Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“PITER PANI...”, PREMIERA E CIRKUT KOMBËTAR NË TIRANË

“Piter Pan – Dhe Aventurat në Ishullin e Kurkundit” është premiera e re e Cirkut Kombëtar, që do të vijë prej ditës së nesërme në orën 11:00 deri më 30 dhjetor në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës në Tiranë.

2. “T’ERDHA NË LAGJE”, AKTIVITETE ARTISTIKE E MUZIKË NË TIRANË

Muzikë live, festival dritash, murale, dj, etj. , do të jenë pjesë e aktivitetit “T’erdha në lagje”, që do të mbahet te Lagjia e Artistëve, rruga “Hiqmet Delvina” në Tiranë, nga 26-31 dhjetor.

3. VIJOJNË SHFAQJET E BALETIT “ARRËTHYESI” NË SKENËN E TKOB-IT

Baleti “Arrëthyesi” vijon të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, aty ku magjia e fundvitit merr jetë përmes notave të Tchaikovsky-t dhe botës plot ëndrra të Clarës. Ai do të vijë sonte dhe nesër në orën 19:00.

4. “SHKODRA N’FESTË”, KONCERTE ME KËNGËTARË TË NJOHUR NË SHESH

“Shkodra n’festë” vijon me një sërë aktivitetesh. Nesër në mbrëmje, në sheshin e qytetit do të mbahet koncert nga Arilena Ara.

5. “FIER’ S JINGLING”, KONCERT I KËNGËTARES AURELA GAÇE NË FIER

Mbrëmjen e nesërme në sheshin e qytetit të Fierit do të vijë “Fier’s Jingling”, një koncert nën interpretimin e këngëtares Aurela Gaçe.

6. KOMEDIA E ZEZË “METODA GRONHOLM”, PREMIERË TE “PETRO MARKO”

“Metoda Gronholm” me regji nga Viktor Zhusti e Dritan Boriçi do të ngjitet mbrëmjen e nesërme në orën 19:00 në skenën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë.

7. “SHITËSJA E VOGËL E SHKREPËSEVE”,  MUSICALI NË DURRËS

“Shitësja e vogël e shkrepëseve” është musical-i, që do të vijë në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Durrës nesër në kuadër të aktiviteteve festive të fundvitit.

8. “FESTON KORÇA”, KONCERTE E ARGËTIM NË QYTETIN JUGLINDOR

Një koncert nga Kori Acapella “Aria e Korçës” do të vijë sonte në orën 19:00 në Korçë, ndërsa nesër në orën 18:00 do të ketë një koncert nga Kori i të Rinjve “Zë”.

9. AKTIVITETET NË GJIROKASTËR, KONCERT ME MARSELA ÇIBUKAJ

Nëse ndodheni në Gjirokastër, mbrëmjen e nesërme, më 26 dhjetor, mund të bëheni pjesë e një mbrëmjeje muzikore me Marsela Çibukajn në Sheshin “Çerçiz Topulli”.