Ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka reaguar publikisht pas akuzave të artikuluara nga Sali Berisha, i cili gjatë tubimit 40 minutësh të Partisë Demokratike të mbajtur të hënën  pretendoi se biznesmeni Ergys Agasi,  i shpallur në kërkim nga SPAK për disa vepra penale, e ka goditur me grushta Manjën.

Në një postim në rrjetet sociale, Manja i përgjigjet Berishës me tone ironike, duke i cilësuar pretendimet e demokratit si shpifje të rëndomta. 

“Sali, ktheje dhimbjen në forcë! Më thanë që më kishe qarë hallin dje në foltoren tënde buzë trotuarit. Të mirëkuptoj, Sali: kur më shumë lajm bën emri im dhe ty s’të ngjit më fjala, ke leje ta përdorësh emrin tim sa herë të duash.Për shpifje të rëndomta si kjo e “grushtave”, për përralla dimri, thashetheme pazari e kafenesh, për çfarëdo që t’i vijë mbarë moshës tënde! Nëse emri im të ndihmon të bësh lajm më shumë se Ervin Salianji, përdore emrin tim, se si i thonë fjalës, një rrugë e dy punë: ti tretesh çdo ditë e më shumë politikisht, ndërsa mua më shton ndjekësit në politikë" shkruan Manja në Facebook.