Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar Olsi Ramën, vëllanë e kryeministrit Edi Rama se qëndron pas një skeme për përfitimin në mënyrë të paligjshme për një kazinoje në Tiranë.
“Ju do dëgjoni, edhe njëherë kthehet në skenë ajo që dikur unë e kam quajtur kulla Kristaq Rama apo kulla e Air Albania. Në atë kohë ne e kemi denoncuar ndërtimin e saj, por siç thotë populli, dardha e ka bishtin mbrapa. Aq sa është e paligjshme kulla, po aq e paligjshme është aktiviteti i saj dhe dhënia e licencës për kazino me dokumente personave që nuk mund ta merrnin kurrë po të mos ishin prestanome i Olsi Ramës”, tha Sali Berisha.
Berisha thotë se dosjen do ta dorëzojë në SPAK bashkë me dokumente që faktojnë implikimin e Olsi Ramës dhe shokëve të tij në afera bixhozi dhe pastrim parash.
“Me dokumente të pakundërshtueshme faktohet implikimi i rrethit të Edi Ramës, vëllait dhe shokëve të tij, në afera bixhozi, larjesh parash, licencimesh që nuk mund të ndodhin kurrë përveçse në familjen kryeministrore në Shqipëri.
Unë e kam denoncuar me kohë atë, e kam quajtur kulla Kristaq Rama. Nuk ka asnjë përgënjeshtrim të vërtetë, real. Dhe tani, urdhëroni mega-aferën e një mafie të rrezikshme me tentakula nga familja Rama në Miçigan tek venezuelasit, etj, etj.
Sigurisht që dosja do të dorëzohet në SKAP dhe pa dyshim do ketë fatin e Xibrakës”, tha Berisha.
Berisha tha se sipas dokumenteve të siguruara nga Partia Demokratike, një tokë e blerë për 320 mijë euro u rivlerësua në 26 milionë euro brenda 60 ditësh dhe u përdor për të marrë licencën e kazinosë.
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se në protestën para Kuvendit, u dhunuan qytetarë dhe u kërcënuan organizatorët e saj. Edhe pse protesta kërkon largimin e klasës së vjetër politike, Berisha i bën thirrje të tijëve të marrin pjesë deri në rrëzimin e qeverisë Rama.
"Dua të dënoj me forcën më të madhe dhunën e egër shtazore të përdorur dje kundër protestuesve. Janë agresuar gra me fëmijë të vegjël me karroca. Janë agresuar qytetarë pa asnjë lidhje me protestën. Janë agresuar dhe kërcënuar me jetë eksponentë të protestës, vetëm e vetëm se po protestonin në mënyrën më paqësore. Aktet e dhunës shtazore të ushtruara këto ditë ndaj protestuesve paqësorë janë dëshmi e plotë e fytyrës kriminale të këtij regjimi diktatorial.
Duke dënuar ato me forcën më të madhe, u bëj thirrje të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike, të gjithë qytetarëve, të bashkohen dhe të mbështesin këtë protestë për të realizuar largimin e këtij regjimi, ndër më të këqijtë që kanë njohur shqiptarët në histori. Është koha që çdo qytetar shqiptar të japë kontributin e tij për shpëtimin e vendit.
Kërkesat e lëvizjes së protestës rinore qytetare, janë kërkesa të çdo qytetari të ndershëm shqiptar. Janë kërkesa në mbrojtje të interesave jetike të shqiptarëve, interesa të kërcënuara në mënyrë fatale nga organizata kriminale dhe qeverisja shqiptare dhe kreu i saj Edi Rama që plaçkisin çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, dhe varfërojnë në mënyrë të të tmerrshme shqiptarët. Ndaj dhe ftoj demokratët, të frymëzuar nga kjo protestë e pandërprerë, të japin kontributin e tyre në këtë moment historik. Edi Rama nuk ka të ardhme. Është i plagosur për vdekje politikisht, ndaj dhe duhet t’i japim shtysën përfundimtare", tha Berisha.
Komente









