TIRANË - Derdhja e vajrave djegëse të anijes mister në plazhin e Durrësit jo vetëm ndot mjedisin por përbën një aferë tërësisht korruptive. Alarmi vjen nga ambientalisti Xhemal Mato i cili thekson se strukturat portuale duhet të jenë shumë të vëmendshme për të ditur se ku përfundojnë vajrat e gjithë anijeve që mbërrijnë në port. Ambientalisti Mato ka zgjeruar alarmin rreth këtij fenomeni duke theksuar se janë me qindra anije që largojnë vajrat djegëse për të cilat nuk ka asnjë informacion se ku përfundojnë ato.

“Të gjitha anijet që derdhin vajrat e tyre djegëse i çojnë ato në një fabrikë në Durrës (e vetmja që merret me këtë proces) që përpunon këtë sasi shumë të madhe vaji. Ne sot nuk e dimë se ku shkon e gjithë kjo sasi vaji e djegur. Autoritet portuale marrin dokumentin se sa sasi vaji shkon në fabrikë nga anijet e ndryshme, por nuk marrin dokumentin se ku përfundon e gjithë kjo sasi vaji që është mjaft i dëmshëm për ambientin – theksoi ambientalisti Xhamal Mato.
 
I pyetur nga Shqiptarja.com se ku mund të shkojë e gjithë kjo sasi vaji nga qindra e qindra anije ambientalisti Mato u përgjigj “Në ndonjë lum, në ndonjë gropë apo dhe në det, ky është një korrupsion me shuma para" nënvizoi në shqetësimin e tij ambientalisti Xhemal Mato. 

Situata ne plazhin e Durrësit ka ngritur alarmin për ndotjen kolosale që shkakton në ambient përpunimi pa transparencë i vajrave djegëse të anijeve.
 
Ndërkohë që një problem akoma më i madh lidhet edhe me përpunimin e vajrave djegëse që shkarkojnë makinat në shkallë vendi. Asnjë deri më sot nuk ka informacion se si përpunohet dhe ku përfundon e gjithë ajo sasi vaji që djegin mbi 400 mijë makina në të gjithë vendin duke shënuar dhe ndotjen më të madhe të mjedisit. Për alarmin e ngritur nga ambientalistët ende nuk ka një transparencë nga autoritet shtetërore ndërkohë që rreziku për një mega-aferë korruptive në këtë çështje është mëse konkret.