Alba Malltezi: Dashurojmë shumë 
e urrejmë për vdekje, ne shqiptarët

Alba Malltezi: Dashurojmë shumë <br />e urrejmë për vdekje, ne shqiptarët

Në një shoqëri të modernizuar dhe europiane në dukje, mbulohen rrënojat e një sjelljeje primitive që po e shkatërron familjen në disa breza.
Drejtoreshë e Përgjithshme e Free and Fair Media Group (Shqiptarja.com dhe bashkepunimi me A1Report), Alba Malltezi, mendon se ndryshimet pozitive duhet të nisin nga vetë individi. Këtë gjë Alba e bën personalisht e profesionalisht nëpërmjet qëndrimeve me një ton kritik por edhe përshëndetës sa herë është rasti. Sepse Alba Malltezi, 39-vjeçarja që e nisi zanatin si reportere e spektaklit dhe kulturës në “Gazetën Shqiptare”, është nga njerëzit e medias që nuk i sheh bardh e zi zhvillimet në vend. Prandaj ajo është ftuar nga “Shekulli i Fundjavës”.

Alba ka edhe një jetë private prej të cilës ajo veçon për ne diçka që mund të thuhet në publik. Bashkë me bashkëshortin gazetar Carlo Bollino-n, janë prej disa vitesh në krye të mediave të cilat në rastin më të mirë kanë në dorë të krijojnë opinion publik, e na rastin më të keq, ta deformojnë atë. Janë njohur kur Carlo themeloi “Gazetën Shqiptare”, dhe News 24 më vonë. Tani ata jetojnë, bashkë me vajzën 5 vjeçe Karlota, ndërmjet Tiranës dhe Barit ku gazetari drejton “La Gazzetta del Mezzogiorno”. Në një bisedë për aktualitetin, problemet e familjes shqiptare dhe problemet e medias, Alba vjen pa dorashka dhe e gatshme për të thënë gjithçka.

Ju gjen në punë çdo ditë ora 10 e paradites?
Ditën  nis më herët, duke përcjellë Karlotën, vajzën time 5-vjeçare për në kopsht. Më vonë vazhdoj me kontaktet me telefon me gazetarët. Në orën 10.00 apo 10.30 jam në redaksi. Kemi një sistem të mirë organizimi në redaksi, me kryeredaktorët e turneve, kështu që nuk është gjithmonë e nevojshme që të jem e pranishme këtu. Siç e shihni, të gjithë punojnë, jam apo nuk jam unë në redaksi.

Një njeri në pozita drejtuese shtrëngohet që shpesh të jetë i rreptë.
Nuk dua të jem e rreptë. Nuk është dhe në karakterin tim të konfliktohem apo të ngre zërin me njeri. Ndonjëherë situatat të detyrojnë, por kjo është karta e fundit që mund të përdor. Përpiqem të komunikoj pa rreptësi dhe kur përsëritet mbi tre herë, ndoshta ngre dhe zërin. Mundohem të jem e drejtë dhe korrekte.

Kur është pjesa më produktive e ditës, që e ndikuar dhe nga aktualiteti, nisni të shkruani?
Prej vitesh kam rubrikën time “Periferi”, ku herë pas here shkruaj për gjëra që më ngacmojnë. Janë ato gjëra të drejta dhe të padrejta nga realiteti që mua më lënë gjurmë. Pjesa ime më aktive është në harmonizimin e punës së redaksisë dhe të lajmeve që vijnë, kërkimi i lajmit të veçantë dhe transmetimi i tij ndershëm. Janë shumë televizione informative konkurrente në treg dhe ne duam të bëjmë diferencën mes të gjithëve. Si mund të jemi ndryshe? Diferenca në këtë profesion bëhet me profesionalizmin dhe ndershmërinë. Për shembull, detyrohemi të japim shpesh lajme të këqija, por këto lajme duhet të jepen të vërteta dhe korrekte. Fokusimi im kryesor është në dhënien e lajmit të shpejtë, të plotë dhe të drejtë.

