Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“WAVE FEST” ME GHETTO GEASY, MAJK, DJ GIMBO & DJ FANATEK
Më 12 gusht në orën 20:30, në kinema “Republika” në Shkodër, zhvillohet “Wave Fest”, një mbrëmje muzikore që do të sjellë në skenë Ghetto Geasy, Majk, DJ Gimbo dhe DJ Fanatek.
2. “SHKODRA JAZZ FESTIVAL”, 20 MBRËMJE ME ART DHE MUZIKË
Edicioni i 17-të i “Shkodra Jazz Festival” vijon deri më 30 gusht në qytetin e Shkodrës. Festivali sjell 20 mbrëmje me koncerte, artistë nga Shqipëria dhe rajoni, si dhe një program të pasur me masterclasse dhe akademi muzikore. Në kuadër të festivalit zhvillohet edhe edicioni i 10-të i “Rrok Academy”, hapësirë dedikuar të rinjve dhe pasionantëve të muzikës, me programe në jazz, fizarmonikë dhe degë klasike.
3. “PERSEIDËT 2026”, NETË ASTRONOMIKE DHE TURIZËM NË GRAMSH
Nga sonte deri më 13 gusht, në Gramsh zhvillohet aktiviteti i dedikuar shiut meteorik të Perseidëve, një prej fenomeneve më të bukura astronomike të vitit. Gjatë këtyre netëve, vizitorët do të kenë mundësi të vëzhgojnë qiellin dhe meteorët në një mjedis natyror, në kushte të përshtatshme për vrojtimin astronomik.
4. FESTA “TAKIM BREZASH” NË DIVJAKË, MUZIKË LIVE DHE ARGËTIM
Më 12 gusht, në Çermë Sektor në Divjakë, zhvillohet festa “Takim Brezash”, një mbrëmje që do të bashkojë muzikën, vallet dhe atmosferën festive. I ftuari special i mbrëmjes është këngëtari Sokol Fejza. Aktiviteti nis në orën 21:00 dhe do të vijë live për publikun.
5. “FESTA E MIQËSISË”, PESË NET ME MUZIKË DHE EMOCIONE NË FIER
Nga 12 deri më 16 gusht, në Sheshin Qendror të Fierit zhvillohet “Festa e Miqësisë”. Për pesë net me radhë, qyteti do të gjallërohet me muzikë, miq, emocione dhe atmosferë festive, duke ftuar banorët dhe vizitorët të bëhen pjesë e këtij aktiviteti veror.
6. NË PRITJE TË “LIN FESTIVAL 2026”, EVENT PROMOVUES NË TIRANË
Më 12 gusht, në orën 20:00, në Sallën Franceze pranë Bibliotekës “Sotir Kolea” në Tiranë, zhvillohet eventi promovues “Në pritje të Lin Festival- Edicioni 4”. Aktiviteti do të përfshijë diskutime, ku do të trajtohen prioritetet dhe motoja e festivalit për promovimin e kulturës dhe identitetit kombëtar brenda dhe jashtë vendit. Në fokus do të jetë edhe roli dhe kontributi i artistëve dhe festivaleve që zhvillohen në lokacione prehistorike, si Lini.
7. “FEST FOLK 2026”/ ANSAMBLI KOMBËTAR, TURNE NË GJITHË VENDIN
“Fest Folk 2026”, organizuar nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, vijon turneun në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Pas ndalesave të para, turneu do të vijojë në Laç dhe Durrës, për të vazhduar deri më 24 gusht edhe në Gjirokastër, Vlorë, Vajzë, Berat dhe Fier.












Komente
Komento