Marrëveshja për Portin e Durrësit futet me procedurë të përshpejtuar, opozita kundër! Rama: Investim i paimagjinuar ndonjëherë, ju jeni bedelë e të shitur

Projekti i Portit të Durrësit solli debate në Kuvend mes opozitës dhe kryeministrit Edi Rama, i cili nuk e kurseu gjuhën e ashpër.  Kreu i qeverisë e cilësoi projektin si një investim të paimagjinuar ndonjëherë për Shqipërinë, ndërsa sipas tij opozita ‘e shitur’ sulmon pasi ka marrë para ruse. Duke i quajtur vazhdimisht ‘të pafe, të pafytyrë e bedelë’, Rama i thoshte opozitës se nuk kanë gojë që të flasin për vendin kur sipas tij janë bisht i Sali Berishës të shpallur ‘non grata’ nga SHBA dhe Britania. Nga vendi, deputetët Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi dhe Dashnor Sula tentuan ta kundërshtonin duke bërtitur “turp të kesh”.

Ndërsa kreu i qeverisë iu drejtua Sulës duke e cilësuar ‘gjel deti të Peqinit’ dhe i kërkonte që të mos e ndërpriste. Po ashtu, u ndal tek financimi rus i PD duke i thënë se kundërhstojnë investimin në portin e Durrësit pasi janë mësuar të marrin para cash nga armiqtë. Deputetët e opozitës i quan turp për Parlamentin që në histori sipas tij do të njihen se kanë hyrë e do dalin si ‘kastravecë’. 

Debati nisi pasi kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj kërkoi transparencë për 5 nenet ndërsa pretendoi se projekti që kushton 2 miliard e 100 milionë euro po tentohet të kalohet fshehurazi nga qeveria. Por mazhoranca e kaloi marrëveshjen që të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar me 62 vota pro dhe 19 kundër. Pas gjuhës së ashpër të përdorur nga Rama, kreu i grupit parlamentar të PD kërkoi nga Kuvendi që t'i tërheqin vëmendje kreut të qeverisë për fjalorin jo etik. Si kundërpërgjigje, Rama i tha se dha opinionin e tij duke u bazuar me fakte dhe nuk mund t'i kërkojë ndjesë atij (Alibeajt) që e cilëson 'kryebedel të drejtuar nga Berisha'.

Nga ana tjetër, gjatë fjalës së tij në Kuvend, Edi Rama u shpreh se përfaqësues të një prej kompanive më të mëdha vjen në Shqipëri si një rezultat i një marrëdhënieje strategjike, prej së cilës po ndërtohen në Spitallë 2000 apartamente dhe bëhet një investim që e transformon Durrësin në një nga pikat më të rëndësishme turistike në Mesdhe.  

Memorandumi i bashkëpunimit për ndërtimin e Portit të Durrësit u nënshkrua më 11 gusht në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe zhvilluesit me famë botërore Muhammed Alabbar. Investimi për ndërtimin e këtij porti është 2 miliard dollarë. Në projekt përfshihet edhe ndërtimi i Portit të Thatë që do sjellë ndërtimin e hekurudhës që lidh Durrësin me Prishtinën, i cili është parashikuar të ketë një terminal, ku do përpunohen 100 mijë kontejner deri në 2050.

Para se të vinte në Kuvend ky debat i ashpër për procedurën e përshpejtuar të portit të Durrësit, dy liderët e opozitës Ilir Meta dhe Sali Berisha bëjnë vazhdimisht dalje publike dhe me të njëjtat argumente sulmojnë këtë projekt duke e cilësuar aferë korruptive të kreut të qeverisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:02
Marrëveshja e Portit të Durrësit, Berisha: Mega aferë korruptive, në interes të Beogradit! Atdheu i Ramës është Serbia

 

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar në Kuvend marrëveshjen e Portit të Durrësit, e cila solli mjaft debate mes qeverisë dhe opozitës. Berisha tha se Porti i Durrësit është një mega aferë korruptive në shërbim të interesave strategjike të Serbisë.