Në çfarë momenti ju duken mediat tona?
Po kalojnë një depresion. Po flas për ato media që sot janë në vështirësi ekonomike. Nëse gazetari nuk ka një shpërblim ekonomik të mirë dhe në kohën e duhur, nuk do jetë shumë i motivuar. Askush nuk do ishte i motivuar në rast se në fund të muajit nuk do kishte rrogën të siguruar dhe kjo është një nga arsyet mendoj unë që ka shkatërruar shpirtin e punës së gazetarëve në Shqipëri. Megjithatë nuk është vetëm kjo. Sasia e madhe e mediave në Shqipëri kërkon dhe një numër të lartë gazetarësh në treg dhe sasia ka goditur shumë cilësinë. Mediat sot i shoh si shoqëria shqiptare: në krizë.

E keni fjalën për sistemin mediatik, por do ta thoshit të njëjtën gjë për ata që ushtrojnë zanatin e gazetarit?
Ka një problem thelbësor: Gazetarët e rinj janë arsimuar në periudhën e tranzicionit dhe nxënia në këtë periudhë ka një rezultat jo të mirë në formimin gjuhësor dhe kulturor të gazetarëve. Vërej që shumë gazetarë ose studentë që dëshirojnë të futen në fushën e gazetarisë kanë një handikap shumë të madh të njohjes së gjuhës shqipe. Nuk njohin lakimin e emrave, bëjnë gabime drejtshkrimore, nuk dinë të përdorin ë-në. Megjithatë, mes tyre kam gjetur dhe elementë shumë të mirë, të cilët sot punojnë në redaksinë tonë.

Alba, shkrimet tuaja shpesh kanë fokus kategori të pambrojtura të shoqërisë shqiptare. Dhe një nga këto kategori, gruaja, në javën që po lëmë pas është dhunuar në forma nga më të përbindshmet. Çfarë po ndodh?
Mbetemi akoma një shoqëri e pacivilizuar. Qytetet kryesore të Shqipërisë kanë përqafuar modernizimin, shikon ndërtime moderne, njerëz të veshur mirë, por nuk sheh civilizimin e njerëzve. Për mendimin tim, duke qenë se jemi akoma primitivë në ndjenja, nuk kemi gjetur ekuilibrin tonë. Ne dashurojmë shumë, por edhe urrejmë shumë. Jemi në ekstremet e ndjenjave dhe ato sjellin humbjen e kontrollit si në shoqëri, edhe në familje. Në këtë bërthamë të vogël ndjenjat shumëfishohen: dashuri shumë ose urrejtje deri në vdekje.

Dhe civilizimi nuk arrihet as se e thotë një parti, as se e thotë shteti. Strukturat ndihmojnë sigurisht, por këto struktura përbëhen nga njerëz, nga ne të gjithë. Zhvillimi arrihet si kërkesë e brendshme e çdo individi. Unë dua të jem më e mirë, më e edukuar, më civile dhe të respektoj natyrën, familjen, kolegun, etj. Nëse vendos të jem e tillë, arrij ta bëj këtë dhe kjo imitohet dhe nga njerëzit që janë pranë meje, e kështu kalohet si në një zinxhir, dhe shoqëria do të bëhet më e mirë. Por sot në qendër të vëmendjes është pasurimi me çfarëdolloj mjeti. Të bëhesh i pasur është art nuk është gjë për t’u përbuzur, por pasuria vlen pasi të kesh krijuar një bazë të mirë kulture njerëzore në veten tënde. Nëse dikush është bosh, ajo pasuri mund të bëjë efektin e kundërt; mund të ketë pasoja të rënda për individin, familjen dhe shoqërinë.

Si i shihni aktualitetin politik shqiptar?
Politika mbetet pjesë agresive e realitetit tonë, edhe pse kam shpresa dhe shoh realisht elementë të mirë në kampe të ndryshme. Ajo është timon që çon përpara shoqërinë, por mbetet akoma e hutuar në një luftë primitive. Ashtu si në familje, kur pyesim se pse burri dhunon gruan, kjo ndodh edhe në politikë. E shikoj politikën si një familje më të madhe ku shpesh agresiviteti sundon mbi logjikën, tolerancën apo respektin e të kundërtave. Në politikën tonë nuk ka respekt mes rivalëve.

Sa ndikohet media nga politika?
Kjo është diçka personale. Ka gazetarë që e ndiejnë veten të lirë. Janë të lirë. Kanë respekt në radhë të parë për vetveten dhe kanë krijuar personalitetin e tyre, dinjitetin e tyre. Media punon dhe bashkëpunon me politikën, nëse manipulohet prej saj kjo bëhet e dukshme, është e lehtë të kuptohet nga lexuesit apo teleshikuesit dhe kthehet në bumerang në dëm të profesionalizmit të medias. Në Shqipëri ndikohet media nga politika: shpëtojnë prej saj disa gazetarë me dinjitet dhe integritet.

