Në skenarin kompleks gjeopolitik ndërkombëtar, përballja midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përfaqëson një nga pikat më të mëdha të tensionit të viteve të fundit. Nuk bëhet fjalë vetëm për një përplasje ushtarake apo diplomatike, por për një konflikt që përfshin ekuilibra rajonalë, interesa ekonomike globale dhe dinamika politike afatgjata. Në dritën e kushteve aktuale strategjike, po bëhet gjithnjë e më e qartë se një luftë midis Iranit dhe SHBA-ve vështirë se mund të prodhojë një fitues të vërtetë.

Shtetet e Bashkuara zotërojnë një epërsi të padiskutueshme ushtarake. Kapaciteti teknologjik, prania detare në detet strategjike dhe forca ajrore u lejojnë të godasin objektiva ushtarake dhe infrastrukturë strategjike në kohë të shkurtër. Megjithatë, historia tregon se epërsia ushtarake nuk mjafton për të garantuar një fitore politike dhe strategjike. Irani është një vend i madh, me një strukturë ushtarake të përshtatur për mbrojtje dhe me një strategji të bazuar në rezistencë dhe luftë asimetrike. Në një skenar konflikti të zgjatur, kostot për SHBA-të do të bëheshin të larta, si në planin ekonomik ashtu edhe në atë politik.

Nga ana tjetër, Irani nuk synon një fitore të drejtpërdrejtë ushtarake, por rezistencën në kohë, duke e shndërruar konfliktin në një presion të vazhdueshëm mbi ekuilibrat rajonalë dhe ekonominë globale. Strategjia iraniane mbështetet në aftësinë për të ruajtur një qëndrim rezistence, duke shfrytëzuar ndikimin e tij në rajon dhe rolin strategjik të rrugëve energjetike. Në këtë mënyrë, konflikti do të shndërrohej në një luftë konsumimi, ku asnjëra palë nuk do të arrinte një sukses përfundimtar.

Gjithashtu, Irani, pas eliminimeve të njëpasnjëshme të udhëheqësve dhe figurave kyçe, ndodhet në një situatë të vështirë të brendshme politike dhe institucionale. Deri më sot, strukturat e shtetit iranian kanë arritur të ruajnë një status quo relative dhe një stabilitet të kontrolluar, duke menaxhuar presionet e brendshme dhe sfidat e jashtme. Megjithatë, vazhdimi i konfliktit nuk do të kishte garanci për këtë ekuilibër, pasi regjimi do të përballej me rreziqe gjithnjë e më të mëdha, si nga konflikti i jashtëm ashtu edhe nga tensionet e brendshme, të cilat kanë rrënjë historike dhe sociale. Në një skenar lufte të zgjatur, presioni i brendshëm mund të rritet ndjeshëm, duke vënë në provë stabilitetin politik dhe aftësinë e regjimit për të ruajtur kontrollin mbi situatën.

Një element qendror i kësaj krize është ndikimi ekonomik global. Lindja e Mesme përfaqëson një nga zonat kryesore të prodhimit dhe tranzitit të naftës në botë, dhe çdo tension në Ngushticën e Hormuzit apo në rrugët energjetike do të kishte pasoja të menjëhershme në tregjet ndërkombëtare. Rritja e çmimit të naftës, inflacioni, paqëndrueshmëria financiare dhe vështirësitë ekonomike për shumë vende do të ishin pasoja të pashmangshme. Me fjalë të tjera, nuk do të humbnin vetëm Irani dhe SHBA-të, por e gjithë ekonomia botërore.

Rritja e çmimit të naftës drejt një krize të re, rënia e popullaritetit politik, rreziku i përhapjes së konfliktit dhe thellimi i krizës mes vendeve të BE-së dhe SHBA-ve e bëjnë gjithnjë e më të nevojshme arritjen e një marrëveshjeje për një pushim të konfliktit. Një marrëveshje e tillë do të synonte stabilizimin e situatës ndërkombëtare pa etiketuar një fitues konkret, duke krijuar një ekuilibër të përkohshëm politik dhe ushtarak.

