Sulm haxhiqamilist i Aleancës së Rublave i quan Kryeministri Rama akuzat për marrëveshjen e Portit të Durrësit. Ai shkruan në një reagim në twitter se sulmi kundër projektit të Portit Turistik është poshtërsi në dëm të interesit të vendit

“Sulmi haxhiqamilist i Aleancës së Rublave dhe bedelave të saj kundër projektit të Portit Turistik të Durrësit është një turp dhe një poshtërsi e madhe në dëm të interesit të vendit, ndërkohë që tërbimi shpifarak është prova se i kanë bërë vetë tërë pisllëqet që akuzojnë! Synimi i këtij sulmi të dëshpëruar është pengimi i këtij investimi të madh transformues për Durrësin dhe gjithë Shqipërinë, përmes intimidimit të një prej kompanive flamur të Emirateve të Bashkuara, të cilën e kemi sjellë me mbështetjen e Presidentit, Sheikh Muhammed Bin Zayed", shkruan ai. 

Rama thotë se drejtuesit e opozitës në vend po tallen me shqiptarët. 

Akuzat haluçinante kundër një kompanie ardhja e së cilës është përveç të tjerash një imazh i ri fitues i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, janë tallja e radhës me ata shqiptarë që akoma i ndjekin pas këta të shitur, pa fe, pa atdhe, pa din e as iman”, shkruan Rama.

Porti i Durrësit është bërë "kali kryesor" i betejës së opozitës me qeverinë. Pas akuzave të Metës dhe Berishës se është aferë korruptive e Ramës, edhe në seancën e fundit plenare kishte debate të ashpra në Kuvend mes demokratëve dhe Edi Ramës për këtë projekt. 

Ilir Meta në disa dalje për mediat nga Selia e Partisë së tij e ka konsideruar projektin e Durrësit kriminal dhe që synon të dëmtojë rëndë interesat e vendit. Ish-kryeministri Sali Berisha sot në konferencën e përjavshme për media denoncoi sërish marrëveshjen për Portin e Durrësit, ndërsa shtoi se kanë përgatitur një padi që e dorëzuan në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e bashkëpunimit ekonomik me Emiratet e Bashkuara Arabe. Gjithashtu Berisha tha se do të bëjnë kërkesë për të ngritur një Komision Hetimor.

37 deputetë, kryesisht të 'Rithemelimit' të Berishës dhe Partisë së Lirisë së Metës, por edhe deputetë të grupimit të Alibeajt dhe drejtues të partive të tjera politike, kanë kërkuar në Gjykatën Kushtetuese zhbërjen e marrëveshjes së bashkëpunimit ekonomik me Emiratet e Bashkuara Arabe. 

Memorandumi i bashkëpunimit për ndërtimin e Portit të Durrësit u nënshkrua më 11 gusht në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe zhvilluesit me famë botërore Muhammed Alabbar. Investimi për ndërtimin e këtij porti është 2 miliard dollarë. Në projekt përfshihet edhe ndërtimi i Portit të Thatë që do sjellë ndërtimin e hekurudhës që lidh Durrësin me Prishtinën, i cili është parashikuar të ketë një terminal, ku do përpunohen 100 mijë kontejner deri në 2050.