Ç’thotë për këtë përvoja personale?
Jo, nuk e kam ndjerë ose më mirë bëj sikur nuk e ndjej. Politika bën punën e vet. Ajo kërkon të joshë apo të blejë, por ka edhe politikë të ndershme. E megjithatë çdo gjë varet nga unë, se çfarë unë do të zgjedh. Nuk mund të them që jam e frikësuar ose nën presionin politikës.

Gazetarët shpesh janë konfuzë dhe nuk e dinë kush është lexuesi i tyre. Ju besoni te një impakt i penës suaj?
Një shkrim nuk mund të ndryshojë mentalitetin. Nuk e ka forcën. Mund të jetë shembull i mirë për të marrë një ide, një frymëzim. Të gjithëve na ka qëlluar të lexojmë një libër që na ka lënë mbresa të jashtëzakonshme. Ka shembuj edhe me shkrime, intervista, episode që kanë ndryshuar rrjedhën e jetës së njerëzve, por duhet të jesh i hapur që ta kërkosh këtë gjë. Nëse njerëzit kërkojnë të bëhen më të mirë, unë them se e arrijnë. Unë do të dëshiroja shumë që ndonjë fjalë, fjali, apo një shkrim i imi të ketë ndikuar sadopak për të ndryshuar dhe përmirësuar diçka. Nuk e di nëse ka ndodhur kjo.

Stil konciz e drejt e në thelb të problemit. Këtë kemi vërejtur në shkrimet tuaja të shkurtra.
Mendoj se shtypi i shkruar sa po vjen dhe po tkurret. Kjo nuk po ndodh vetëm në Shqipëri. E kam perceptuar këtë vite më parë. Po tkurret në të gjitha kuptimet, ka gjithnjë e më pak njerëz që lexojnë shtypin e shkruar. Unë mendoj se dy faqe gazetë duhet të jenë shkruar shumë mirë që të detyrojë dikë ta lexojë. Janë të rrallë talentet që shkruajnë shumë mirë. Shkrimet e mia përfaqësojnë karakterin tim: unë jam njeri fjalëpak. Më pëlqen më shumë të dëgjoj se sa të flas. Nuk kam dashur ta bezdis lexuesin.

______________________________________

“KARLO MBESHTETJE IME ME E FORTE”
Alba ushqen pasion për gazetarinë, pasion që e ndan me bashkëshortin e saj, Karlon, i cili ka qenë pjesë e atyre gazetarëve që raportojnë nga terrene lufte: Afganistan, Irak, Lindje e Mesme etj. Njohja me Karlon në ambientet e gazetarisë ka qenë një pikë kyçe për karrierën e saj dhe një frymëzim në punën që bën sot. Të dy në pozicione drejtuese mes Italisë dhe Shqipërisë, por të dy e shohin gazetarinë si mjetin më të fortë të lirisë për t’u shprehur.

Sa ndikim ka bashkëshorti juaj, Carlo Bollino, në karrierën tuaj?
Patjetër që ka ndikim të madh. Është një nga arsyet kryesore që unë vazhdoj të jem në fushën e medias. Për mua gazetaria është profesioni më i bukur. Gazetaria të ushqen me informacion total, 360 gradë. Nuk e mendoj veten, për shembull, të isha mjeke dhe të merresha gjithë jetën me një organ, do të ishte e pamundur. Me gjithë respektin për punën e mjekut nuk e shikoj veten të mbyllur në një laborator. Pata fatin të takoj Karlon, të punoj me të, të dashurohem me të dhe padyshim ka qenë mbështetje e fortë në rrugëtimin tim. Është edhe një nga gazetarët më të mirë në Itali. Ka shkuar, raportuar nga shumë vende të botës duke pasqyruar konflikte të rënda si në Irak, Afganistan, Lindjen e Mesme.

Ai vazhdon të punojë gazetar në Itali?
Po. Tani është drejtor i “La Gazzetta del Mezzogiorno”, që është gazeta më e madhe në jug të Italisë. Jeta jonë ndahet mes Barit dhe Tiranës. Unë me Karlotën dhe me prindërit e mi jetojmë në Tiranë. Karlo shkon e vjen ose shkojmë ne në momentet e pushimeve dhe të fundjavave.

