë kulturën dhe traditat mokrare.
3.“KAVAJA SUMMER NIGHT” DHE “KARPEN FEST”, VERA NË KAVAJË
Sonte, më 7 gusht, Pedonalja e Re e Kavajës do të presë “Kavaja Summer Night”, me artistë të njohur, si: Luiz Ejlli, Ledri Vula, Kida dhe emra të tjerë të muzikës shqiptare. Ndërkohë, më 7 dhe 8 gusht, në Karpen Beach zhvillohet edicioni i parë i "Karpen Fest", festivali i plazhit që do të ofrojë muzikë live dhe aktivitete përgjatë mbrëmjes.
4.“FESTA E MIQËSISË 2026”, MUZIKË LIVE DHE FESTIME NË LUSHNJË
Nga 7 deri më 9 gusht, Sheshi i Qytetarëve në Lushnjë do të mirëpresë “Festën e Miqësisë 2026”. Programi përfshin koncerte me muzikë live dhe aktivitete festive, duke e kthyer qytetin në një pikëtakim për vizitorët dhe banorët.
5.“DUA FEST 2026”, DY NET MUZIKË POSHTË KALASË ROZAFA
Më 7 dhe 8 gusht, Shkodra do të mirëpresë “Dua Fest 2026”. Nën hijen e Kalasë së Rozafës, artistët më të njohur shqiptarë do të ngjiten në skenë për dy net me koncerte, energji dhe afterparty, duke e kthyer qytetin në një nga destinacionet kryesore të fundjavës.
6. “OPEN CINEMA”, FILMA NËN QIELLIN E HAPUR NË GJIROKASTËR
Nga 6 deri më 10 gusht, Sheshi “Çerçiz Topulli” në Gjirokastër vjen i shndërruar në kinema të hapur. Çdo mbrëmje, duke nisur nga ora 20:30, publiku do të ketë mundësi të ndjekë filma në një atmosferë verore, të përshtatshme për familje dhe grupe miqsh.
7.“PORTO PALERMO FESTIVAL”, VIJON EDICIONI I GJASHTË
Porto Palermo Festival vazhdon me edicionin e tij të gjashtë. Mbrëmjen e sotme në skenë do të interpretojë këngëtarja Eranda Libohova, ndërsa nesër publiku do të shijojë performancën e Anxhela Peristerit.
8.“FESTA E MËRGIMTARIT”, DY DITË AKTIVITETE NË FUSHË-ARRËZ
Më 8 dhe 9 gusht zhvillohet “Festa e Mërgimtarit” në Fushë-Arrëz. Programi përfshin aktivitete kulturore, koncerte, sport dhe Maratonën Ndërkombëtare “Migrant Trail”, duke mirëpritur bashkatdhetarët që kthehen gjatë verës.
9. FESTIVALI “NONA”, FESTA KOMBËTARE E GJYSHEVE NË PËRMET
Sonte në Përmet nis festivali “Nona”, i njohur si festa kombëtare e gjysheve shqiptare. Nata e parë do të ketë të ftuar speciale shkrimtaren dhe poeten Mimoza Ahmeti, e cila pritet të sjellë edhe një surprizë artistike për publikun. Festivali promovon figurën e gjyshes, traditën dhe vlerat familjare përmes aktiviteteve kulturore dhe artistike.
10. FILMAT SHQIPTARË RIKTHEHEN NË EKRAN TE QENDRA “AGIMI”
“Filmat shqiptarë ndër vite” është aktiviteti që do të vijojë deri më 20 gusht në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë. Publiku mund të ndjekë filma që kanë lënë gjurmë në historinë e kinematografisë me shfaqje paradite dhe në mbrëmje.












Komente
Komento