Megjithatë, në një analizë më realiste strategjike, mund të thuhet se SHBA-të do të konsideroheshin fitues relativë të këtij konflikti, pasi kapacitetet ushtarake të Iranit, pas një përpalljeje të drejtpërdrejtë, vështirë se do të mund të riktheheshin në nivelet e mëparshme. Dobësimi i infrastrukturës ushtarake, presioni ekonomik dhe izolimi ndërkombëtar do ta vendosnin Iranin në një pozicion më të kufizuar në skenën rajonale, ndërsa SHBA-të do të ruanin epërsinë strategjike dhe ndikimin e tyre në Lindjen e Mesme.

Për më tepër, rreziku i një lufte rajonale mbetet i lartë. Një konflikt i drejtpërdrejtë mund të përfshijë aktorë të tjerë të Lindjes së Mesme, duke krijuar një zinxhir tensionesh dhe përplasjesh që do ta bënte situatën edhe më të paqëndrueshme. Historia e fundit tregon se luftërat në këtë rajon kanë tendencë të zgjerohen dhe të prodhojnë pasoja të paparashikueshme, duke e bërë të vështirë kontrollin e situatës.

Në këtë kontekst, skenari më realist mbetet ai i një kompromisi politik ose i një armëpushimi, ku të dyja palët mund të deklarojnë një formë fitoreje diplomatike pa arritur në një luftë totale. Fuqitë e mëdha priren të shmangin konfliktet e zgjatura që mund të dëmtojnë stabilitetin global dhe ekonominë ndërkombëtare.

Në një situatë të tillë, ku thuajse i gjithë Perëndimi, pavarësisht pozicioneve të lëkundura, mund të konsiderohet në një konflikt indirekt me Iranin, kostot e përfshirjes janë reale dhe të prekshme. Megjithatë, në këtë lojë të ndërlikuar të politikës ndërkombëtare, të ngjashme me një “poker të pashmangshëm”, vendet që kanë treguar disponibilitet dhe besnikëri ndaj SHBA-ve, duke pranuar mundësitë e kostove të mundshme, në fund të këtij konflikti mund të dalin më të forta dhe me një vëmendje të veçantë nga administrata amerikane.

Ky pozicion aleat do t’i vendosë ata në krahun e duhur të një ekuilibri të mundshëm ndërkombëtar. Të jesh aleat dhe besnik i SHBA-së gjithmonë ka pasur kosto – si në jetën e përditshme, ashtu edhe në marrëdhëniet mes shteteve – por siç ndodh në çdo marrëdhënie, miqësia dhe mbështetja nuk ekzistojnë pa sakrifica dhe përkushtim.

Përtej kostove të mundshme dhe zhurmave që qarkullojnë, Shqipëria nuk ka opsion tjetër veçse të ruajë besnikërinë ndaj aleancës me SHBA-të. Çdo përpjekje për të vënë në dyshim këtë lloj besnikërie, nën justifikimin e mbrojtjes së sovranitetit kombëtar, në të vërtetë nuk bën gjë tjetër veçse kontribuon për ta dobësuar atë. Aleanca strategjike dhe mbështetja e qëndrueshme ndaj SHBA-së mbeten instrumenti më i sigurt për të garantuar stabilitetin, sigurinë dhe pozicionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Në përfundim, lufta midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, nëse do të intensifikohej, vështirë se do të sillte një fitore të qartë të shpallur zyrtarisht. Megjithatë, në planin strategjik, SHBA-të mund të konsiderohen fitues relativë, ndërsa Irani do të përballej me një dobësim të kapaciteteve të tij ushtarake dhe rajonale. Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, stabiliteti ndërkombëtar nuk mund të ndërtohet përmes luftës, por përmes diplomacisë, bashkëpunimit dhe përgjegjësisë politike.