1.TRI NETË ‘KLASIKE’ ME “MIK FESTIVAL” NGA INVA MULA NË KORÇË

Korça mirëpret një tjetër edicion të MIK Festival, duke filluar prej mbrëmjes së sotme, nesër dhe më 11 korrik. Festivali ndërkombëtar i muzikës i themeluar nga sopranoja me famë botërore Inva Mula do të sjellë për tre net me radhë, artistë shqiptarë dhe të huaj me koncerte të muzikës klasike, operës dhe zhanreve bashkëkohore. Përveç programit muzikor, festivali promovon edhe trashëgiminë kulturore, natyrën dhe turizmin e Korçës.

2. PREMIERA E FILMAVE TË ANIMUAR “GJËMON” DHE “LIBRAT E DRITËS”

Dy filma të rinj të animuar, “Gjëmon” dhe “Librat e Dritës” do të shfaqen premierë nesër prej orës 17:00 në “Europe House” në Tiranë, në kuadër të programit "Heritage is our Brand", të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga DMO Albania dhe EU Policy Hub. Të dy projektet synojnë të sjellin më pranë publikut trashëgiminë kulturore shqiptare përmes gjuhës moderne të animacionit.

“Gjëmon”, me regji të Mauro Zaçes, risjell ritualin tradicional të Gjamës së Burrave përmes një qasjeje artistike bashkëkohore, ndërsa “Librat e Dritës” me regji nga Andamion Murataj rrëfen historinë e shpëtimit të Kodikëve të Beratit dhe sakrificën për ruajtjen e tyre. Premiera do të shoqërohet me prezantime nga autorët, diskutime me historianin Andi Pinari dhe reflektime nga publiku.

3. “GJON MILI – JAZZ & BLUES FESTIVAL”, EMOCIONE NË TIRANË

Muzika jazz dhe blues do të jetë kryefjala e mbrëmjes së sotme në Teatrin “Mirush Kabashi” pranë Liqenit Artificial të Tiranës, me edicionin e pestë të “Gjon Mili – Jazz & Blues Festival”. Në skenë do të ngjiten Yvonne Moriel, Gent Rushi e Besian Herri, Gert Kapo Quartet, Pierpaolo Petta dhe Andi Kongo, të cilët premtojnë një mbrëmje plot ritëm, improvizim dhe emocione për adhuruesit e muzikës live.

4. FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I AKUARELIT NË LIN TË POGRADECIT

Pogradeci vijon të jetë mikpritës i edicionit të dytë të Festivalit dhe Ekspozitës Ndërkombëtare të Akuarelit “Lin in Aqua 2” deri më 12 korrik. Për më shumë se dy javë, artistë nga vende të ndryshme të botës kanë prezantuar e vijojnë të prezantojnë punimet e tyre në ekspozita, demonstrime artistike dhe aktivitete kulturore, duke e kthyer qytetin në një qendër ndërkombëtare të artit të akuarelit.

5. EKSPOZITA PERSONALE E KRIST DIMOS NË GALERINË E TIRANËS

“Vuoto” është ekspozita e artistit Krist Dimo, që vijon të qëndrojë e hapur në Galerinë e Tiranës. Përmes një serie veprash të realizuara gjatë viteve të fundit, artisti eksploron dimensionet emocionale dhe psikologjike që bashkojnë përvojën njerëzore përtej kulturave dhe brezave. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri në fund të muajit gusht.