"Zonja përmendi këtu 2013, ajo që mund tu them shqiptarëve është se pasi kanë marrë 9 vite me radhë mbi 500 mld lekë çdo vit borxh dhe kanë rritur borxhin nga 62.4* në 107*, këta vjedhës nuk janë në gjendje tu nxjerrin asgjë substanciale në 9 vite përveç pasurimit të tyre. Dua të qartësoj shqiptarët se ka ikur njeriu që ka për flamur, flamurin e Vuçiçit, që ka për atdheu, atdheun e Vuçiçit.

Afera e Durrësit është aferë Rama-Vuçiç. Pas aferës qëndrojnë vëllezërit Kariç, të sanksionuar nga SHBA, BE dhe Britania, dhe tani bëjnë biznes me Edi Ramën. Dubai i Edi Ramës në Durrës është mega-afera më e madhe sot në Europë. I një njeriu që për të mbushur xhepat dhe për interesat strategjike të Vuçiç, i shkatërron vendit, portin mijëravjeçar. Flamuri i tij është flamuri i Serbisë. Flamuri i vjedhjes. Atdheu i tij është Beogradi", tha Berisha. 

Përgjigjen e mori nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila i tha se Porti i Durrësit është një investim modern që do i shërbejë jo vetëm Shqipërisë, por edhe Kosovës. Balluku tha se e ekupton revoltën e Berishës, pasi ky i fundit po sheh Shqipërinë që po zhvillohet dhe po realizohen projektet që i kishte nisur vetë kur ka qenë kryeministër si bypass i Vlorës apo Fierit. Me ironi Balluku i tha Berishës se PS po nxjerr ëndrrat e tij nga sirtari.

“Duhet të jetë e dhimbshme e kuptojmë se është sjellje e natyrës njerëzore, të kaloni në bypass i e Vlorës, Fierit, që i nisët vetë dhe as në 2% të punimeve nuk i çuat. Këto i keni pasur ëndrra në sirtar dhe do iu përndjekin gjithë jetën se nuk i realizuat, tregon se e vuani faktin që Shqipëria po zhvillohet. Po ndodhin veprat e mëdha për të cilat vetëm flisnit për to. Merrni dhe bëhuni bashkë, për më tepër. Një investim prej 2 mld euro që s’kemi nga ti marrim se do vijnë në formë investimi. Historitë me Vuçiç,  e kuptoj që u flet Frojdi dhe janë historitë që keni bërë më thyerje embargosh.

Ne nuk jemi pasqyrimi juaj, reflektimi juaj, jemi poli juaj i kundërt, poli i zhvillimit. Ata që sjellim ndryshimin, jemi ata që nxjerrim ëndrrat tuaja nga sirtari. Keni bërë aferat më të mëdha në Shqipëri, nuk mund të na njehsoni me veten tuaj. Nuk jemi si ju, punojmë për shqiptarët. Durrësi do ketë portin më modern të rajonit, s’do i shërbejë vetëm Shqipërisë, do i shërbejë Kosovës që do lidhet me një hekurudhë. Ne punojmë për shqiptarët kudo që janë. Port që do i shërbejë Maqedonisë dhe Serbisë se janë pjesë e Ballkanit të Hapur”, tha Balluku.

Më pas në një dalje për mediat, Berisha tha se më 12 nëntor, ditën kur është thirrur protesta, Rama do përballet me çdo aferë. 

"“Megaafera më e madhe në të cilën bashkohen, Vuçiç, Rama dhe Aleksandër Lukashenko. Epiqendër e kësaj afere janë vëllezërit Kariç, të njohur si portofoli financiar i Lukashenkos. Kompanitë e Dragomirit, kanë qenë kompani mbizotëruese në Bjellorusi dhe në Beograd. Këto kompani janë sanksionuar ashpër nga gjithë bota e lirë. Poseduesit e ballit ujor të Beogradit shitën kompanitë e tyre që i kishin të regjistruara në Qipro. Ishte transaksion formal, i mori të gjitha Amari i Edi Ramës. Drejtuesi i vërtetë është ‘bratja Kariç’, vëllezërit Kariç. Këtu del një nga lidhjet më të fuqishme të Edi Ramës, i cili ka për flamur, flamurin e Beogradit, ka për zot paratë që vjedh me Vuçiç.

