Duhet t'a ndajmë njëherë e mirë këtë punën e terminologjisë, sepse nga e fundit kuptohet e gjithë historia. Shqipëria ka pak "Diasporë" e shumë emigrantë!
Pjesa më e madhe e shqiptarëve që janë jashtë vendit kanë emigruar pas viteve '90, shumë prej tyre janë brezi i parë, pjesa tjetër brezi i dytë e më pak janë fëmijë të sapolindur ose fazë adoleshencë që do të konsideroheshin brezi i tretë.
Shqipëria në shumë forma prodhon emigrantë edhe sot e sidomos përmes praktikave të bashkimit familjar për t'u bashkuar me pjesën tjetër që ndodhet jashtë shtetit e ndoshta me misionin final për tu mos kthyer kurrë më. Siç e kam trajtuar edhe herë të tjera, numri i shqiptarëve që marrin një shtetësi të dytë si në rastin e Italisë është gjithmonë në rritje.

Pra, në vitet në vazhdim e ndoshta për 20 vitet e ardhshme mos prisni të shikoni shqiptarë që do të emigrojnë përmes gomoneve, anijeve apo versioneve të tjera klandestine siç jemi mësuar deri tani, por me linja të rregullta ajrore.
Çdo emigrant që ka një shtetësi të dytë, ka mundësi të marrë më me lehtësi përmes procedurës të bashkimit familjar prindërit, motrat, vëllezërit, nipërit e mbesat. Kështu dalë ngadalë ndoshta në vitet në vazhdim do të shohim familje të tëra që braktisin Shqipërinë duke kontribuar edhe më shumë, për fat të keq në boshatisjen e saj demografike.
Kjo na bën të e deduktojmë se "Vota e Diasporës" është term i ligët dhe i pasaktë, kur përdoret nga politika nga Tirana e shpesh naivë, servilë ose i pasaktë, kur përdoret nga disa politikan-emigrant që tashmë duken qartazi të zellshëm dhe aktiv me cilësi të dyfishtë për politikën e Tiranë.
Nëse do të flisnim për "Votë e Diasporës", atëherë duhet të flasim për të drejtën e votës të shqiptarëve në Turqi, Siri, Egjipt, Ukrainë, SHBA dhe arbëreshëve në Itali ku shumica e të cilëve tashmë janë të lindur e rritur si brez i tretë, katërt, pestë, gjashtë e pse jo i shtatë, përveç se kanë identiteti shqiptar e flasin gjuhën shqipe deri diku, nuk kanë asnjë lidhje shtetësie me shtetin shqiptar e madje në dhe kur duan t'a marrin atë, hasin shumë vështirësi ligjore e burokratike e ligjore.
Pra, në Greqi, Francë, Itali, Angli, Gjermani e Kanada nuk ka Diasporë, por emigrantë të larguar nga klasa politike që nuk ju ka krijuar as shpresën e as jetesën dinjitoze në vendin e origjinës. Shqiptarët largimin e tyre e kanë një histori të freskët bashkë me memoriet e tyre të vuajtjeve dhe sfidave të lëna pas për një jetë më të mirë e mê dinjitoze në vendet ku fati i jetës i ka bërë të emigrojnë.
Përdorimi i qëllimshëm i politikës nga Tirana i termit "Diasporë", bëhet për të tentuar rritjen distancën fizike të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë me Atdheun.
Oportunizmi pragmatik i disave dhe naiviteti militanstek i disa të tjerëve që janë emigrantë, që falë votës së emigrantëve u ka dhënë mundësi që përmes oportunizmit të ri të krijuar të angazhohen politikish jo si mundësi për të përfaqësuar veten, historinë e tyre prej emigranti ose emigrantët e tjerë si ata, por si një rast unik për t'u bërë vegla të politikës të Tiranës në shërbim të pushtetit të këtyre të fundit e me shpresën e ndonjë mundësie për karrierë personale pushteti apo për rritur kuotat e tyre publike.
