1.STINËT E MUZIKËS, KONCERT ME “3 MUSKETJERËT” NË DURRËS
Në kuadër të aktivitetit "Stinët e Muzikës", nesër, më 22 korrik, në orën 20:00, në sheshin "Veliera", në Bulevardin "Epidamn" të Durrësit, “3 Musketjerët” do të vijnë me një koncert. Mbrëmja pritet të sjellë një atmosferë festive me interpretime muzikore për publikun buzë detit.
2.PREMIERA BOTËRORE E OPERËS “ROZAFA” NË SKENËN E TKOB-IT
Legjenda shqiptare e Rozafës ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në një premierë botërore, nesër në orën 20:00. Me muzikë nga Ndoc Pistulli, libret të Zef Zorbës dhe orkestracion nga Gridi Kraja, opera ndërthur mitin dhe historinë shqiptare me fuqinë e muzikës skenike. Vepra vjen nën drejtimin muzikor të Gridi Krajës dhe me regji e skenografi nga Andis Gjoni. Në skenë do të interpretojnë solistët Nina Muho, Denis Skura, Armando Likaj, Solen Alla dhe Bledar Domi, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOBAP-së, në një shfaqje që rikthen në jetë një nga legjendat më të dashura të trashëgimisë kulturore shqiptare.
3.ZUCCHERO, KONCERT NË PALLATIN E KONGRESEVE NË TIRANË
Legjenda italiane e blues, rock dhe soul, Zucchero, ngjitet në skenën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë mbrëmjen e sotme, në orën 21:00. I njohur për hitet e tij të shumta dhe bashkëpunimet me artistë të njohur ndërkombëtarë, këngëtari italian do t'i ofrojë publikut shqiptar një koncert me muzikë live dhe performanca plot emocion, në një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore të kësaj vere.
4. DURRËS/“PASION PËR PIKTURËN”, EKSPOZITË TE “NIKOLET VASIA”
Në Galerinë e Arteve “Nikolet Vasia” në Durrës vijon të qëndrojë e çelur ekspozita “Pasion për Pikturën”, kushtuar artit pamor e krijimtarisë bashkëkohore. Ekspozita sjell punimet e Kastriot Gjinplakut dhe artistëve të tjerë pjesëmarrës, duke ftuar publikun të shijojë një mbrëmje me ngjyra, frymëzim e art.
Komente











