Aktorja Mia Kantarexhieva: 
Rrëfimet e “Zonjushës Xhulja”

Aktorja Mia Kantarexhieva: <br />Rrëfimet e “Zonjushës Xhulja”
Intervistë me aktoren maqedonase , e cila pas një transformimi të plotë të karakterit të personazhit, rrëmbeu edhe trofeun e aktores më të mirë të “Ballkan Teatër Tirana Fest”...
 
Në fshatin Ibë të Tiranës, në grykën e lumit të Erzenit, ku natyra e gjelbër azdiset kodrinave që përfundojnë në malin e Kërrabës përkarshi, regjisori Gëzim Kame ka ngritur një Park Teatër të mrekullueshëm, ku aktorë të ardhur nga 7 vende të Ballkanit shprehën vlerat e tyre të aktrimit. Në këtë garë të bukurisë e magjisë që fal arti skenik, patjetër që do ndodhnin edhe surpriza. Dhe surpriza do të vinte nga një vajzë e heshtur e kombësisë maqedonase, gjyshi i së cilës ishte bullgar, i ati serbo-boshnjak dhe nëna ruso-polake. Kjo vajzë e bukur, me një trup të derdhur e shtatlartë, nuk do të binte në sy menjëherë, nëse nuk do t’i habiste spektatorët që po zbrisnin shkallaret e gurta të amfiteatrit Kame, duke i pritur ata me disa reveranca prej balerine të sprovuar, për të parë shfaqjen e saj “Zonjusha Xhulja” dhe pastaj do të ngjitej edhe ajo në skenë, për të luajtur personazhin emblematik të suedezit Strinberg. Dhe kjo vajzë e hareshme, mbasi ka sfiduar në skenë kastën e saj borgjeze, kërkon të sfidojë edhe shërbëtorin e shtëpisë, i cili jeton në bodrumin e tyre, duke e joshur pambarimisht, aq sa do të bjerë në shtratin e tij me epshin vajzëror, për t’u bërë skllave e tij, duke u tjetërsuar, krejt më pas, në humbje të krenarisë e të personalitetit, për ta parë veten së fundmi, në pozita inferiore, me pasoja tragjike. Ajo, Mia Kantarexhieva, do të kryente këtu procesin e mrekullueshëm të aktrimit me një transformim të plotë të karakterit të personazhit, duke rrëmbyer kështu edhe trofeun e aktores më të mirë të “Ballkan Teatër Tirana Fest”.

Dhe unë tani ndodhem përpara saj, të dy me nga një kafe përpara, me dëshirën për ta intervistuar, kur ajo tashmë duket tepër e lodhur, e tulatur, krejt e shpërqendruar, sikur të mos ishte ajo balerina që “fluturonte” dhe që kishte hyrë midis meje e Bujar Kapexhiut, me gotën e verës në dorë, për të na shastisur krejt në atë befasi që u ndodhëm, duke zbritur shkallaret e gurta të Teatrit Kame.
***
 -Kur u thirr emri juaj prej kryetarit të jurisë, u mblodhët e u bëtë një grusht njeri e pastaj bërtitët e hovët përpjetë e përlotur… Nuk e prisnit?
 -E dëshiroja, por nuk e prisja, për të vetmen arsye se e kisha rolin e parë serioz dhe shfaqjen time më të rëndësishme, për të cilën kam punuar disa muaj me përkushtim e lodhje rraskapitëse.
- Çmimin tuaj, si aktorja më e mirë ë Festivalit Ballkanik të Teatrit pati dëshirën t’ua dorëzonte anëtarja e jurisë, aktorja e Teatrit Kombëtar të Tiranës Olta Gixhari, e cila e ka interpretuar vetë këtë rol në skenat shqiptare.
 -Lumturohem për gjestin e saj… Mirënjohje pa fund!
 -Nga origjina juaj familjare i përkisni krejt Ballkanit, madje pak më tej kësaj treve, po, ku keni lindur xhanëm me këtë përbërje etnie të ndryshme?!