Afera e djegësave me 420 mln euro është as 1 e dhjeta e aferës miliardëshe të portit të Durrësit. Flet në parlament si i kalamendur nga droga. Kërcënon me SKAP-in e partisë dhe gjykatat e partisë, pro e vërteta është se për çdo aferë do përballet me drejtësinë, sidomos pas heqjes së parashkrimit. Fjalën më të rëndësishme e kanë qytetarët më 12 nëntor, revolta e shqiptarëve kundër këtij regjimi që nuk ndalet. Skenari është protesta më e madhe që ka parë vendi ndonjëherë. Qytetarët do shprehin mllefet e tyre ndaj një regjimi që ua ka bërë vendin të pajetueshëm. Iu ka tjetërsuar flamur e çdo gjë”, tha Berisha.", tha Berisha. 

Ora 12:11
‘Gjel deti i Peqinit’, Sula i përgjigjet Ramës: Përdor në Kuvend fjalor rruge, do ta kishin zili edhe kriminelët që ndajnë qelinë me ministrat e tij

1666270024_WATERMARKREPORTtv.01342804.Still010.jpg

Deputeti demokrat Dash Sula i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama në Kuvend, ku ky i fundit e quajti ‘Gjel deti i Peqinit. Përmes një postimi në ‘Facebook’, Sula shkruan se Rama përdori këtë fjalor rruge në Kuvend për të zhvendosur vëmendjen nga buxheti 2023, që sipas tij pasuron oligarkët e tij, për të zhvendosur vëmendjen nga kthimi në burg i ish-deputetit socialist Alqi Bllao e nga afera e Portit të Durrësit.

Me ironi, Sula shkruan se gjuhën e Ramës do e kishin zili edhe kriminelët që ndajnë qelitë me ministrat dhe deputetët e tij.

“Kryeministri me ministra e deputet në burg bën moral në Parlament. Për të zhvendosur vëmendjen e rikthimit të deputetit të tij në kokërr të burgut për aferën e inceneratorëve. Për të zhvendosur vëmendjen nga votimi dhe rezultati qesharak i kalimit me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes që i vjedh qytetarëve të Durrësit pronat.

Për të zhvendosur vëmendjen nga një buxhet që pasuron klientët e qeverisë dhe zero rritje për pensionistët. Kryeministri erdhi sot në parlament me një fjalor rruge, një fjalor që do ta kishin zili edhe ata kriminelët që ndajnë qelinë me ministrat dhe deputetët e tij. “Të mbaruar, të pafytyrë. Dërr-Dërr. Bedela. Laxhore lagjesh.” kjo ishte fjala e Ramës”, shkruan Sula.

Ora 11:34
Çfarë nuk u pa në Kuvend/ Alibeaj debatonte me Ballën, Rama pinte kafenë i qetë dhe bisedonte me ministret

Kuvendi është mbledhur këtë të mërkurë për të diskutuar paketën fiskale dhe projektbuxhetin 2023. Në fotot e LSA duket se kryeministri Edi Rama, para se të merrte fjalën për të diskutuar me opozitën, u ul në vendin e tij duke pirë një kafe.

Ndërsa fliste në Foltore Enkelejd Alibeaj dhe debatonte me Taulant Ballën, Rama bisedonte me Elisa Spiropalin dhe Belinda Ballukun.

Ora 11:32
Tabaku i përgjigjet Ramës: E kuptoj gjuhën tënde, je në hall, po mbron aferën e Portit të Durrësit! Ish-deputeti t’u kthye në burg

 

Deputetja demokrate Jorida Tabaku i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama për gjuhën që ka përdorur sot në Kuvend kundrejt opozitës. Tabaku tha se Rama e përdor këtë fjalor kur ndodhet ën hall dhe kur mbron aferat korruptive.

