Pas akuzave te opozitës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, dukë vlerësuar punën e tij të deritanishme. Në një takim mes Fatmir Xhafës dhe Donald Lu, në Ministrinë e Brendshme, Ambasadori Amerikan shprehu mbështetjen e SHBA-ve në luftën që po bëhet kundër krimit të organizuar.

Donald Lu shprehu mbështetjen e fortë të SHBA-ve si dhe vendeve të tjera partnere, për Ministrinë e Brendshme dhe Ministrin Xhafaj, në gjithë përpjekjet e tyre për t’ju dhënë qytetarëve më shumë rend e siguri. Ambasadori Lu inkurajoi Ministrin Xhafaj dhe Policinë e Shtetit, për të vijuar edhe më me intensitet përpjekjet për më shumë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar

Ministria e Brendshme

Report TV e pyeti ambasadorin Amerikan nëse Fatmir Xhafaj e gëzon mbështetjen e SHBA-ve, pas akuzave te Partisë Demokratike dhe cili është qëndrimi i ambasadorit. Donald Lu u përgjigj se:

Po i ndjek me vëmendje akuzat kundër Ministrit Xhafaj dhe vëllait të tij Agron Xhafaj. Faktet dhe provat, përfshirë edhe vërtetësinë dhe rrethanat rreth regjistrimit audio të raportuar, meritojnë të hetohen në mënyrë të pavarur. Por kjo nuk mund të jetë arsye për të ndërprerë punën e policisë dhe prokurorëve për të arrestuar drejtues të rrezikshëm të krimit të organizuar. Koha që Shqipëria të përfundojë punën që ka nisur është tani.

Ambasadori Donald Lu

Ndërkohë pas takimit që zgjati më shumë se 40 minuta, Xhafa dhe Donald Lu janë larguar me makinën e Ambasadorit Amerikan drejt godinës së Task Forcës Operacionale, në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”. Drejtuesit e Task forcës e njohën Ambasadorin Amerikan me organizimin e kësaj strukture, veprimtarinë dhe rezultatet e deritanishme.