Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“KËNGËT NË QIELLIN E LIRISË DHE TË DASHURISË” NË KORÇË

“Këngët në qiellin e lirisë dhe të dashurisë” është koncerti me materiale muzikore nga fondi i artë i muzikës korçare dhe shqiptare, që do të vijë në skenën e teatrit “A. Z. Çajupi” në Korçë nesër, më 4 janar, në orën 18:00. Këngët janë punuar në forma korale dhe solistike dhe vijnë nën drejtimin artistik të Josif Mingës.

2. EKSPOZITA “XXXVI” E BLEDAR GRAMOS TE GALERIA “GOCAT”

Ekspozita “XXXVI” nga Bledar Gramo vijon të qëndrojë e çelur në galerinë “Gocat” te Piramida në Tiranë në këto ditë të para të fillimvitit.

3. VIJOJNË SHFAQJET E “PITER PAN...”-IT NGA ARTISTËT E CIRKUT

Shfaqja e Cirkut Kombëtar “Piter Pan dhe aventurat në ishullin e Kurkundit” do të vijojë të shfaqet për publikun edhe më 5 janar në orën 11:00 në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës në Tiranë.

4. “RRUGËT”, EKSPOZITA NË QENDRËN COD PRANË KRYEMINISTRISË

“Rrugët” është ekspozita që vijon të qëndrojë e çelur në Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë.

5. “PËSHPËRIMA NËN MARSHIMIN E PAMËSHIRSHËM” NGA BLERTA HOÇIA

“Pëshpërima nën Marshimin e Pamëshirshëm” është ekspozita e artistes Blerta Hoçia e kuruar nga Elian Stefa, që vijon të qëndrojë e çelur në “Bazament Art Space” në Tiranë.

6. “QOFTË E SHËNDETSHME DORA QË KRIJON” NË GALERINË E TIRANËS

Ekspozita “Qoftë e shëndetshme dora që krijon”, me tapete, sixhade dhe qilima të krijuar nga pesë artistë azerbajxhanas dhe një shqiptar vijon të qëndrojë e hapur në Galerinë e Tiranës- GAT.

7. “IMPRESIONE URBANE” NGA NJË GRUP ARKITEKTËSH NË DURRËS

Ekspozita “Impresione urbane” nga arkitektët Maksim Mitrojorgji,  Valentin Voshtina, Pirro Stefa dhe Olsi Plasa vijon të qëndrojë e çelur te galeria “Nikolet Vasia” në Durrës edhe gjatë këtyre ditëve të janarit.