“Ditën e djeshme dt. 26 gusht 2017 qarkulloi në disa portale mediatike një intervistë "ekskluzive" me priftin e vetëshpallur të kishës së Shën Marisë në lagjen kala të qytetit të Elbasanit, Nikolla Marku, i cili ende mban të uzurpuar këtë kishë që nga dita e zaptimit të saj me dhunë.
Në këtë intervistë të tijën ai edhe një herë kërkon të tërheqë vemendjen e opinionit publik duke heroizuar veten e tij me një tjetër skenar fantazmagorik, sa djallëzor aq edhe qesharak, për gjoja përpjekjen nga ana e "kishës greke" siç shprehet ai, për helmimin e tij.
Deklarata të tilla të përçarta sigurisht që nuk mund të mallëngjejnë askënd që tashmë e di shumë mirë se kush ka qenë dhe mbetet gjatë gjithë këtyre viteve qëllimi i marionetës Nikolla Marku: përbaltja e veprës madhështore dhe historike e ringritjes dhe rivitalizimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërsië gjatë këtyre 25 vjetëve.
Gjithashtu, ata që ndodhen pas Nikolla Markut me deklarata dhe veprime të tilla janë përpjekur vazhdimisht të nxisin përçarje brenda komunitetit orthodhoks dhe ndërmjet komuniteteve fetare në vend, si dhe urrejtje ndaj popujve dhe vendeve tanë fqinj.
Kjo përpjekje e dështuar tashmë po shkon drejt përfundimit, ndërkohë që sot në krye të Mitropolisë së Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit është një mitropolit shqiptar, siç janë edhe në Mitropoli të tjera dhe në funksione të rëndësishme, bashkë me 157 klerikë shtetas shqiptarë në gjithë gjithë vendin, por këto fakte dukshëm, Nikolla dhe ata që janë pas tij nuk duan t’i shohin e as t’i vlerësojnë” thuhet në deklaratë.
Prifti i kishës Shën Maria në këtë qytet denoncoi para dy ditësh se tentativa për helmim ishte dorë e kishës greke që, sipas tij, ka kohë që kërkon ta eliminojë për shkak të kundërshtive, veçanërisht me Kryepeshkopin Janullatus.
Kisha Shën Maria në Elbasan njihet për oponencën e saj me kishën ortodokse autoqefale shqiptare. At Nikolla Marku ka kërkuar që kisha autoqefale kombëtare shqiptare të drejtohet nga një Kryepeshkop me gjak shqiptar.
dy.b/shqiptarja.com