"Sa herë shthuret gjuha. Sa herë përdoret ky fjalor, dihet se po mbrohet një aferë. Sa herë rritet krimi, droga. Ju kujtohet droga me avionë?   Kjo gjuhë tregon nivelin e politikbërjes se kësaj qeverie dhe këtij kryeministri. Tregon edhe këtë mënyrën e vjetër të politikës që ka kapur për fyti që ka kapur parlamentin, politikën. Llumin ku është politika shqiptare. Nuk e kam lexuar dokumentin e portit të Durrësit, se po luftojmë për transparencë, ky sulm nuk mund të justifikohet me asgjë. E njëjta gjuhë u përdor edhe për inceneratorin e  Elbasanit, një ish deputet i PS është rikthyer në qeli sot. Kjo gjuhë shpjegohet vetëm pas asaj që po ndodh pas dyerve të SPAK-ut”, tha Tabaku.

Ora 11:25
Alibeaj-Nikollës: T'i tërhiqet vëmendja Ramës për fjalët jo etike të përdorura! Kryeministri: Je kryebedel që drejtohesh nga Berisha

 

Pas fjalës së kryeministrit Edi Rama, kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj kërkoi që Kuvendi t’i tërheqë vëmendje për gjuhën e përdorur. Ndërsa kryeministri Edi Rama iu kundërpërgjigj duke thënë se nuk ka asgjë më të rëndë se të etiketosh të tjerët si hajdutë.

Alibeaj: Ky që po ikën, mirë do ishte të dëgjonte diçka. Ulu, ulu. Bedelë, budallenj, jeni turp, të shitur, dele, këlyshë, i pafe, pa atdhe. Vetëm një njeri me hall të madh vjen në parlament me këtë gjuhë. Do të donte të shkonim aty e të zinim foltoren. Unë i kërkova një gjë të thjeshtë, nxirr letrat, bëj transparencë. Ju nuk e patët guximin kryetare që ndërsa nxirrte fjalorin që ndynte këtë parlament, këto fjalë ju vënë në pozicionin që t’i tërhiqni vëmendjen se në kodin e Etikës është gjuhë joparlamentare që kërkon sanksionim. Më mbetet vetëm të nënqesh por duhet të shpreheni tani. Nuk keni për të dëgjuar nga ne asnjë fyerje apo etiketim.

Rama: Dëgjo këtu zotrote, nuk ka asgjë më të shpifur se të quash njerëzit hajdutë, kriminelë, pazarxhi, vjedhës. Këto janë shumë më të rënda se e vërteta që jeni këlyshë të rrahur që të vegjël kur keni hyrë te dera e SHQUP-it. Kjo ju shkon. Që bëni si llaxore, ky është fakt se vetëm llaxoret e pira që nuk gjejnë dot shtëpitë, cohen në pikë të sabahut e të ngrenë lagjen në këmbë se ndodh një krim i madh. Nuk dini të ndani as opinionet e ndryshme, as pozicionet e ndryshme. Jeni të gatshëm t’i bëni të gjithë ata që keni përballë hajdutë e kriminelë duke i çmendur të gjithë se po bëhet aferë e madhe në Durrës. Pazari i syve që nuk të shohin se i ke të mbyllura. Ti je vetëm një gojë që jeton duke bërë atë që ke bërë që kur ke hyrë në parlament, bishtin e ‘non gratës’. Koka jote s’ka shanse të shpëtojë nga ‘non grata’. Ky është fakt dhe s’ke pse kërkon që unë të kërkoj ndjesë se je kryebedel i bedelëve.

Ora 10:43
Rama-opozitës: Jeni bisht i ‘non gratës’! Nuk e keni më në krye por e mbani brenda në kokë

 

Teksa fliste për buxhetin 2023, Rama iu drejtua opozitës duke i thënë se janë bisht i Sali Berishës të shpallur ‘non grata’ nga SHBA dhe Britania e Madhe.