E vështirë të jetosh në këtë mënyrë?
Është e vështirë se të merr malli shumë, por them se një lidhje kaq e fortë sa e jona është një lidhje e rrallë. Nuk ka largësi që na ndan ne të dyve. Nuk e shikoj problematike, pasi jam gati në çdo moment të marr avionin apo tragetin. Nga ana tjetër edhe Karlo bën të njëjtën gjë dhe vjen në Shqipëri. Më duket sikur fluturojmë jo udhëtojmë. E ndjej veten në fluturim e sipër mes Shqipërisë dhe Italisë.

A e ka sjellë Karlo frymën e gazetarisë italiane në median ku punoni?
Në Itali mosha mesatare e gazetarëve është 50-vjeç. Ndërsa tek ne mosha mesatare është 28 apo 30 vjeç. Karlo pati dëshirën për të përqafuar të renë dhe për t’u fokusuar drejt web-it, pasi në Itali të modernizosh apo të kërkosh nga gazetarët të jenë me ritmin e kohës është më e vështirë. Duke qenë se Karlo i njeh të dy realitetet, thotë se është më kënaqësi të punosh në Shqipëri sesa në Itali.
________________________________

ALBA NE KUZHINE, THJESHT DHE SHPEJT

Duket paksa e çuditshme të përfytyroni Albën në punë kuzhine. Por ja që Alba edhe këtë punë e bën. Fakti që punon si drejtuese e përgjithshme në dy media nuk e pengon që të gatuajë makaronat, peshkun, të bëjë kuzhinë shqiptare apo italiane.
Pavarësisht se jeton mes gjelbërimit, Alba nuk mundet të bëjë vrap apo të shëtisë. Kjo për shumë arsye. Por, ajo i përkushtohet më shumë masazheve dhe argëtimit me bashkëshortin, sesa aktivitetit fizik.

Sa i përkushtoheni familjes?
Më pëlqen shumë të luaj me vajzën time Karlotën. Kur jam me të më duket vetja 5 vjeç, sa ajo. Ndonjëherë në mbrëmje e gjej në gjumë, por në mëngjes e zgjoj dhe e përgatis për në kopsht. Them që gjendet koha për këdo. Që kur kam nisur punën më televizionin edhe në Itali shkoj vetëm për pushime. Më parë rrija pjesën më të madhe të kohës në Itali.

Gatuani?
Po gatuaj. Preferoj kuzhinën mesdhetare. Është kuzhina më e shëndetshme. Pëlqej makaronat, perimet, peshkun dhe sa më pak mish. Ne konsumojmë shumë mish si popull, prandaj duhet të përpiqemi që të shikojmë më shumë peshkun, perimet dhe jo ëmbëlsirat. Ushqimi i preferuar është pure me bathë edhe çikore.

Italianët mbahen për kuzhinierë të zotë. Është Karlo?
Kuzhina e Italisë së jugut është ajo që preferoj më shumë. Më pëlqen të gatuaj me Karlon. Më saktë, ai gatuan dhe unë laj pjatat. Karlo është lider në kuzhinë. Vetë gatuaj makarona të ndryshme ose peshk në furrë. Domethënë, gjëra të thjeshta dhe të shpejta, pasi nuk jam nga ato që përkushtohem orë e orë për kuzhinën.
Prindërit e mi jetojnë shumë afër me mua edhe mami është pjesa e fortë e kuzhinës. Ajo gatuan mish me lëng, perime me mish, byrek etj., gatime që edhe Karlo i pëlqen shumë. Karlos i pëlqen byreku me qep e domate, apo fasulet të gatuara sipas mënyrës sonë, turshitë, patëllxhanët etj.

Jetoni afër Liqenit të Tiranës, e shfrytëzoni gjelbërimin, dilni për vrap?
Jo nuk dal. Më pëlqejnë shumë masazhet për të ndenjur në formë. Më pëlqen shumë dhe të hedh ngjyra në telajo. Kaloj kohën duke pikturuar. Argëtimi më i madh në këtë kohë është loja me Karlotën, ndonjë libër i mirë dhe takimet për dreka apo darka me shoqet.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shekulli(print), 15 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja