Kombëtarja e Brazilit po përballet me një shqetësim serioz në prag të nisjes së Kupës së Botës 2026, pasi Neymar mund të mungojë gjatë gjithë fazës së grupeve për shkak të problemeve fizike.
Sulmuesi i Santosit vazhdon të mos stërvitet me pjesën tjetër të skuadrës, më pak se 22 orë para ndeshjes hapëse të 'Seleçaos' kundër Marokut, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi gatishmërinë e tij për turneun.
Lëndimet kanë vazhduar të ndikojnë në karrierën e Neymarit gjatë viteve të fundit dhe situata nuk duket më e mirë as në atë që pritet të jetë Botërori i fundit i tij. Gjatë këtij sezoni, 34-vjeçari nuk ka arritur të zhvillojë më shumë se dy ndeshje radhazi me klubin e Santosit, për shkak të problemeve të vazhdueshme fizike.
Megjithatë, trajneri Carlo Ancelotti vendosi ta përfshijë yllin brazilian në listën përfundimtare për Botërorin në Amerikën e Veriut, pavarësisht se ai po rikuperohej nga një dëmtim në pulpë.
Sipas raportimeve të Sky Sport Italia, Neymar ende nuk është rikthyer në stërvitje me grupin, çka e bën thuajse të pamundur aktivizimin e tij në sfidën e parë ndaj Marokut.
Mediet italiane raportojnë gjithashtu se stafi teknik i Brazilit po shqyrton mundësinë që sulmuesi të mungojë në të gjitha ndeshjet e fazës së grupeve, në mënyrë që të jetë plotësisht i gatshëm për fazën me eliminim direkt, nëse Brazili siguron kualifikimin.
Pas ndeshjes me Marokun (sot 00:00), pesë herë kampionët e botës do të përballen me Haitin më 20 qershor në Filadelfia dhe me Skocinë më 24 qershor, në takimin e fundit të grupit.
Mungesa e Neymarit do të ishte një goditje e rëndë për Brazilin, pasi ai mbetet një nga figurat kryesore të skuadrës dhe një nga lojtarët më me përvojë në turne. Tashmë vëmendja është përqendruar te ditët në vijim, ku do të mësohet nëse ylli brazilian do të arrijë të rikuperohet në kohë për të dhënë kontributin e tij në Botëror.
Komente







