TIRANË- Belinda Balluku u shkarkuar nga kryeministri Edi Rama, po për opozitën, ende ka gjurmë të saj në kabinetin qeverisës. I ftuar në Report Tv, deputeti demokrat Saimir Korreshi thotë se me ndryshimet e reja në qeveri nuk pret asnjë ndryshim, pasi sipas tij, Balluku ka emëruar besnikët e saj dhe i vetmi ndryshim do të jetë që ajo tashmë do të firmosë përmes personave që janë emëruar në pozicionet që mbaheshin prej saj.
“Nuk pres ndonjë ndryshim. Balluku deri dje firmostë vetë, tani do firmosë përmes të tjerëve. Hoqën Pirron dhe vendosën po një drejtor të Ballukut”, tha Korreshi në Report Tv.
Në emisionin “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Nertil Agalliu, Korreshi thotë se ministri i ri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, i cili më parë drejtonte OSHEE, është në hetim nga SPAK dhe se i kanë sekuestruar celularin. Edhe në vend të Pirro Vengut, Korreshi shton se emëruan po një drejtor të Ballukut, Ermal Nuhin, i cili ka qenë shef kabineti i Ballukut, në funksionin e zv.kryeministres.
“Enea Karakaçit i ka marrë SPAK celularin, që është nën hetim. Apo i kanë bërë kontroll banese, çfarë ndryshimi po ofron”, vijon Korreshi.
Edhe largimin e Spriopalit, Korreshi e sheh tek përplasjet e brendshme në PS, duke lënë të nënkuptuar një përplasje mes saj dhe klanit Balluku.
“Hoqën Spiropalin për luftën e ftohtë të brendshme të PS, Spiropali e kishte prerë biletën vetëm vajtje. Si ministër Drejtësie u mor më shumë me hallin e parkimeve. Meqë Koçiu u mor me adresat dhe me monopatinat, ky do merret me parkimet dyshe. Deri këtu shkon.
Kjo qeveri ka dështuar. Mbase ka bërë hapin e parafundit Rama, për të hequr Ballukun, për t’i thënë ndërkombëtarëve, edhe si pasojë e presionit tonë në Kuvend dhe në rrugë. Ka bërë bujë të madhe çështja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, edhe pse avokati i Ballukut vetë tha që ky nuk është një proces i iniciuar politikisht. Kjo është hapi i parafundit për të kërkuar mëshirë nga Europa, që edhe ai të mos ikë bashkë me Ballukun. Për mua çështja do shkojë te Rama, halli është i Ramës, nëse bie kalaja e fundit, balluku, ajo qeveri nuk ka më atë peshë politike.
Kush ka ngel aty, Koçiu nuk është politike karriere. Ka ngelur vetëm Toni, por asnjë nuk ka më peshë politike, sepse nuk mund të pretendosh të vesh njerëz teknik. Këta janë qeveri si letër higjienike. Rama as nuk komunikon fare me ata”, vijoi Korreshi.
Por ndërsa ndryshimet në qeveri erdhën teksa Kuvendi pritet të shprehet për kërkesën e SPAK për arrestimin e Balllukut, Korreshi thotë se shkarkimi erdhi për të mos lejuar dorëzimin e saj para drejtësisë.
“U bë shkarkimi për të mos lejuar dorëzimin e saj para drejtësisë po pret nëse do ketë reagim apo Europa kënaqet me kaq sa bëri Rama. Mendoj se nuk është ky qëllimi i be, apo ambasadës amerikane, është lirimi i drejtësisë të bëjë punën e vet. Qëllimi jon është rënia e qeverisë Rama, jo vetëm balluku. Qëllimi kryesor është rrëzimi i kësaj qeveria”, tha Korreshi.
Rama i prezantoi ndryshimet në qeveri gjatë mbledhjes së grupit të PS, ku lajmëroi se zv.kryeministre do të emërohet Albana Koçiu, ndërsa ministër Infrastrukture Enea Karakaçi. Elisa Spiropali dhe Pirro Vengu ikin nga kabineti qeveritar, ndërsa ministër i Jashtëm vjen Ferit Hoxha dhe ministër i Mbrojtjes Ermal Nuhi. Besfort Lamallari do të jetë ministër i brendshëm, Toni Gogu ministër Drejtësie, ndërsa Eriona Ismaili ministre e shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Komente