Këta që jetojnë si emigrantë e kanë histori prej emigranti, por janë vënë në shërbim të politikanëve të Tiranës, nuk e kuptojnë ose nuk duan t'a kuptojnë, se ligji për të votuar dhe sistemi që është krijuar i trajton emigrantët vetëm si një hambarë votash për të rikonfirmuar pushtetin e tyre në Tiranë duke u hequr të drejtën kushtetuese që të përfaqësojnë edhe veten e tyre aty ku jetojnë!
Ky ligj, qëllimisht nga politika nuk ka krijuar zona elektorale për emigrantët sipas komuniteteve dhe numrin të tyre ku jetojnë, nuk e ka krijuar Shqipërinë as si një zonë të vetme elektorale që vota e përfaqësimi të jenë të barabartë, por çdo emigrant edhe si votues llogaritet sipas zonës ku ka të dhënat e Gjëndjes Civile në Shqipëri.
Madje, ky mekanizëm po bën që edhe në ato pak raste ku ndonjë emigrant kandidon me ndonjë subjekt që ka vendosur rregullin e listës së hapur, tashmë në prag zgjedhjes të kthehet në Atdhe në zonën ku kandidon për të bërë fushatë dhe gjetur vota. Me thjeshtë, nëse dikush kandidon në një listë të hapur në Qarkun e Kukësit, ai nuk ka asnjë interes të bëj vota në Diasporë, sepse nëse nuk gjen kuksianë mjaftueshëm për mandatin e tij, votat e tjera të bëra nga emigrantët e tjerë nuk shërben për marrjen e mandatit.
Ndërsa tek dy partitë e mëdha, nëse dikush është në listat e mbyllura e të garantuara, atëherë është ndryshe historia, sepse ka komoditetin që si një turist në vendin ku ka emigruar të bëjë fushatë për partinë e kështu siguron vota edhe për mandatin e tij ose të paktën forcon pozicionin e tij politik brenda subjektit që ka zgjedhur të kandidojë.
Sot, thirrja është tek emigrantët, edhe nga këta që jetojnë mes emigrantëve, por që janë vegla të politikës është: na votoni neve, por nuk mund të votoni për veten!
Është po thuajse baraz me tradhti që të bësh thirrje në cilësi emigranti që të tjerët si ti të votojnë për politikanët në Tiranë e të mos kërkosh të votohesh veten apo të tjerët që janë emigrantë si ty!
Kushdo ka të drejtë të bëj ç'të dojë në jetë e të jetë me kë të dojë, qoftë edhe politikisht, por normalja, para se gjithash do të ishte të ishte së pari me veten, me historinë e tij prej emigranti e pastaj edhe më të tjerët që si emigrantë kanë histori të përbashkët.
Të rikthehemi tek termi Diasporë: fëmijët e lindur, rritur, shkolluar e formuar në Itali, Gjermani, Greqi, Francë, Gjermani, Angli e Kanada, kanë shumë pak lidhje ose fare politike me vendin e origjinës të prindërve të tyre e shpesh kanë pak lidhje edhe me historinë e vendit të origjinës duke qenë se nuk e njohin mirë gjuhën shqipe, nuk kanë studiuar historinë e Shqipërisë, por e kanë te dëgjuar përmes historive familjare ose kur shkojnë në Shqipëri si turistë.
Të vetmën lidhje të fortë që kanë me Shqipërinë është flamuri qe mbetet simboli i vetëm dhe përbashkues për shqiptarët në Botë e ndoshta futbolli sa herë Kombëtarja do të ketë mundësi të marrë pjesë në kompeticionet e rëndësishme ndërkombëtare siç ishte rasti i fundit i kampionatit europian në Gjermani!
Mundësia e parë per të votuar ka ngjallur interes nga politika e Tiranës dhe ka nxitur që brenda pak kohësh të krijohen si kërpudha pas shiut seksione të partive në mesin e komuniteteve të shqiptarëve në emigracion. Gjithashtu, mundësia për të votuar për herë të parë si emigrantë aty ku jetojnë ka bërë që interesi i pjesëmarrjes në këto zgjedhje, përtej problematikave që lidhen me modalitetin e regjistrimit të jetë relativisht i lartë, por në vazhdim sapo të kuptojnë se janë përdorur nga ata të Tiranës do të jenë në rënie drejt një disinteresimi total.
Xh.K/Shqiptarja.comKomente