 - Kam lindur në Shkup dhe mbaj kombësinë maqedonase. Aty edhe jam shkolluar, në Akademinë e Arteve “Esra”.
 -Kur je dashuruar me teatrin?
 -Unë jam rritur me teatrin, Nëna ime ka qenë balerinë dhe më mbante gjithmonë pranë vetes dhe pranë teatrit të saj.
 -Ajo donte t’ju bënte balerinë, si veten?
 -Jo. Nuk e dëshironte aspak një gjë të tillë. Më thoshte shpesh se teatri është një profesion i lodhshëm e i papaguar. Por, duke u rritur pranë balerinave të teatrit, merrja pjesë në kërcime e kjo m’u kthye në hobi për 5 vjet me radhë. Më pëlqente edhe muzika e mora disa mësime në kanto kur isha e vogël.
 -Pra, plastika juaj e mirë, zëri i përpunuar nga ana vokale dhe dëshira e aktrimit që ju lindi paskëtaj, ju shtyu drejt teatrit, mendimit të kundërt të nënës tuaj, apo jo?
 -Ha-ha-ha! Njeriu duhet të pyesë veten në radhë të parë e pastaj dëshirat kanalizohen vetiu.
 -Dhe i matët forcat menjëherë me një rol tepër të vështirë, të një dramaturgu të madh! Si guxuat dhe çfarë donit të tregonit me këtë hap të guximshëm edhe për aktorët më me përvojë?
 -Kam mendimin se po nuk guxove në teatër, ke marrë fund pa u ngjitur në skenë. Dhe duhet ta gjesh vetë rolin tënd, sidomos kur je i përgatitur të aktrosh. Por, që t’i hysh rolit duhet edhe të të shtyjë diçka nga vetja. Te “Zonjusha Xhulja” gjeja në masën 60% diçka nga jeta ime. Disa anë të personazhit përkonin me psikologjinë time. Nga ana tjetër, këtu, mundesha të thosha edhe disa gjëra me rëndësi, për veten e për të tjerët, që nuk mund shprehesha lirisht në jetën e përditshme. Sepse dua të jem vetvetja nëpërmjet teatrit.
 - Mirëpo në këtë dramë ka një traumë, që e shpie heroinën tuaj drejt fundit tragjik. A më lejoni t’ju pyes se, ku është trauma psikologjike personale, e juaja dhe ku qëndron trauma ë personazhit? Deri ku ato bashkohen e ku ndahen?
 -Posi jo… Nëna ime ka qenë e sëmurë rëndë, nga sëmundja më e keqe dhe ma mbante fshehur. Por, erdhi një ditë dhe ma tha këtë, kur unë po jepja provimin ë parë të rëndësishëm në shkollë. U trondita. Edhe Xhulja është shumë e lidhur me nënën e saj po njëlloj, veçse në rol ajo ka ndërruar jetë. Ndërsa me babanë e saj, nëna e Xhuljas ka qenë e ndarë. Një asociacion i ngjashëm!
 -Si ka ndikuar kjo rrethanë në interpretimin tuaj?
 -Në çastin që luaj në skenë, e ndiej traumën, e jetoj nga brenda vetes, por edhe mundohem ta fsheh atë deri diku. Dhe përpiqem të relaksoj vetveten. Vetëm se, kur mbaron ky proces psikologjik, më vjen të qaj nga gëzimi e hidhërimi njëkohësisht. Madje, ndihem shumë e qetë kur i shpreh tërë këto ndjesi të forta.
 -Po në skenë ti shfaqesh si e çmendur e sikur del nga vetja në skenat erotike. Si arrin deri këtu? Ti e dashuron shërbëtorin Zhan apo e gjithë vardisja jote erotike është rastësore?