“Ky është një vendim i sanksionuar dhe në buxhetin 2023 dhe do e mbrojmë me cdo gjë cmimin e energjisë elektrike për familjet e bizneset. Juve që bëni shërbimin tuaj ndaj të keqes, ndaj pafytyrësisë, ndaj mungesës së cdo feje e atdheu dhe patjetër do vijoni t’i thoni shqiptarëve të gjitha të zezat se në këtë rrugë keni hyrë që të vegjël. Sot nuk jeni asgjë tjetër vecse një zgjatim, një bisht i asaj krijesës non grata që edhe pse se keni më në krye, e keni brenda në kokë. Në këtë buxhet që sjellim këtu janë 50 miliardë për të mbrojtur njerëzit nga goditjet e kësaj lufte dhe për të mbrojtur të gjithë nga goditja marramendëse e inflacionit”, tha Rama.

Ora 10:42
Rama-opozitës: Jeni mësuar të merrni para cash nga armiqtë e të zbardhni dhëmbët! Do dilni 'kastravec' nga kjo histori

 

Kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer komentet për financimin rus në PD, të cilin e ka përmendur para opozitës që i cilëson si ‘bedelë’ dhe të shitur. Gjatë sdiskutimeve për invdestimin 2 miliardë euro për Portin e Durrësit, Rama tha se opozita është mësuar të marrë para cash nga armiqtë e të zbardhë dhëmbët.

Rama: Për ta bërë Shqipërinë më demokratike, më të drejtë, më transparente, më të denjë, apo do thoni që nuk keni marrë para ruse? Deri dje mund ta thonit sepse mund të hidhnit tezën që hodhët se ishte komplot i Sorosit me Edvinin. Është raport i CIA-s që e shkruan të zezë mbi të bardhë se PD është financuar me para ruse për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj dhe s’keni gojë të dilni e të flisni se cdo bëhet me vendin tonë. Jeni kaq të pafe, kaq pa din e iman, kaq të pafytyrë sa 2 miliard investim që i bën ai që vjen, ju thoni kujt do ia jepni. S’keni faj se jeni mësuar të merrni para cash nga armiqtë e të zbardhni dhëmbët se janë e qeshura e madhe e marrëzisë.

Nikolla-Bardhit: Kujt ja drejton dorën? Hajt qëndro aty tani.

Rama: Buxheti 2023 diskutohet në kushtet e një krize. Kjo është arsyeja pse i thoni shqiptarëve ekzaktësisht, ca nga budallëku ca se jeni bedel se nuk e kuptoni pse jeni këtu. Më e keqja është se ju tërheqin nga hunde disa të tjerë se e dinë mirë çfarë bëjnë. Thonë atë që thotë Putin, ç’lidhje ka inflacioni me mua, ç’lidhje ka kriza e energjisë. Çfarë lufte, s’ka luftë. Ju jeni bedel, s’keni idenë çfarë thoni. Ju morët para ruse, ngritët vathën, çadrën, blegërinit për rrëzimin e qeverisë se ju jeni të shitur. Disa prej jush janë të shitur dhe kanë marrë paratë, disa të tjerë janë të shitur se janë gjela deti. Një turp i madh për këtë vend e parlament jeni të gjithë ju. Ju do dilni siç hytë, kastravec, siç thotë poema e famshme që është këngë. Siç hyri dhe doli, kastravec. Kështu do dilni nga kjo histori.

Ora 10:42
Rama përplaset me Alibeajn dhe Sulën: O gjel deti Peqini, jeni të pafytyrë, të pafe, bedelë! Deputeti: Turp të kesh (VIDEO)

 

Teksa Kryeministri Rama mbante sot fjalën në seancë plenare ishte i ashpër me opozitën dhe deklaratat e saj për Portin e Durrësit.

“Ju jeni ca të mbaruar, ca të pafytyrë. Ju nuk keni as fe, pa Atdhe, jeni pa din e pa iman, ja këta jeni ju.  Akuzoni për aferë një prej investitorëve më të mëdhenj! Ju jeni paguar me para ruse për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj. Jeni ca bedelë, që s’keni as sy për të parë e vesh për të dëgjuar”, tha Rama duke i thënë deputetit demokrat Dashnor Sula ‘Gjel deli i Peqinit’, teksa ky i fundit i thoshte ‘turp të kesh’.

Rama: Pusho gjel deti, pusho me atë fjalor se nuk je në festën e gjelave të detit të Peqinit. Pusho bedel. Si nuk ju vjen turp. Ngrini ulni dynjanë hajdutë

Sula: S’ke turp.

