“Akuzat e Vitos se Hysni Kapon e vrau Ramiz Alia”, libri i ish-kryehetuesit të diktaturës: Dyshimet për helmimin në Paris

“Akuzat e Vitos se Hysni Kapon e vrau Ramiz Alia”, libri i ish-kryehetuesit të diktaturës: Dyshimet për helmimin në Paris

Hysni Kapo dhe Enver Hoxha

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Akuza e idealizuar e Vito Kapos për “vrasjen” e Hysni Kapos në Paris!?

Vito Kapo, në fund të jetës së saj, papritur ka publikuar mendimin e saj për helmimin e Hysni Kapos. Ajo përmend si dëshmi referimin që bën në thëniet e Enver Hoxhës! Akuza e parë: Enveri më ka thënë se Hysniun kanë dashur ta helmojnë në Paris! Në intervistën e dhënë në shkurt të vitit 2019, në moshën 92 vjeç, disa muaj para vdekjes, ajo bën të njohur dhe argumenton akuzën për eliminimin e Hysniut: “Vetë Enveri më ka thënë më pas se herën e parë kur shkoi në Paris (më 1978) Hysniun kanë dashur ta helmojnë… Po, po, ma ka thënë Enveri vetë me gojën e tij. Po se kush ka dashur ta helmojë këtë nuk e mora vesh kurrë. Në vijim Enveri më tha se herën e dytë Hysniu doli se kishte kancer dhe kancerit nuk kishim çfarë t’i bënim… Kështu më ka thënë dhe besoj në këto fjalë të Enverit”, shprehet ajo.”

Akuza e dytë: Ramiz Alia ka dhënë urdhër për ta goditur Hysniun me armë! Vito Kapo deklaron se Ramiz Alia ka dhënë urdhër për ta goditur Hysniun me armë. “Ramizi dha urdhrin e goditjes me armë. Hysniu ka pasur vdekje me armë. E dini ju këtë?! Ajo ka shpjeguar se gjatë kohës kur ishte për kurim në spital, në Paris, Hysniun e vranë me armë. Që nga momenti që erdhi Ramizi në Paris, Hysniut nuk i bënë asgjë tjetër, veçse analiza dhe analiza pa marrë vesh se çfarë nxirrnin ato analiza. E lodhën dhe e rraskapitën me analiza.

Një ditë, Hysniu më tha: E ç’po bën dhe ky?! Unë i thashë se mbase do dalin në ndonjë konkluzion. Rri, o Vito, se mua më këputën fare me këto analiza, më tha Hysniu. Të shikoje t’i bënin ditë për ditë analiza të tilla ishte çnjerëzore. E çonin nga një laborator në tjetrin, sa u lodh. Hysniu ishte aq i këputur nga analizat, sa më thoshte: Vito, mbarova tani. Një fjalë që Hysniu nuk e thoshte kurrë nga goja e tij. Vito kujton dhe jep mendimet e saj për ditën e fundit të Hysniut në spital!

“Atë ditë vjen në mëngjes doktori francez dhe i heq tubat e oksigjenit. Unë i bërtita, i thashë çfarë bëni, ai është gjallë, ka nevojë për to, po komunikon me mua. Sapo iku ai, erdhi një mjek tjetër francez, i cili i hoqi ca tuba të tjerë, me të cilët merrte ilaçe. Mos, i thashë, mos ia hiq, unë po komunikoj me të. Unë bërtisja si e marrë në spital. Unë po flisja me Ramizin për mjekët francezë që i hoqën aparatet Hysniut. Hysniu më tha mua: “Vito, largohu!”.

Atëherë, Hysniu iu drejtua Ramizit, i cili ishte aty  në dhomë: “Bëjini të fala Enverit! Të rrojë Partia, të rrojë shoku Enver, të rrojë Shqipëria! Unë e di punën time, ju vazhdoni punën tuaj!”. Më pa mua që bërtisja, dhe më tha: Po fëmijët janë? Po, i thashë, janë. Pas këtyre fjalëve, Hysniu mbeti, ata i kishin dhënë plumbin. Unë shpërtheva në lot. Aty mbaroi Hysniu, para syve të mi. Se çfarë i dhanë, këtë nuk e di, por ai vdiq në moment. Hysniu mbaroi me qetësi, pa zhurmë, se si nuk e di, por ai ishte duke folur, duke pyetur për fëmijët dhe unë isha aty, prezente.”

