Akuzat e PS, Ansar rrëfen takimet
me Kryeministrin dhe vajzën e tij

Akuzat e PS, Ansar rrëfen takimet <br />me Kryeministrin dhe vajzën e tij
TIRANE - Në qendër të akuzave ndaj pasurisë së vajzës së Kryeministrit, Argita Berisha Malltezi, Partia Socialiste bëri publike një korrespondencë mes zyrës së saj avokatore dhe biznesmenit pakistanez Zafar Ansar, i cili kërkonte të investonte në Shqipëri në fushën e energjetikës.

Por cili është qëndrimi i zotit Ansar për të gjithë këtë histori nisur në vitin 2007? Ai jeton në Suedi. Top Channel mundi ta intervistojë nëpërmjet Skype biznesmenit pakistanez Zafar Ansar duke sjellë versionin e tij për korrespondencën me Argita Berishën dhe si lindi bashkëpunimi me zyrën avokatore të vajzës së Kryeministrit.

Biznesmeni pakistanez ka pranuar njohjet dhe takimet me Argitën, duke treguar se u tërhoq nga investimi pasi iu duk shumë e çuditshme për një kompani ligjore që kërkonte të paguhej, krahas punës në aspektin juridik edhe me pagesë për suksesin e investimit.

Zafar Ansar thotë se Shqipërinë e ka vizituar për herë të parë kur një mik ishte ambasador i Pakistanit në Romë, që mbulonte edhe Shqipërinë. Ai e ftoi ta shoqëronte kur do t’i dorëzonte letrat kredenciale presidentit të Republikës.

Më tej biznesmeni pakistanez thotë se kompania e tij kryesisht merret me financë dhe projekte energjitike. Në Shqipëri ai donte të blinte bankën e kursimeve, por ky projekt nuk u realizua pasi Ministria e Financave zotëronte 40 % të aksioneve.

INTERVISTA E PLOTE
Muhamed Veliu: Si mundët të takoheni me kryeministrin Berisha dhe çfarë biseduat?
Zafar Ansar: Takimi u organizua nga ambasadori i Shqipërisë në Arabinë Saudite. Vajta e takova për ta informuar se kisha në plan të ndërtoja një Tec me kapacitet 12 Mega Wat. Kryeministri ishte i gëzuar që po dëgjonte rreth këtij projekti dhe më tha se do të bënte gjithçka që mundej duke shtuar se shpresonte që unë të bashkëpunoja me njerëz të mirë në Shqipëri. E falenderova duke i thënë se do të jetë kenaqësi e imja.

Muhamed Veliu: Si jeni njohur me ambasadorin shqiptar në Arabinë Saudite, Admir Banaj?
Zafar Ansar: Në vitin 2007 Pakistani organizonte takimin e ministrave të Jashtëm të Konferencës Islamike në Islamabad. Merrte pjesë edhe Shqipëria duke u përfaqësuar nga zëvendësministrja e Jashtme, Edith Harxhi. Zoti Admir, ambasadori i Shqipërisë në Arabinë Saudite, ishte pjesë e delegacionit të saj. Kjo ishte hera e parë që e takova.

Muhamed Veliu: Kush ju prezantoi me kompaninë avokatore të Argita Berishës?
Zafar Ansar: Takimi është organizuar nga zoti Admir, ambassador në Arabinë Saudite.

Muhamed Veliu: A jeni takuar personalisht me Argita Berishën?
Zafar Ansar: Disa herë.

Muhamed Veliu: A bëri ndonjë premtim Argita Berisha?
Zafar Ansar: Ne biseduam se çfarë ishim të interesuar të bënim. I tregova për mungesën e energjisë elektrike në Shqipëri dhe interesin që kisha në ndërtimin e një Teci. Ajo më tha se kjo është një diçka që na duhet dhe ne ju inkurajojmë për ta bërë atë.

Muhamed Veliu: Si mund të na e përshkruani të gjithë korrespondencën që patët me të?
Zafar Ansar: Ju keni aksesin e të gjithë e-maileve nga ku mund të shikoni të gjithë bashkëbisedimin që ne patëm, ku tregohet se si mund të ecnim përpara me këtë projekt. Ajo më këshilloi se duhej të përgatisnim një ofertë për kompaninë KESH. Ne e bëmë një gjë të tillë. Dhe kështu filluam.

Muhamed Veliu: A ju la Argita Berishë ndonjë llojë impresioni se ajo po përdorte statusin e saj si vajza e kryeministrit për të plotësuar kërkesat tuaja?
Zafar Ansar: Fakti që ajo është vajza e kryeministrit më bëri të mos kisha asnjë dyshim në mendjen time se ajo do të mundësonte duke përdorur influencën e saj për të arritur objektivin që kisha, sa më parë pa patur probleme. Prandaj edhe rash dakort që të punoja me të.

