Pas akuzave të Partisë Demokratike, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka konfirmuar për Report Tv se nuk ka asnjë kërkesë për ekstradimin e Agron (Geron) Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, nga drejtësia italiane.

Krimet e Rënda sqarojnë nga ana tjetër se po hetojnë nëse ai është në kërkim ndërkombëtar. Prej disa ditësh opozita ka vënë në qendër të sulmeve vëllain e ministrit për një dënim në Itali në vitin 2002 me 7 vite burg për trafik të lëndëve narkotike.

Prokuroria ka sqaruar për Report Tv se pas akuzave në media ka nisur verifikimet për pasurinë e Agron Xhafajt. "Po hetojmë nëse ka pasuri dhe si e ka vendosur", thanë burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Ndërkohë, në një intervistë ekskluzive për Shqiptarja.com, ish-ministri teknik i Drejtësisë, Gazmend Bardhi deklaroi se nuk ka pasur asnjë kërkesë nga autoritetet italiane për ekstradimin e Agron Xhafajt.

Që të ketë kërkesë për ekstradimin një personi, fillimisht duhet të identifikohet se ku ndodhet personi, që është detyrë, sipas ligjit, e Policisë Shqiptare, meqë e dinë se Agron Xhafaj është në Shqipëri. Në momentin që e identifikon personin, i njoftohet Italisë që ky person është në Shqipëri.

Nuk mund të ketë kërkesë për ekstradim, pa e ditur se ku është personi. Informimin duhet ta bëjë Interpol Tirana që ky person është në Shqipëri.

Gazmend Bardhi, ish-ministër teknik i PD