Vito Kapo me bindje të plotë ka akuzuar Ramiz Alinë për vdekjen e Hysni Kapos! Ajo ka bërë dallim midis Ramizit dhe Mehmetit. Tregon besimin dhe nuk ka asnjë dyshim për eliminimin e Hysni Kapos nga Mehmet Shehu. “Jo, Mehmeti në fillim këmbënguli për ta çuar Hysniun jashtë shtetit për kurim. Ishte entuziast për këtë. Ai e donte Hysniun.” Analiza e të dhënave të publikuara dhe të dokumentuara nuk vërteton akuzat e Vito Kapos. Ato nuk bazohen në prova konkrete për helmim apo vrasje me armë dhe janë të pashpjegueshme përse ajo i ka bërë!?

– Nuk mund të mendohet që Enveri të ketë pasur dyshime për helmim. Në rast se Enveri do të kishte dyshime për helmimin e Hysniut, do të kishte vepruar menjëherë për t‘i verifikuar dhe marrë masa. Nuk do të lejonte që Hysniu të dërgohej për herë të dytë në Paris.

– Nuk mund të mendohet se Ramizi ka eliminuar Hysniun me armë. Ramizi është dërguar me porosi të veçantë nga Enveri, ka qenë i shoqëruar nga një grup njerëzish, nuk kanë pasur armë, nuk ka asnjë të dhënë për veprime të dyshimta kundër Hysniut. Vito Kapo do të kishte dhënë kontribut nëse do të jepte shpjegime më të plota për akuzat që bën ndaj Ramizit dhe vlerësimet për Mehmetin. Mendimet e saj do të ishin me vlerë të veçantë për të njohur dhe dokumentuar akuzën për likuidimin e Hysniut dhe më pas tragjedinë e Mehmetit.

– Nuk mund të pranohet e mirëqenë akuza për vrasjen e Hysniut pothuajse publikisht, në një spital të Parisit ku kuroheshin pacientë VIP, personalitete të rëndësishme e me kujdes e ruajtje të veçantë, midis personaliteteve të njohura si Ramizi e mjekëve të aftë etj! Nexhmije Hoxha në librin e saj “Përjetime dhe meditime nga jeta ime politike” tregon dhe argumenton bindshëm për sëmundjen e Hysni Kapos, si e përballoi Enver Hoxha, letërkëmbimin që pati me të gjatë kohës që ai ishte në Paris për t’u operuar, çfarë shkruante në ditarin e tij gjatë orëve  të operacionit, pse nisi Ramiz Alinë në Paris etj…

“Mbas përcaktimit të diagnozës së rëndë, Enveri ishte i preokupuar se si do ta priste Vitoja atë lajm të kobshëm. Duke njohur dhe temperamentin alarmant të Vitos, ai ishte i mendimit që ajo nuk duhej të vihej menjëherë në dijeni, pasi gjendja e saj emocionale mund të krijonte dyshime te Hysniu, i cili duhej të mbahej në gjendje sa më të qetë për ta përballuar situatën e rëndë”.

Me këtë mendim të Enverit ishin edhe mjekët tanë, të cilët i jepnin një rëndësi të madhe qetësisë shpirtërore të pacientit. Në letrën që i dërgon M. Shehut, Ll. Ziçishti shkruan: “Bëmë çmos për të bindur profesor Aleksandrin që të mos i tregojë shoqes Vito diagnozën e vërtetë, siç veprohet në këto raste në Francë. Shoqes Vito iu shpjegua se u hoq fshikëza e tëmthit dhe u ndërhy në pankreas për heqjen e kistit, biopsia e të cilit paraprakisht tregoi për një proces me natyrë beninje. Për patologjinë e vërtetë janë në dijeni vetëm profesor Hoxha, doktor Gaçe, doktor Dinia dhe unë, kurse në Tiranë e di vetëm shoku Kadri, me të cilin jemi marrë vesh me anën e fjalëve konvencionale, që kishim përcaktuar më parë… Sot gjendja e pacientit është e kënaqshme, ajo është më e qartë…, por do të vazhdojë akoma të mbahet në repartin e reanimacionit… Kemi përshtypjen se pacienti nuk dyshon në gjë të keqe.”.

