Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.KONCERTET E KRISHTLINDJES NË SHESHIN “SKËNDERBEJ” NË TIRANË

Dy koncerte për të festuar natën e Krishtlindjes do të vijnë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë sonte. Në orën 18:00 do të mbahet koncerti simfonik “Tinguj e fjalë”, ndërsa në orën 19:00, do të interpretojnë disa nga këngëtarët më të mirë në vend.

2. VIJOJNË SHFAQJET E BALETIT “ARRËTHYESI” NË SKENËN E TKOB-IT

Baleti “Arrëthyesi” vijon të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, aty ku magjia e fundvitit merr jetë përmes notave të Tchaikovsky-t dhe botës plot ëndrra të Clarës. Ai do të vijë edhe sonte dhe nesër në orën 19:00.

3. “SHKODRA N’FESTË”, KONCERTE ME KËNGËTARË TË NJOHUR NË SHESH

“Shkodra n’festë” do të sjellë në sheshin e qytetit mbrëmjen e sotme koncert nga Josif Gjipali dhe Kastriot Tusha.

4. “LIGHTWAVES” NËN HIJEN E MANGALEMIT NË QYTETIN E BERATIT

Shfaqja që kthen dritën në art dhe lagjen muzeale të Beratit në skenë, vjen për të katërtin vit radhazi, duke mbajtur gjallë traditën e një spektakli që ndriçon festat e fundvitit. “Mangalem’s Shades” rikthehet më 24 dhe 25 dhjetor, këtë herë nën titullin “Lightwaves”.

5. KOMEDIA “KLANI I TË DIVORCUARAVE”, RIKTHEHEN SHFAQJET

Komedia “Klani i të divorcuarave” është rikthyer me katër shfaqje në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës në Tiranë. Ajo do të vijojë të shfaqet edhe sonte dhe nesër në orën 20:00.

6. KONCERT DHE MBRËMJE FESTIVE NË SHESHIN QENDROR TË DIVJAKËS

Mbrëmjen e sotme në orën 18:00 mund të bëheni pjesë e festës, që do të mbahet në sheshin e qytetit të Divjakës, së bashku me këngëtaren Valbona Halili.