Chatbot, lojrat e njohura nga fëmijët dhe adoleshentët të cilat i mbërthejnë ata pas ekranëve të telefonëve, sipas specialistëve të shëndetit mendor krijojnë varësi emocionale, e cila sjell shumë dëme në psikologjinë e fëmijëve. Ajo që është më alarmante është fakti se prindërit nuk kanë një mekanizëm që mund t’i monitorojnë fëmijët e tyre, pasi këto lloj aplikacionesh nuk ia japin mundësinë.

Psikologu klinik Eduart Tafa i ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, shpjegon sesi chatbot-et krijojnë izolim dhe vetmi.

“Këto lojra ndikojnë në sistemin limbik që është edhe qendra e kontrollit emocional tek fëmija, nëse kjo qendër gjatë gjithë kohës ka një lidhje në botën virtuale, krijon artificializim. Ndërsa përsa i përket kontaktit me njerëzit e tjerë, lojra të tilla krijojnë izolim dhe izolimi krijon vetmi personale dhe asocializim me pjesën tjetër të shoqërisë. Fëmijët arrijnë deri aty sa shërojnë plagët emocionale me virtualitet”, tha Tafa.

Ndërsa eksperti i IT-së Tomi Kallanxhi, u ndal tek pasiguria që Chatbotet japin, pasi nuk kanë një dritare që prindërit të kenë mundësi të kontrollojnë fëmijët.

“Janë platforma të pakontrollueshme, madje në Amerikë është kërkuar një mekanizëm që t’ju japë mundësi prindërve të kontrollojnë si dhe vetë aplikacioni kur bëhet fjalë për biseda të rrezikshme të sinjalizojë. Aktiviteti brenda shtetit amerikan i ka kërkuar Open IA të ketë panel kontrolli”, u shpreh Kallanxhi.

Eksperti i IT-së u ndal edhe tek prindërit, të cilët sipas tij nuk janë të mirë informuar.

“Ne kemi parë raste në Shqipëri që kanë rënë pre e bullizmit në rrjetet sociale vetë prindërit, kur ata nuk kontrollojnë veten, imagjino fëmijët! Prindërit duhet të mësojnë edhe vetë, jo t’ia lënë në dorë fëmijët vetëm shoqërisë”, tha Kallanxhi.

Psikologu klinik Eduart Tafa ju bëri thirrje prindërve që të kalojnë më shumë kohë me fëmijët.

“Koha që kalon fëmija sot në një ambient social është më e vogël se koha që kalon një i burgosur në një ambient ajrimi, pjesa e aktivitetit pothuajse është në rënie, ndaj prindërit duhet të reflektojnë dhe të shpenzojnë kohë me fëmijët duke i mbajtur larg rrjeteve sociale”, u shpreh ai.

Kallanxhi, gjithashtu i sugjeroi prindërve disa lojra zhvilluese online të kontrolluara, që fëmijët mund të zhvillohen pa u dëmtuar psikologjikisht.