Muhamed Veliu: A ka patur ndonjë lloj presioni gjatë korrespondencës tuaj në blerjen e tokës për të cilën ishit i interesuar?
Zafar Ansar: Fillimisht nuk e dija që ajo kishte interes në shitjen e tokës të cilën më ofroi. Fillimisht më pyeti nëse dëshiroja të bleja tokë dhe çfarë hapësire. I tregova se kisha nevojë për tokë ku mund të ndërtoja Tecin. Këtë e bëra nëpërmjet një e-maili ku i shpjegoja specifikat e tokës që më duhej. Ajo më pas më informoi se toka ishte gati dhe se duhet të veproja shpejt në mënyrë që ta bleja pasi më vonë s’do të kisha mundësi. Toka e ofruar prej saj ishte jo e përshtatëshme, pa infrastrukturën e nevojshme, shumë e shtrenjtë dhe nuk përmbushte kërkesat e mija. E informova se ishte pak herët për mua të bleja token, pasi fillimisht duhet të aprovohej projekti dhe më pas të investoheshin miliona euro për blerjen e tokës. Ajo më tha se aprovimi i projektit nuk do të përbënte problem. Lexoni e-mailet dhe nxirrini vetë konkluzionet. Shitja e tokës ishte një mundësi e shpejtë për të bërë para. Po, kishte presion ndaj meje për të blerë tokën. Pasi vedosa mos ta blija tokën, mu tha se projekti për ndërtimin e Tecit 120 Mega Ëat do të ketë probleme. Më pas nuk pata asnjë komunimin nga KESH-in. Nuk mu besua se si kjo mundësi për ndërtimin e Tecit u injorua në këtë mënyrë pasi do të lehtësonte nevojat e njerëzve për energji elektrike. E gjitha një humbje mundësie për të patur një investim prej 100 milionë eurosh.

Muhamed Veliu: Cili është komenti juaj në lidhje me kërkesën e Flutura Kolës, partnere në kompaninë avokatore të Argita Berishës, e cila në e-mailin e datës 6 tetor 2007 thotë se, nëse investimi do të jetë i suksesshëm, ateherë ju duhet t’i paguanit kompanisë avokatore 1.5% deri në 3% të vlerës së investimit?
Zafar Ansar: Vlera e projektit shkonte në 100 milionë euro. Mu duk shumë e çuditshme për një kompani ligjore që të kërkonte të paguhej, krahas punës me aspektin juridik edhe me pagesë për suksesin e investimit pavarsisht sigurisë 100% në realizimin e qëllimit nga investitori. Praktika e përgjithëshme në Europë për kompanitë avokatore konsiston në pagimin nga klienti, vetëm të orëve të punës të avokatëve. Ata nuk kërkojnë të paguhen për atë që njihet si “pagesë për suksesin”: Në këtë rast duket qartësisht se meqënëse ajo është vajza e kryeministrit gjen mënyrën dhe e bën.

Muhamed Veliu: Cilat ishin arsyet që u tërhoqët nga ky investim?
Zafar Ansar: Mund t’ju them se nuk u tërhoqa nga ky projekt, por mu tha se nuk mund të merrja lejen për ta ndërtuar Tecin. Arsyeja e vetme që mund të mendoj përse kjo ndodhi lidhet me mosblerjen e tokës me atë çmim aq të lartë që mu ofrua. Edhe sikur të më jepej leja, unë nuk do ta kisha blerë atë tokë, pasi nuk ishte e përshtatshme për të ndërtuar atë që une doja. Më erdhi shumë keq që s’munda ta realizoja një investim të tillë prej 100 milionë euro.

Muhamed Veliu: Pas publikimit të korrespondencës tuaj në median shqiptare a jeni kontaktuar nga ndokush, për të mohuar përmbajtjen e këtij bashkëbisedimi nëpërmjet postës elektronike?
Zafar Ansar: Në kohën kur e-mailet e mia u publikuan, zoti Admir Banaj më kërkoi disa herë që të hidhja në gjyq gazetarin që i publikoi ato. Sa herë që ma ka kërkuar ta bëja një gjë të tillë, iu përgjigja se nuk kam ndërmend të përfshihem në politikën e brendshme. Ai nuk hiqte dorë nga kjo kërkesë për të çuar në gjyq gazetarin, madje më bëri edhe oferta joshëse. Më prezantoi me një avokat në Tiranë, i cili ishte i gatshëm te merrej me këtë çështje, natyrisht me një kosto goxha të lartë. Përsëri i thash zotit Admir se nuk dua të merrem me këtë çështje. Ai u mërzit shumë me mua. Përdori influencën e tij në Ministrinë e Jashtme dhe në zyrën e kryeministrit për të më hequr titullin si “konsull nderi i Shqipërisë në Pakistan”.

Muhamed Veliu: Sipas jush, heqja e titullit lidhet direkt me vendimin për të mos vazhduar me këtë projekt në Shqipëri, pas ndërprerjes së bashkëpunimit me zyrën e vajzës së kryeministrit?
Zafar Ansar: E çfarë tjetër mund të ishte? Nuk ishte e drejtë të më kërkonin me forcë të thoja gjëra që nuk doja t’i thoja. Ambasadori donte që unë të thoja se gjërat ishin në rregull, në mënyrë që të përfitonte njëri apo tjetri. Nuk rash dakort me të tilla kërkesa.

*Marrë nga TCH

Redaksia online

(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'