Në fakt, pas kësaj letre, gjendja e Hysniut u komplikua dhe radiogramet që vinin për të ishin të shumta, derisa mbërriti radiogrami i fundit, më darë 23 shtator, nga Ramiz Alia, ku thuhej: “Me pikëllim ju njoftoj se sonte, në orën 21:30, vdiq shoku ynë i dashur Hysni Kapo”. Enveri e përjetoi me dhimbje të thellë vdekjen e Hysniut. “Nuk e shpëtuam dot, nuk ia zgjatëm dot jetën”, thoshte ai me hidhërim. Llambi Ziçishti, ministri i Shëndetësisë, i pranishëm në operacionin e Hysniut, që zgjati afro 10 orë, ka vënë në dijeni me hollësi me letër Enverin.

Nuk ka asnjë dyshim për helmim apo përdorim të ndonjë arme të sofistikuar për vrasjen e Hysniut. Në fund të raportit jepet përfundimi: “Për sa i përket zhvillimit të gjendjes, në takimin e bisedën që patëm me profesorët Aleksandër, Giz dhe Asan u arrit në këto konkluzione: Operacioni i kryer ishte ai më racionali. Periudha postoperatore mund të ndërlikohet me aksidente të papritura, jo vetëm si pasojë e natyrës radikale të operacionit, por edhe nga patologjia e vjetër e pacientit e sidomos nga  diabeti dhe dy infarktet e freskëta… Nga diskutimet e bëra, rezulton që nuk mund të përcaktohet se kur ka nisur sëmundja, pasi procesi i zhvillimit tumoral ka qenë atipik dhe pa shenja të dyshimta”.

Qëndrimi zyrtar për shkakun e vdekjes është i bazuar edhe në përfundimet shkencore nga mjekët kurues dhe nga mjekësia ligjore franceze. Që nga ajo kohë dhe aktualisht nuk ka prova të tjera me vlera ligjore për ta vënë në dyshim. Pretendimet e Vito Kapos për zhdukjen e dokumenteve të terapisë në spital në Francë mund të sqarohen me dokumentet që janë administruar dhe arkivuar zyrtarisht. Në rast se familjarët dyshojnë, kanë të drejtë të kërkojnë ekspertim të ri mjekoligjor. Në Raportin e Komisionin Qeveritar për vdekjen e Hysni Kapos janë pasqyruar me përgjegjësi rrethanat dhe shkaku i vdekjes nga tumori dhe nga diabeti.

– Akuza e Vitos nuk mund të vlerësohet as si dyshim për vetë besimin që ajo tregon ndaj Enverit, megjithëse inkriminon Ramizin. Natyrshëm del dhe theksohet edhe përfundimi, se në rast se Ramizi ka vrarë me armë Hysniun, implikohet edhe Enveri që e kishte dërguar për kurim dhe ndiqte nga afër gjendjen e tij! Vetë Vitoja nuk ka një dyshim të tillë.

Dy djemtë e saj nuk kanë publikuar dyshime për këtë akuzë. Djali i madh ka qenë drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ka drejtuar kundërzbulimin shqiptar. Edhe djali i dytë, ka punuar në ndërmarrjet e tregtisë së jashtme në sektorin e veçantë, me kontakte me agjenturën shqiptare dhe atë të huaj. Po të kishte dyshime për vrasjen e babait të tyre, me siguri ata do të kishin reaguar me forcë që në atë kohë kur ishte gjallë Enveri dhe do të kishin mbështetjen e tij të gjithanshme. Të dy djemtë kanë detyrimin moral që të shpjegojnë publikisht mendimet e tyre për akuzën e rëndë të bërë nga Vitoja.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë