Brigjet e Shqipërisë nga veriu në jug janë të mbuluar nga mbetjet si pasojë e prurjeve masive të deteve dhe lumenjve për shkak të reshjeve intensive të shiut që prekën vendin tonë ditët e fundit. Kryesisht pamjet nga Vlora, Velipoja e Lezha janë alarmante, brigjet e të cilave janë kthyer praktikisht në landfill grumbullimi.

Për Report Tv në studion e ‘Sot, Live në Shqipëri’ ishte i ftuar eksperti mjedisor, Olsi Nika dhe ambientalisti Lavdrosh Ferruni. Nika tha se ky është një fenomen që ndodh rregullisht në Shqipëri.

“Semani ka të njëjtin tablot dhe Vjosa. Është në fenomen që ndodh rregullisht në Shqipëri. Ashtu siç lumi transporton inerte, transporton dhe mbetjet që gjenerohen përgjatë basenin. Nga reshjet me intensitet të lartë, çdo vendgrumbullim i vogël në çdo përrua apo rrëke përfundon në lumin e madh. Madje dhe vetë lumenjtë kanë pasur prurje të konsiderueshme. Forca e transportit për shkak të prurjeve të mëdha është disafishuar dhe pastaj ka bërë të mundur që të shkojnë drejt bregdetit”, tha Nika.

Ambientalisti Ferrunaj tha se problematika kryesore është mosmenaxhimi i mbetjeve në vend. Ai gjithashtu iu referuar dhe ligjit të ri të miratuar nga qeveria, por shtoi se ende nuk ka zbatim.

“Nuk është punë përgatitje, nuk zgjidhet kjo situatë nëse nuk zgjidhe çështje e menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri. Në vend që mbetjet plastike por dhe të tjera, duhet të riciklohen, nuk duhet të lejohet që të shkojnë ne rrugët ujore dhe të përfundojnë në det. Duhet zgjidhje radikale që nis që në burim. Është dhe ligji i ri që është miratuar dhe nuk po shohim  ndonjë fillesë të zbatimit të tij të ndarjes që në burim”, tha Ferruni.

Të njëjtën problematikë konstatoi dhe Olsi Nika duke thënë se mungesa e insfrastrukturës së nevojshme shkakton këto probleme masive. Ndër të tjera i tha se pavarësisht të një menaxhimi me të rregullt në zonat urbane, ato rurale vijojnë të mbeten në harresë. Nika thotë së jo të gjitha bashkitë kanë potencialin e duhur për të organizuar mbetjet.

“Ka nevojë për më shumë ndërgjegjësim, por nuk është vetëm kjo sepse nuk është eficent sistemi i menaxhimit të mbetjeve. Mungon infrastruktura e duhur. Nëse i referohemi zonave urbane që në një farë mënyrë zinxhiri funksionon në pothuajse në të gjitha hallkat, ne harrojmë zonat rurale ku nuk funksionon. Mbetja gjenerohet në një shtëpi dhe pastaj është kjo lëre aty në anë të përroit se do vijë uji dhe do e marrë. Ligji i ri, bën një njëfarë ndryshimi në hallkat e menaxhimit duke krijuar entin kombëtar të menaxhimit të mbetjeve. Gjithsesi efektivisht menaxhimi i mbetjeve është përgjegjësi e bashkisë. A kanë të njëjtin potencial të gjitha bashkitë, unë them se jo. Mungon instrastruktura, gjithë pjesë e ciklit të mbetjeve, dhe në kontejnerë janë miks të përziera”, tha Nikaj.

Ambienalisti u shpreh se mbetjet duhet të ndahen që në burim dhe më pas të dërgohen për riciklim. Ferruni shprehet pro ligjit të ri, por thotë se duhet të vihen në punë projekte pilot për të parë eficensën dhe për tu përshtatur me praktikën e re.

“Mbetjet duhet të ndahen në burim siç funksionon dhe në vendet e BE-së. Mbetjet organike për momentin nuk na bëjnë problem të madh, por do të ishte mirë dhe riciklimi i tyre. E kemi bërë më mirë më përpara. Ne jemi dakord me ligjin e ri i ka piketat e duhura. Duhet një financim nga qeveria. Nuk shohim një ndryshim të madh në buxhet, por duhet të shohim modele pilot sesi menaxhohen këto mbetje, por të jenë reale dhe jo vetëm për shoë. Ne nuk riciklojmë as 10% të mbetjeve”, tha ambientalisti.

Ligji i ri të cilit Nika dhe Ferruni i referohen është i miratuar tashmë nga qeveria. Ky ligj parashikon ngritjen e një Operatori Kombëtar për Trajtimin e Mbetjeve, proces që tashmë nuk do të jetë më në dorë të pushtetit vendor, por Bashkitë do jenë ‘klientë’.