TIRANË- Policia e Shtetit ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga ish- deputeti i PD-së, Kastriot Islami  se ndalimi i tij ishte me urdhër politik të kryeministrit Edi Rama. Uniformat blu sqarojnë në reagimin e tyre, se Islami u ndalua pasi po qarkullonte në rrugë pa maskë, në një kohë kur që nga 11 nëntori, mbajtja e maskës është një detyrim si masë parandaluese ndaj COVID.

Policia sqaron se Islami ka bërë rezistencë, sipas së cilit ai është një figurë publike dhe nuk mund të ndalohej nga policia, por jo vetëm kaq. Sipas policisë, ai iu është drejtuar atyre me një fjalor shumë të ulët dhe ka arritur deri aty sa i ka kërcënuar që "do ta shihnin pas 25 prillit, si të gjithë zagarët e Ramës"!

"Në mënyrë të përsëritur shtetasi Kastriot Islami është prononcuar publikisht me pretendimin që Policia e Shtetit e ka keqtrajtuar. E vërteta është se ky shtetas ka keqtrajtuar punonjësit e patrullës policore me një fjalor shumë të ulët.  Kastriot Islami është ndaluar nga patrulla  e Përgjithshme si një kalimtar pa maskë. Ai menjëherë ka lëshuar  ndaj punonjësve të policisë fjalë të ulëta, duke pretenduar se ai ishte një figurë publike që nuk mund të ndalohej prej tyre. Madje  shtetasi i ka kërcënuar punonjësit e policisë, që "do ta shihnin pas 25 prillit, si të gjithë zagarët e Ramës"!

Patrulla e policisë është detyruar ta shoqërojë atë në komisariat, ku janë kryer procedurat ligjore dhe i është komunikuar gjoba për mosmbajtjen e maskës mbrojtëse. Duke hedhur poshtë akuzat e fabrikuara nga shtetasi Kastriot Islami për Policinë e Shtetit dhe shprehur keqardhjen për fjalorin e tij ndaj punonjësve tanë, gjejmë rastin të theksojmë se Policia e Shtetit nuk i shërben politikës por ligjit", njofton policia.

Ish- deputeti i PD-së u ndalua nga policia mbrëmjen e së shtunës rreth orës 20:30 në rrugën "Sulejman Delvina". Siç raportoi një ditë më parë Shqiptarja.com, ai u mbajt rreth një orë në Komisariatin numër 2 për shkak se ka kundërshtuar forcat e policisë në momentin që ata i kanë kërkuar kartën e identitetit pasi u kap duke lëvizur pa maskë. Pasi qëndroi rreth një orë në polici, Islami hodhi akuza ndaj uniformave blu, duke thënë se ishte duke bërë ecje me veshje sportive dhe se Rama e ndaloi dhe forcërisht e izoloi në Komisariat. Në mbrojtje të tij, i doli Partia Demokratike me anë të Edi Palokës si edhe presidenti Ilir Meta i cili tha se ishte një hakmarrje politike dhe personale.