Rama: O gjel deti pusho. Nuk je në vendimin tënd këtu, je gabim je aksident komplet. Ah, mjerë Shqipëri për ty edhe ata si ti.

Ora 10:36
Marrëveshja për procedurë të përshpejtuar e Portit të Durrësit, Rama-opozitës: Investim që nuk është imagjinuar kurrë, ju hidhni baltë

 

Duke komentuar miratimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së Portit të Durrës për pjesën e jahteve dhe ballinës së portit, Rama akuzoi opozitës se e sulmon këtë projekt se ka marrë para ruse. 

“Me ca kuroja çohesh këtu edhe hedh gjithë këtë baltë mbi një personalitet, të ekonomisë globale përfaqësues të një prej kompanive më të mëdha të botës që vjen në Shqipëri si një rezultat i një marrëdhënieje strategjike, prej së cilës po ndërtohen në Spitallë 2000 apartamente dhe bëhet një investim që nuk është bërë ndonjëherë dhe nuk është imagjinuar ndonjëherë, që e transformon Durrësin në një nga pikat më të rëndësishme turistike në Mesdhe.  Këtu u fut thjesht me procedurë të përshpejtuar një projektligj. Ne nuk kemi kohë për të humbur. Kemi më shumë se 1 vbit që e negociojmë këtë kontratë”, tha Rama.

Ora 10:32
Debat në Kuvend për Portin e Durrësit/ Alibeaj: Kushton 2 mld e 100 mln euro, hiqni dorë nga miratimi me procedurë të përshpejtuar! Balla: Mos i shkoni mbrapa Berishës

 

Seanca plenare nisi me debate për Portin e Durrësit. Opozita kundërshtoi që të futej me procedurë të përshpejtuar projektligji për portin e Durrësit. Në fjalën e tij, Enkelejd Alibeaj u shpreh se kushton 2 miliard e 100 milionë euro dhe kërkoi të mos miratohej me shpejtësi në parlament pa u bërë transparencë për nenent. Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh se PD duhet të vendosë që të mos i shkojë mbrapa Sali Berishës.

Balla: Këtë këngë e ka nisur Saliu. Kremlini nuk ka asnjë interes për një port që të konkurrojë portet e tjera. Vlorën e kemi bërë. Atë që ka bërë PS për Vlorën, ju se imagjinoni dot. E mban mend si e latë Vlorën kur ikët nga pushteti. Hiqni dorë nga të shkuarti mbrapa Saliut symbyllurazi. Erdhi para shumë vitesh një sipërmarrës i rëndësishëm të cilit i thanë duhet t’i bësh kontratat te zyra avokatore e vajzës së Saliut. Tani çohu e më shpjego pse nuk mund të futet me procedurë të përshpejtuar.

Alibeaj: Po e vërtetë, mund të kërkoj projektligj me procedurë për përshpejtuar, por ka arsye më të madhe pse sillni ligjin për portin e Durrësit. Kjo i bie ta fusni në punime dhe pas 2 javësh ta përfundoni. Ta marrin vesh shqiptarët, doni të kaloni me shpejtësi të madhe projektligjin që ka 5 nene. Ky ligj kushton 2 miliard e 100 milionë euro.  400 milionë një nen dhe ju doni ta kaloni me procedurë të përshpejtuar kur sot diskutohet buxheti? Doni ta kaloni fshehurazi. Sot s’po bëni gjë veçse po prini shiritin e një afere ekonomike që shumë shpejt mund të kthehet në aferë korruptive. Askush nuk e dinë si janë bërë negociatat. Kjo nuk na bën bashkë se nuk është prona jonë, por e shqiptarëve. Duhet t’i tregoni çfarë po ndodh. Ku i lind e drejta të shesë diçka që nuk ka të drejtë ta bëjë? Parlamenti të mos e miratojë me shpejtësi këtë ligj. Qeveria të sjellë të gjithë dokumentet e 5 neneve që askush nuk i di dhe të tregohet pazari me Portin e Durrësit. Fakti që doni ta kaloni me shpejtësi, aty fshihet djalli.

/SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë