TIRANË- Në GJKKO u mbajt seanca e radhës për ish-deputetin socialist Plarent Ndreca, i cili akuzohet për shkelje të barazisë në tenderët për supervizimin e 4 komisariateve në kohën kur mbante detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme. GJKKO rrëzoi kërkesën e Ndrecës për përjashtimin nga trupa gjykuese të gjyqtares Flojera Davidhi, si e pabazuar në ligj.
Treshja gjykuese e ish-deputetit përbëhet nga gjyqtarët Rudina Palloj, Erjon Çela dhe Flojera Davidhi. Ndreca nëpërmjet avokatit te tij Ermal Yzeiraj kërkoi shpalljen e moskompetencës për shqyrtimin e kësaj çështjeje nga GJKKO, duke argumentuar se procedurat në fjalë nuk përmbushin elementët e një vepre penale që hyn në juridiksionin e GJKKO. Por, dhe kjo kërkesë iu rrëzua nga gjykata.
"Kjo gjykatë nuk është kompetente për shqyrtimin e kësaj çështjeje, akuza është e paqartë. Me ndryshimet e nenit 75 të Kodit të Procedurës Penale, GJKKO gjykon krimet bazuar në nenin 258. Mbi 800 mijë lekë, kompetente për shqyrtimin e kësaj shume është kjo gjykatë, përndryshe nën 800 mijë lekë do duhet shqyrtuar nga gjykatat e zakonshme. Kemi dy procedura, por sa është vlera e tyre? para ka vlerën zero. Edhe me dokumentacion. Procedura e dytë ka vlerë, por nuk ka konkurrencë. Nëse nuk ka konkurrencë, nuk shkelet barazia e pjesëmarrjes në tendera. Prokuroria thotë se i njëjti qëllim kriminal përbashkon të dyja procedurat. Ne këtu ndahemi, sepse lidhja nga prokuroria është logjike, por pa shkak ligjor. Këtu duhet të prevalojë institucioni përgjegjës, APP (Agjencia e Prokurimit Publik). Pse nuk qëndron qëllimi që i ka bërë bashkë procedurat? Personat janë nga institucione të ndryshme, KVO-të. Që të kesh të njëjtin qëllim kriminal, do duhet që personat të kishin rënë dakord paraprakisht, por punonjësit janë bërë bashkë në mënyrë rastësore", tha avokati Ermal Yzeiraj.
“Një prej procedurave te prokurimit është me fond 0 ndërsa procedura e dytë për konkursin e projektimit nuk përfshihet ne sferën e prokurimeve se është me negocim pa shpallje, s’ka gare. Kërkoj shpalljen e moskompetencës dhe kalimin e çështjes në Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm. Prokurorja është e paqartë për çfarë me ka sjelle mua këtu. Mungon objekti i veprës penale”, tha Plarent Ndreca.
Prokurorja e SPAK, Dorina Bejko, kundërshtoi këto pretendime, duke theksuar se çështja është shqyrtuar edhe në fazën paraprake dhe kërkesa për moskompetencë është rrëzuar më herët nga gjykata.
“Ne kemi mbajtur qëndrimin tone dhe në seancë paraprake dhe të pandehurit i është rrëzuar kjo kërkesë në atë fazë. Ne kemi vlerësuar që të dyja procedurat janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën ndaj e kemi akuzuar për vetëm një episod. Qëllimi final ka qenë paracaktimi i fituesit”, tha prokurorja e SPAK Dorina Bejko.
Mbrojtja kërkoi kohë për t’u njohur me argumentet e SPAK që provojnë se Plarent Ndreca ka kryer shkelje të barazisë në tendera. Gjykata e pranoi kërkesën. Seanca e ardhshme do të mbahet më 5 mars, në orën 11:00.
Ish-deputeti po gjykohet me procedurë të zakonshme ndryshe nga 15 të pandehurit e tjerë që zgjodhën gjykimin e shkurtuar, për të cilët SPAK ka kërkuar në total 11 vite e 3 muaj burg.
Tenderat për supervizimin e 4 komisariateve Vlorë, nr 4 në Tiranë, Pogradec dhe Mirditë kapnin një vlerë prej rreth 555 mijë euro, ku SPAK pretendon se janë kryer në shkelje të procedurave për të favorizuar njërën prej kompanive.
Komente












