Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, dhe ndaj 6 zyrtarëve të tjerë, të akuzuar për shkelje të barazisë në një tender me vlerë 700 mijë euro.
Krahas Becit, të pandehurit e tjerë të cilët do të gjykohen nga GJKKO janë edhe Jonid Kazani, Edlira Mitrushi e Yllka Nishku, si dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Rudin Gjoni, Premtim Dauti dhe Adela Ruko (e cila është bashkëshortje e ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi), që po ashtu u njohën me vendimin e gjyqtares së Posaçme, Marinela Osmani, për kalimin e dosjes për gjykim.
Kryebashkiaku Beci akuzohet nga SPAK se kur drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare se ka shkelur ligjin në tenderin për “Zhvillimin strategjik të sektorit energjetik” në vitin 2019.
6 të pandehurit e tjerë kanë qenë anëtarë të njësisë së prokurimit dhe të komisionit të vlerësimit të ofertave, të cilët akuzohen se paracaktuan dhe krijuan avantazhe për shoqërinë fituese të tenderit.
Një pjesë e të pandehurve, përfshirë edhe Benet Beci, kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, ndërsa do të jetë 3-shja tjetër e Gjykatës së Posaçme për të vendosur mbi kërkesën e palëve.
Hetimet nisën pas zbërthimit të telefonit të ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberit, ku u zbuluan biseda kompromentuese për abuzimin me këtë tender.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente












sporllaku ska ci ben tenxheres i bi kapakut i
Përgjigju