Veshkat janë ndër organet më të rëndësishme të trupit të njeriut, por shpesh kujtohemi për to vetëm kur shfaqen problemet. Ato punojnë në heshtje çdo ditë për të pastruar gjakun, për të ruajtur ekuilibrat e brendshëm dhe për të mbajtur nën kontroll shumë procese jetike. Sipas specialistit Ylli Merja, i ftuar në studion e “Rreze Dielli” në Report TV, kujdesi i hershëm dhe vëmendja ndaj shenjave paralajmëruese janë thelbësore për të parandaluar dëmtimin e tyre.
“Funksioni i veshkave është shumë i rëndësishëm. Ato janë filtri biologjik i gjakut dhe rregullatori kryesor i ekuilibrave të brendshëm të trupit. Çdo ditë veshkat filtrojnë 150–180 litra gjak dhe nga ky proces prodhohet urina. Veshkat pastrojnë trupin nga toksinat, rregullojnë ujin dhe balancojnë elektrolitet në gjak. Ato kontrollojnë natriumin, kaliumin, kalciumin, magnezin dhe fosforin. Gjithashtu rregullojnë presionin e gjakut, ruajnë balancën acido-bazike dhe ndikojnë në prodhimin e hormoneve”, thekson Merja.
Simptomat që tregojnë ulje të funksionit të veshkave
Shenjat paralajmëruese nuk duhen neglizhuar. Ndër më të zakonshmet janë:
* Enjtje e këmbëve, por dhe e syve
* Lodhje e vazhdueshme
* Urinim i shpeshtë ose shumë i pakët
* Urinë me erë të rëndë, djegie apo shkumë në urinë
* Tension i lartë
* Ndjesi ftohjeje trupore
Faktorët që dëmtojnë veshkat
“Sheqeri i tepërt, kripa e tepërt në ushqim, hipertensioni arterial, inflamacionet e përsëritura, aciditeti i lartë që rrit inflamacionin në indin renal, përdorimi afatgjatë i medikamenteve, antibiotikëve apo suplementeve të pakontrolluara, dehidratimi, konsumimi i pakët i ujit, mëlçia e dhjamosur dhe diabeti – janë ndër faktorët kryesorë që dëmtojnë veshkat”, nënvizon Merja.
Fazat e dëmtimit të funksionit të veshkave
Dëmtimi funksionit renal (insuficienca) kalon në disa faza:
Faza 1: Dëmtim renal i lehtë - Shenjat tipike si proteina në urinë mbi normën, infeksione urinare të shpeshta, kristale në veshka, ciste, ndryshime strukturore.
Faza 2: Ulje e lehtë e funksionit të veshkës - Simptoma jo të qarta si lodhje e lehtë, luhatje e lehtë e tensionit, mbajtja e kripërave.
Faza 3: Ulje e moderuar e funksionit ku fillojnë problemet renale, enjtje këmbësh, tension i lartë, lodhje kronike, dobësim oreksi, rritje e uresë dhe kreatininës, anemia, çrregullim i elektroliteve. Kjo fazë është shumë e rëndësishme, pasi nëse kapet herët, përkeqësimi mund të ngadalësohet për vite.
Faza 4: Ulje e rëndë e funksionit, veshkat humbasin pjesën më të madhe të kapacitetit filtrues - Enjtje e fortë e këmbëve, urinë më e pakët, kruajtje e lëkurës, të përziera, shije metalike në gojë, dobësi muskulare, çrregullim i kaliumit (rrezik për zemrën), presion i pakontrolluar dhe anemi e rëndë.
Faza 5: Dështim renal terminal - Urinë shumë e pakët ose aspak, përgjumje, konfuzion, të vjella të shpeshta, frymëmarrje e rënduar, enjtje në trup dhe mushkëri. Kjo fazë kërkon dializë ose transplant veshke.
Roli i bimëve mjekësore
“Nëse jemi të vëmendshëm ndaj sinjaleve të trupit, mund të parandalojmë më shpejt problemet me veshkat. Me ndihmën e bimëve mjekësore, ato mund të mbrohen, të lehtësohen dhe të ngadalësohet përkeqësimi”, thotë Merja.
Kur përdoren bimët mjekësore?
* Për uljen e inflamacionit
* Për përmirësimin e qarkullimit renal
* Për mbështetjen e eliminimit të toksinave
* Për mbrojtjen e glomerulave
* Për uljen e presionit të gjakut
“Hithra, majdanozi, rrushi i ariut, mështekna këputja, bishtamithi, lule akja, lule rradhiqja, murrizi, lule misri, bishta qershie, lule basani, boronicë e zezë, boronica e kuqe, lëvore vidhi, dëllinja, fruta pylli, rrënjë grami dhe kallinj delli – janë rigjenerues të veshkës” thekson Merja, duke treguar se duhen shmangur rrënjët shumë të forta, lëvoret e rënda, bimët tepër diuretike dhe çajrat agresivë detoks.
Ushqimet dhe frutat
* Përdorni mollë, dardhë, limon me majdanoz, hithra, rradhiqe.
* Ulni kripën në gjellë.
* Ulni konsumin e mishit (proteinat jo mbi normë).
* Ulni ose hiqni ushqimet e përpunuara, jo shumë sheqerna
Regjim ditor për mirëmbajtjen e veshkave
* Në mëngjes pini një gotë me çaj hithre (1 lugë) + 2-3 fije majdanoz, një lugë çaji mjaltë dhe 1/2 limoni.
* Gjatë ditës pini 2-3 gota çaj nga bimët: këputje, fier guri, lule misri, bishta qershie, në 1 litër ujë.
* Paradite konsumoni një mollë.
* Pasdite një frut dardhë.
* Në drekë gjellë me perime, majdanoz, karrota.
Kujdesi i vazhdueshëm, analizat periodike dhe një stil jetese i shëndetshëm mbeten çelësi për të ruajtur funksionin e veshkave dhe për të shmangur komplikacionet serioze në të ardhmen.
Shënim i redaksisë: Kurat natyrale janë ndihmëse dhe nuk zëvendësojnë trajtimin mjekësor në rastet kur simptomat përkeqësohen. Konsultohuni gjithmonë me mjekun, sidomos personat me sëmundje kronike.
Komente












