Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. Mbrëmjen e të premtes më 24 janar, në orën 19:00 te librari “Valentini” në Tiranë prezantohet kolana “Bulëzat” nga Lek M.Gjeloshi. Ky është edicioni i tretë i kësaj kolane, që përcjell shkrime të Gëzim Qendros, Elsa Demos, Edi Mukës, Ardian Vehbiut, Zef Pacit, Erëmirë Krasniqit, Ester Celamit dhe Sezgin Boynik.
2. “Lezetet e mëkatit bashkëshortor” është shfaqja që do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë mbrëmjen e 24 janarit, por edhe në 25 dhe 26 janar në orën 19:00. Vepra me autor Valentin Krosnogorov vjen nën regjinë e Milto Kutalit dhe me interpretimin e aktorëve Rafael Hoxhaj dhe Ilirda Bejleri.
3. Filmi “Pasaporta” shfaqet mbrëmjen e 24 janarit, në orën 19:00 te Kinema “Rozafa” në Elbasan.
4. Shfaqja “Iluzione Bashkëshortore” ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar mbrëmjen e kësaj të enjteje, të premten, të shtunën dhe të dielën (23, 24, 25 dhe 26 janar) në orën 20:00. Komedia nga Eric Assous vjen nën drejtimin e Artan Imamit dhe me interpretimin e aktorëve Indrit Çobani, Andia Xhunga dhe Donald Shehu.