 -Nuk është e dashuruar Xhulja, por ajo do që të jetë si “shefe e meshkujve”. Të luajë me ta, sepse e ëma i ka thënë: “Ti nuk duhet të jesh kurrë një skllave e meshkujve”. Prandaj shkon në bodrumin e shtëpisë, te shërbëtori i saj, bën lojëra dashurie me të dhe pastaj bie në krevatin ë tij, kur e fejuara, Kristina, ka shkuar të flejë. Por, ka një problem midis asaj dhe atij: Pabarazia socialë. Ajo i përket kastës së lartë dhe ai nivelit shoqëror që ajo ë quan të ulët! Ajo dëfren me të, bëjnë seks së bashku si edhe planë të arratisen, po befas i largohet, pikërisht prej këtij meditacioni social
 - Po përse vendos që ta asgjësosh veten, madje me litar në grykë?
 -E mora këtë vendim duke qenë paksa e çmendur. E këtu hyn përsëri kujtesa e këshillave prindërore e nënës që më thoshte “të mos bëhem kurrë skllave e meshkujve” e, nga ana tjetër, e tim eti që më thoshte shpesh: “Ti duhet të jesh gjysmë burë e gjysmë grua”. Ajo e ndien veten realisht si “qeni i lidhur me zinxhir” në këtë festë të Krishtlindjeve. Duke qenë edhe e pirë, edhe e vetme në shtëpi, jepet e tëra dhe më vonë pendohet e var veten, në një formë si Krishti... Një simbol!
 -Simboli sikur nuk përkon me atë të Jezu Krishtit, të cilin e vranë të tjerë dhe ai u martirizua për njerëzit.
 -Në njëfarë mënyre përkon akti i saj. Zhani, dikur më përpara, i shkatërron një lodër, një zog që ajo e donte shumë dhe i ofron një litar. Litari simbolizon dy kuptime: pasi ka “vrarë lirinë e zogut” dhe më pas “vret edhe lirinë” e saj. Ia hedh litarin e i thotë: “Bëj ç’të duash me këtë litar”. Po tashmë ajo është e fyer dhe e poshtëruar rëndë prej të dashurit të saj të rastit, i cili i vë etiketën e prostitutës dhe e nxjerr në rrugë, ku e poshtëron duke e zhveshur lakuriq. Paskëtaj ajo i jep fund jetës e bashkë me të edhe traumave personale, pasioneve e trilleve të çmendurisë së saj. E lirinë do ta gjejë në aktin tragjik, në afërsi të Zotit që është në qiell.
 -Kjo zgjidhje e Strinbergut është tronditëse, po përpara kësaj, në spektaklin tuaj është realizuar një skenë erotike nga më të bukurat që unë kam parë, duke iu larguar banaliteteve që sjell pornografia skenike, e cila e bën edhe më të dhimbshme këtë vetëvrasje, madje duke krijuar edhe urrejtjen për personazhin tjetër, Zhanin, i cili u interpretua shumë bukur nga aktori juaj Teoman Maksuti. E kjo bën që publiku t’ju japë pafajësinë në këtë ndëshkim të vetvetes…
 E treguat veten të denjë për çmimin e parë që morët, po, a s’më thua, përse e bëtë gjithë atë koreografi në pritjen e spektatorëve që hynin në teatër?
 -Për të rrëfyer se sa e çmendur ishte Xhulja. Edhe batuta e parë që thotë Zhani është pikërisht kjo: “Xhulja po çmendet përsëri!” Dhe gjithçka zhvillohet përpara publikut. Dhe ky është teatër!
 -Po. Dhe një teatër i vërtetë, si performancë artistike, ku tërësia e spektaklit ka një finesë e ju qëndroni aty si “qershia mbi tortë”.
-Po, doemos, është edhe merita e regjisorit Xhorxhi Rizeski që e ka konceptuar spektaklin tuaj në trajtën më poetike, ku edhe vdekja juaj ngjan e bukur; po ashtu e koreografes Irena Llozinoska, e kostumografes Dragana Tanevska, e dizajnit fotografik të Deana Andonovska dhe sidomos e partnerit tuaj, dinjitoz në rolin e Zhanit. Të gjithë bashkë krijuat një kënaqësi estetike, të cilën rrallë e ndiejmë në jetën tonë teatrore. Ju faleminderit zonjusha Mia Kantarxhieva!

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë