Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I MUZIKËS SË DHOMËS NË DURRËS

Nga 30 qershori deri më 12 korrik zhvillohet edicioni i 21-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës në Durrës. Festivali sjell artistë shqiptarë dhe të huaj në një seri koncertesh kushtuar repertorit të muzikës klasike, duke e kthyer qytetin bregdetar në një nga qendrat kryesore të kulturës gjatë sezonit veror.

ART E KAUZË SOCIALE/ “KUDO BASHKË" NË TEATRIN “MIGJENI”

Më 11 korrik, në orën 18:30, në teatrin “Migjeni” do të mbahet mbrëmja artistike “Kudo Bashkë”, një aktivitet që bën bashkë artin me ndërgjegjësimin social. Në skenë do të performojnë fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara, duke përcjellë mesazhe për gjithë përfshirjen, barazinë dhe fuqinë e talentit përtej çdo kufizimi.

“FESTA E LIQENIT”, PROMOVIM I NATYRËS, TRADITËS E TURIZMIT

Më 10 korrik, Zogaj pranë Liqenit të Shkodrës organizon “Festën e Liqenit”, një aktivitet që promovon natyrën, traditën dhe turizmin lokal. Vizitorët do të kenë mundësi të marrin pjesë në shëtitje me varkë, Paddle Board, ture me biçikleta, degustime të produkteve tradicionale, ekspozita artizanale, demonstrime të peshkimit dhe një mbrëmje muzikore buzë liqenit, në peizazhin e mbrojtur nga UNESCO.

FESTIVALI I FILMAVE TË KRIJUAR ME INTELIGJENCË ARTIFICIALE

Nga 7 deri më 11 korrik në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë zhvillohet edicioni i parë i AI Film Festival Tirana, një festival ndërkombëtar kushtuar filmave të krijuar me inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e reja. Aktiviteti sjell produksione e autorë nga vende të ndryshme.

 “BESËLIDHJET E POÇEMIT”, TRADITA E HISTORIA NË MALLAKASTËR

Më 11 dhe 12 korrik, Poçemi organizon aktivitetin patriotik dhe kulturor "Besëlidhjet e Poçemit", kushtuar historisë, traditës dhe identitetit të Mallakastrës. Programi përfshin panair të produkteve lokale, ekspozitë të Forcave të Armatosura, koncert nga Orkestra Simfonike e Ministrisë së Mbrojtjes, grupe polifonike, kinema të hapur me filma patriotikë, kënde edukative për fëmijë dhe aktivitete të tjera për të gjithë familjen. Për pjesëmarrësit do të ofrohet edhe transport falas nga Ballshi drejt Poçemit.

 “KËTË HERË NUK NDEZA NJË QIRI”, EKSPOZITA E RENID TOSUNIT

Në galerinë “Bazament Art Space” në Tiranë vijon ekspozita personale “Këtë herë nuk ndeza një qiri” (This time I didn't light a candle) e artistit Renid Tosuni. E hapur më 2 korrik deri më 13 gusht, ekspozita sjell një seri punësh bashkëkohore, me tekst kuratorial nga Arnold Braho dhe fotografi nga Nina Shuli.